EKSKLUZIVE/ Starti fantastik i Erzenit, drejtori Ervis Xhafa: Ju tregoj “sekretet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2022 | 20:19

EKSKLUZIVE/ Starti fantastik i Erzenit, drejtori Ervis Xhafa: Ju tregoj “sekretet”

Erzeni bëri praktikisht një mrekulli në 12 javët e para të këtij kampionati, duke grumbulluar 20 pikë dhe duke u pozicionuar në vendin e tretë. Ky start është historik për skuadrën shijakase, pasi nuk ka qenë asnjëherë në këto nivele në dy pjesëmarrjet e mëparshme në elitën e futbollit shqiptar. Për sekretet e skuadrës, menaxhimin e saj, por jo vetëm, ka folur dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” drejtori i shijakasve, Ervis Xhafa. Erzeni mori edhe një lajm të mirë të shtunën, kur Këshilli Bashkiak i Shijakut miratoi dhënien në përdorim të stadiumit për Shoqatën e Klubit të Futbollit. Kjo i hap rrugën investimeve në stadiumin “Tofik Jashari”, në mënyrë që në një të ardhme të afërt Erzeni të luajë në shtëpinë e vet dhe jo në Durrës.

Ervis Xhafa

Zoti Xhafa, si do ta përshkruanit këtë nisje të Erzenit?

Kjo nisje sezoni është rrugëtimi më i bukur i këtyre 91 viteve histori të Erzenit të Shijakut dhe një shpërthim i emocioneve, mundit, sakrificës që është dhënë për këtë klub. Personalisht jam njeriu më me fat që jam pjesë e kësaj familjeje dhe e kësaj fryme. E ndiej veten si shërbëtori numri një i ekipit tim të zemrës, Erzenit.

Duke qenë se u organizuat me vonesë, cili ishte sekreti i merkatos në kohë rekord dhe faktit që ndërtimi i ekipit rezultoi i suksesshëm?

Kjo është e bukura e jetës. Jo gjithmonë vijnë gjërat siç i duam. I tejkaluam disavantazhet që kishte Erzeni në ato momente dhe bëmë maksimumin tonë në menaxhimin e situatës: koordinim, negocim dhe trajtimin e çdo rasti që na vihej në dispozicion në mënyrën më profesionale të mundshme. Pjesa tjetër i mbetet historisë.

Janë tejkaluar të gjitha pritshmëritë?

Pa diskutim që janë tejkaluar pritshmëritë, pasi nga 12 javë që janë zhvilluar kemi marrë 20 pikë dhe ndoshta mund të kishim më shumë, nëse do të ishin më të drejta gjykimet në ndeshjet tona.

Cili është objektivi i vendosur nga klubi?

Kishim objektiv të ndërtonim ekip me dinjitet, të ishim kockë e fortë për kundërshtarët dhe të dhuronim lojë të bukur e korrekte. Të gjitha këto i arritëm deri diku dhe rezultatet erdhën më pas. Tashmë fokusi dhe të gjitha energjitë janë te ndeshja e radhës ndaj Partizanit.

Çfarë do të presim nga Erzeni në vazhdim?

Do të vazhdojmë siç e nisëm, me shpirt, karakter, personalitet, grintë dhe frymë grupi. Do të mbetemi deri në fund me këmbë në tokë.

Ka të reja nga ana infrastrukturore?

Së fundmi kaloi në këshillin bashkiak marrëveshja e shoqatës Erzeni me Bashkinë Shijak për rikonstruksionin e stadiumit “Tofik Jashari”. Ky është një lajm shumë i mirë për Shijakun tonë të bukur.

Çfarë keni programuar në këtë periudhë pauze?

Kemi menduar të zhvillojmë një ose dy ndeshje miqësore.

Duke qenë se jemi pranë merkatos dimërore, i keni nisur lëvizjet?

Këtë do t’ia lëmë momentit. Tani kryesore për ne është uniteti dhe fryma e grupit. Po bëhet një punë e jashtëzakonshme nga donatorët, stafi, drejtuesit dhe lojtarët.

Ndonjë mesazh të fundit?

Një falënderim shumë i madh për lojtarin e 12-të tonin, tifozët e zjarrtë të Erzenit, që na kanë mbështetur kudo me shumë zemër.

R. FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"