EKSKLUZIVE/ Sulmi “zjarr”, Kapllani: Manaj po e kërkon me “dhunë” një vend në listë, ja kush shkon në Europian (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 23:23

EKSKLUZIVE/ Sulmi “zjarr”, Kapllani: Manaj po e kërkon me “dhunë” një vend në listë, ja kush shkon në Europian (E PLOTË)

Edmond Kapllani ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, duke qenë edhe autori i 6 golave ndër vite me fanellën kuqezi.

Kapllani

Duke u rikthyer të japë opinionet e tij në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ishsulmuesi thotë se Rei Manaj po e kërkon me “dhunë” një vend për në listën e Europianit. Ai mendon se këto dy miqësore do të jenë një mundësi për lojtarët që nuk kanë minuta dhe Silvinjo do t’i shohë, këtu përmend Brojën dhe Kumbullën. Kapllani shprehet se trajneri nuk do të bëjë shumë ndryshime këtë herë, sidomos në lojtarët e krahut, ndërsa e ka një koment për Arbër Hoxhën dhe për sulmuesit që mendon se do të marrë Silvinjo në Europianin e Gjermanisë, aty ku ish-sulmuesi jeton aktualisht.

Kapllani, si ju është dukur lista e Kombëtares shqiptare për këto dy miqësore?

Duke parë edhe konferencën për shtyp që trajneri dha, ka marrë dy sulmues që t’i provojë, t’iu japë shansin nëse janë apo nuk janë gati për në Gjermani. Kështu ishte disi e pritshme, sepse edhe lojtarët që janë thirrur, po kalojnë formë të mirë me skuadrën e tyre. Është logjike që Silvinjo si një selektor që është, t’iu japë mundësinë.

E kishit menduar se një ditë Shqipëria do të arrinte të grumbullonte 9 sulmues?

Sepse këtu fusim edhe Seferin apo Asanin, të cilët janë lojtarë krahu. Unë po them për sulmuesit para, që janë Cikalleshi, Rei Manaj, Broja. Konkurrenca është diçka e mirë. Mund të them se Manaj po e kërkon me ngulm Kombëtaren, po bën një sezon shumë të mirë atje në Turqi. Kështu në këto dy ndeshje miqësore, do t’i jepet mundësia që të tregojë veten. Edhe Silvinjo të ketë një arsye për ta marrë me vete në Gjermani. Po të bëjë dy ndeshje të mira, pse jo edhe të shënojë, besoj se do të jetë në Europian.

Po Broja?

Duke parë Brojën, sepse tashmë ka ndërruar ekip. E shoh ndryshe nga profili i Rei Manajt. Por, Broja nuk po kalon një sezon të mirë atje të Fullhemi. Pas dëmtimit, ka të bëjë shumë edhe minutazhi që një sulmues merr. Është shumë e rëndësishme. Mbetet për t’u parë.

Edmond-Kapllani

Mendoni se Silvinjo do të bëjë shumë ndryshime në këto dy ndeshje miqësore?

Nuk besoj se do të ketë ndryshime te lojtarët sulmues të krahut. Besoj se i kemi shumë lojtarë të mirë. Kemi Asanin, Uzunin, Seferin, Muçi po ashtu. Ndoshta ia ka dhënë mundësinë për ta parë dhe vetëm nëse do të na surprizojë të gjithë shqiptarëve me paraqitjen e tij, atëherë mund të jetë kandidat serioz për në Europian.

Edhe pse është herët, si një ish-sulmues i Kombëtares, kë mendon Kapllani se do të marrë Silvinjo në Europian nga sulmuesit që ka në dispozicion?

Si sulmues unë them se do të jetë Cikalleshi, Broja gjithashtu them se do të jetë. Rei Manaj po e kërkon me “dhunë”. Unë e shoh se edhe ai duhet të jetë, të paktën me atë performancë që po tregon atje në Turqi. Siç thashë, po flasim pak herët, pasi ka ende kohë përpara dhe janë edhe disa ndeshje para.

Shqipëria do të luajë dy miqësore pak ditë më vonë, me Kilin më datë 22 mars dhe Suedinë më 25. A mendoni se këto ndeshje do të jenë përcaktuese për listën finale që trajneri do të bëjë për Europianin e Gjermanisë?

Jo, mendoj se nuk do të jenë përcaktuese.

Por, a do të ndajnë disa dilema që braziliani mund të ketë?

Dilema se di. Gjasula nuk është këtë radhë. Këto miqësore, janë dy ndeshje ku trajneri do t’i japë mundësi Brojës, sepse ai nuk ka minutazhin e duhur. Do t’i japë mundësinë Kumbullës, sepse e ka thirrur dhe e shoh që nuk ka luajtur në Itali.

Këta janë lojtarë që Silvinjo do t’i shohë dhe i ka në orbitën e tij. Plus, edhe Arbër Hoxha që vjen për herë të parë, mendoj se do ta aktivizojë një pjesë loje. Bazën mendoj se do ta ketë me lojtarët që kishte në kualifikuese sepse në fund të fundit, nuk mund të ndryshosh 8 lojtarë nga 11 gjithsej në një formacion. Do të ketë ndryshime, por jo të shumta. Ky është mendimi im, të paktën si e shoh nga jashtë.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"