EKSKLUZIVE/ Super Liga pasoja për Shqipërinë, rrëfehet anëtari i ECA-s: Do të sillte kaos! Ja si ndikon direkt në klubet tona (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2021 | 0:45

EKSKLUZIVE/ Super Liga pasoja për Shqipërinë, rrëfehet anëtari i ECA-s: Do të sillte kaos! Ja si ndikon direkt në klubet tona (E PLOTË)

Partizani pas rikthimit të titullit kampion pas 26 vitesh mungesë, në shtator 2019 u pranua si anëtar me të drejta të plota në ECA (Shoqata e Klubeve Europiane). Në asamblenë e përgjithshme të atij viti, ku edhe u pranuan, të kuqtë u përfaqësuan nga sekretari i përgjithshëm i klubit, Gerald Burba, i cili më pas ka marrë pjesë si për përfaqësues i Partizanit edhe në takime të tjera të kësaj shoqate. 

gerald-burba-470x458

Përveç Partizanit, anëtare të ECA-s janë edhe Kukësi me Vllazninë. Më herët ka qenë pjesë edhe Skënderbeu, por që është përjashtuar pas ndëshkimit të rëndë që iu dha nga UEFA. Burba është një jurist me përvojë dhe i njeh mirë edhe “ligjet” e futbollit. Në cilësinë e anëtarit të ECA-s ai thotë se klubet iniciatore mund ta çojnë deri në fund nismën e tyre, por kjo do të kishte efekte dërrmuese për shumicën e klubeve të vogla, kryesisht nga vende me ekonomi të dobët. Gerald Burba shpjegon për “Panorama Sport” se përse Super Liga mund të prekë direkt edhe futbollin shqiptar dhe mund ta dëmtojë rëndë atë.

Ç’mendim keni për krijimin e “Super League”?

Lajmi për krijimin e Super Ligës Europiane sigurisht që do të ketë një impakt të rëndësishëm në futbollin europian. Është një nismë që qartësisht do të shndërrojë fytyrën e kompeticioneve të organizuara nga UEFA për klubet. Nëse deri më tani UEFA Champions League mban në mënyrë të padiskutueshme fronin e kompeticionit më prestigjioz në rang klubesh, me krijimin e Super Ligës Europiane kjo balancë mund të ndryshojë. Të mos harrojmë që nismëtarët e këtij kompeticioni të ri janë 12 klube që kanë fituar bashkërisht 99 trofe të rëndësishëm europiane dhe gëzojnë tifozërinë dhe shikueshmërinë më të lartë, jo vetëm në rang evropian, por dhe në atë global.

Çfarë efekti ka kjo, sipas jush, në futbollin europian?

Efekti i menjëhershëm i krijimit të këtij kompeticioni të ri të pavarur nga UEFA do të ndihet në financat e përfitueshme nga klubet pjesëmarrëse në UCL, UEL si dhe në kompeticionin më të ri, UECL. Me largimin e klubeve më prestigjioze nga këto kompeticione, natyrisht që edhe vlera e kontratave për të drejtat televizive dhe atyre të përfitueshme nga marketingu do të reduktohen ndjeshëm.

Cila është arsyeja kryesore, sipas jush, që 12 klube të mëdha europiane vendosën të ndërmerrnin këtë nismë?

Arsyeja se përse 12 klubet më të rëndësishme europiane kanë marrë këtë iniciativë është e kuptueshme. Për mendimin tim klube të tjera në nivele të ngjashme mund t’i bashkohen kësaj nisme në javët apo muajt në vijim. Bëhet fjalë për interesa thellësisht ekonomikë që lidhen me të ardhurat e përfitueshme nga të drejtat televizive dhe atyre nga marketingu.

Nëse për kompeticionet e organizuara nga UEFA këto të ardhura menaxhohen dhe shpërndahen nga kjo e fundit, sipas një parimi ku duhet të përfitojnë në mënyrë solidare të gjitha klubet, me krijimin e Super Ligës Evropiane të drejtat televizive do të negociohen, menaxhohen dhe shpërndahen ekskluzivisht direkt nga klubet pjesëmarrëse, duke bërë që përfitimet e tyre të jenë shumë më të larta nga sa përfitojnë aktualisht përmes mekanizmit të UEFA-s.

A mund ta çojnë ato deri në fund këtë aventurë?

UEFA Champions League është një markë, vlera e të cilës rritet ose ulet në varësi të cilësisë së garës që organizon. Në realitet problematika qëndron në mekanizmin e pjesëmarrjes në kompeticion, e cila është thelbësisht vullnetare, por me kushte të paravendosura.

Me pak fjalë, në rast se një klub është i vetëdijshëm për mosplotësimin e kushteve zgjedh të mos aplikojë, kjo automatikisht më pas sjell vetëm zënien e këtij vendi në Europë nga klubi i renditur i dyti më i mirë, por jo përjashtimin nga kompeticion kombëtar. Në këtë kuptim, sipas meje, nuk ka asnjë pengesë ligjore që kjo nismë të mos realizohet. Në deklaratat e UEFA-s, që duket sikur është kapur në befasi të plotë nga kjo nismë, paralajmërohen klubet iniciatore të këtij kompeticioni të ri se do të përjashtohen.

Po në ECA, ku edhe klubi juaj është anëtar, çfarë po ndodh?

Edhe ECA duket sikur është kapur totalisht e papërgatitur nga kjo situatë, edhe pse një pjesë e drejtuesve kryesorë të saj janë pikërisht përfaqësuesit e këtyre 12 klubeve që kanë marrë nismën e Super Ligës Europiane. Në komunikatën zyrtare të kësaj shoqate është dhënë mbështetje për kompeticionet e organizuara nga UEFA duke u distancuar kështu nga kjo nismë e re. Të 12 klubet e mësipërme kanë dhënë dorëheqjen nga kjo shoqatë, e cila pritet të riorganizohet në ditët në vijim

Po në Shqipëri çfarë efektesh mund të ketë?

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në çdo kampionat tjetër në të cilin klubet varen thuajse në mënyrë jetike nga të ardhurat e kompeticioneve europiane, efekti do të jetë tepër negativ. Në vlerësimin tim fillestar në lidhje me këtë çështje, siç e thashë edhe më lart, UCL dhe UEL do të humbasin jo vetëm prestigjin e tyre si kompeticione, por edhe të ardhura marramendëse. Rrjedhimisht edhe të ardhurat që do të përfitojnë klubet e vogla do të jenë goxha të reduktuara. Këto janë çështje që do të shihen më qartë në vijimësi, por sipas meje fatkeqësisht futbolli që njohim nuk do të jetë më i njëjti.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"