EKSKLUZIVE/ “Tani duket dora e Arapit, më pëlqyen ndaj Tiranës”, kampion me Teutën dhe Ballkanin, Rustem Hoxha: Kosova super!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2022 | 12:17

EKSKLUZIVE/ “Tani duket dora e Arapit, më pëlqyen ndaj Tiranës”, kampion me Teutën dhe Ballkanin, Rustem Hoxha: Kosova super!

Nga Durrësi në Suharekë dhe dy tituj kampionë radhazi. Ish-kapiteni i Teutës, Rustem Hoxha, ka arritur një tjetër sukses në karrierën e tij si pjesë e Ballkanit, që drejtohet nga Ilir Daja. Mbrojtësi me shumë eksperiencë në Superiore, ka folur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” për sezonin e tij të parë në Kosovë, por pa lënë mënjanë komentet për skuadrën e tij të zemrës, Teutën.

RUSTEM HOXHA

Rustem, si është të largohesh nga Teuta si kampion dhe më pas të shkosh në Kosovë për të fituar sërish titullin?

Normalisht është një kënaqësi e madhe të dalësh për dy sezone radhazi kampion dhe për më tepër në dy ekipe dhe kampionate të ndryshme. Jam vërtet shumë i lumtur, sepse është sakrifica e gjithë vitit dhe u shpërblyem me titullin, që ishte i pari në historinë e Ballkanit.

Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në këtë sezon të parë në Superligën e Kosovës?

Që kur kam ardhur në Kosovë, ajo që më ka bërë përshtypje më tepër është dëshira e madhe që kanë njerëzit këtu për t’u përmirësuar në të gjitha drejtimet sa i përket futbollit. Këtë e shoh jo vetëm te futbollistët dhe stafet teknike, por gjithashtu te drejtuesit e klubeve, që kanë një dëshirë të madhe për të përmirësuar kushtet. Kjo është një gjë pozitive dhe besoj se shumë shpejt gjërat do të bëhen akoma më mirë, duke filluar nga cilësia e kampionatit dhe stadiumet.

Kush ka qenë rivali më i fortë për Ballkanin këtë sezon?

Realisht ka qenë një garë shumë e fortë, por do të veçoja tri ekipe me të cilat deri në fund ishim rivalë të fortë. Drita ka një ekip shumë të mirë, po ashtu edhe Gjilani. Edhe Llapi ka qenë rival i fortë.

Nëse bëjmë një krahasim mes dy kampionateve, çfarë ju pëlqen më tepër në Kosovë me atë që keni lënë në Superiore?

Nuk më pëlqen të bëj krahasime, pasi të dyja kampionatet kanë të mirat dhe të këqijat e tyre. Unë mendoj se po bëjnë progres të dyja kampionatet dhe kjo do të vlejë shumë për brezat e ardhshëm.

Ballkani ka disa lojtarë që kanë luajtur dhe fituar edhe në ekipet e Superiores. Jua bëri më të lehtë kjo përshtatjen në Suharekë”

Po, është e vërtetë. Këtu kam gjetur një lojtar si Gripshi, ndërsa bashkë me mua erdhi edhe Frashëri. Ka edhe lojtarë të tjerë që kanë luajtur në Superiore si Jashanica. Kjo më ndihmoi që të përshtatem shpejt dhe të kuptoj më shumë mentalitetin e futbollit kosovar.

Duke parë nivelin mes dy kampionateve, a mund të themi se Ballkani është po aq i fortë si ekip me Tiranën që kryeson në Shqipëri?

Unë di të them se Ballkani ku bëj pjesë ka një skuadër me shumë cilësi. Jemi një ekip me të rinj të talentuar, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë, që kanë fituar shumë në karrierën e tyre. Gjithashtu kemi një trajner që s’ka nevojë të flas për sukseset që ka arritur, pasi vetë koha e ka treguar. Sa i përket Tiranës, i kam ndjekur disa ndeshje këtë sezon. Më pëlqen, pasi ka një ekip shumë të mirë. Është për t’u vlerësuar puna e drejtorit Tefik Osmani për ekipin që ka ndërtuar bashkë me trajnerin Orges Shehi. Kanë arritur të formojnë një grup, ku janë përshtatur shumë mirë me njëri-tjetrin. Ashtu si Ballkani, edhe Tirana ka kualitete që bëjnë diferencën.

Ishte një surprizë edhe për ju që titullin historik në Kosovë ta fitonit me Ilir Dajën trajner, në një kohë që sezonin e nisët me Bekim Isufin?

Ishte vërtet surprizë, sepse nuk e mendoja që do të kishim trajner këtu në Kosovë profesor Ilir Dajën. Kur e dëgjova që do të vinte, m’u bë shumë qejfi, sepse e njoh dhe e di se çfarë trajneri është. Tanimë ja ku jemi, arritëm të fitonim titullin për qytetin e Suharekës.

Të flasim pak për Teutën, ekipin e vendlindjes ku ju fituat gjithçka. Si e keni parë këtë sezon, ku skuadra ka vuajtur më shumë se kurrë largimin tuaj dhe të Arapit, që tani e drejton nga pankina?

Normalisht që e kam ndjekur Teutën, pasi është ekipi i zemrës sime dhe kudo të jem, unë do ta shikoj gjithmonë, plus që kam aty ende edhe miqtë e mi. Mendoj se ka bërë një sezon me luhatje, por në këto ndeshjet e fundit shoh një ndryshim dhe rritje në lojën e Teutës. Kam parë që po luajnë rrjedhshëm dhe janë një ekip më ofensiv. Tani po dallohet edhe dora e Renato Arapit, pasi donte kohën e vetë si vit i parë në trajning. Duket qartë që idetë e tij tashmë po vihen në zbatim dhe shpresoj që të vazhdojnë kështu si këto ndeshjet e fundit. Mbijetesën nuk e diskutojnë, por më erdhi keq që nuk arritën të fitonin në Tiranën, sepse mund të merrnin diçka më shumë. Gjithsesi, i uroj ekipit dhe shokëve të mi suksese në ndeshjet e mbetura.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, do të vazhdoni te Ballkani?

Jemi në përfundim të sezonit dhe falë Zotit objektivin e kemi arritur. Jam shumë i lumtur që kënaqëm qytetarët e Suharekës. I falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur gjatë këtij sezoni. Për të ardhmen ka kohë për të menduar, tani duam të shijojmë këtë sukses.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"