EKSKLUZIVE/ Starova: Partizani në vitin e titullit, Tirana nuk më bind (e plotë)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2018 | 22:00

EKSKLUZIVE/ Starova: Partizani në vitin e titullit, Tirana nuk më bind (e plotë)

Sulejman Starova flet ndryshe këtë herë. Duket më i largët me Shqipërinë, më i hidhur me mënyrën se si funksionon futbolli sot në vendin tonë, por ka një ide fikse në kokë se si mund të ndryshojnë gjërat. “Liga Profesioniste. Vetëm Liga mund ta kthejë futbollin në binarët e duhur. Përndryshe do të vazhdojë ta vendosë çdo gjë federata.

Siç ka bërë deri tani. Kur i vodhi pa mëshirë titullin Partizanit dy vite më parë, tani nuk ka frikë të bëjë asgjë”, thotë “bobi” për “Panorama Sport”. Te Feronikeli thotë se do të luftojë për titull, por ndihet më i gjallë aty, më shpresëdhënës se ata. Pra, shqiptarët e anës tjetër mund t’i bëjnë gjërat më mirë seç i kemi bërë ne këtej.

starova duka

Kur ju kanë zhgënjyer për herë të parë?

Zhgënjimi i parë ishte kur bëra atë president (Dukën). Ai filloi të thoshte më pas ky është për trajner, nuk është për sekretar.

Po më pas?

Po, një zhgënjim tjetër i madh ishte edhe që bëra një skuadër për të dalë kampion dhe nuk ma ditën. Nuk ma ditën ashtu si duhet dhe nuk besoj se u vlerësova për këtë.

E keni fjalën për Partizanin apo jo?

Po.

Po çfarë zhgënjimi keni aty?

Shikoni, unë e kam veshur për herë të parë fanellën e Partizanit me “Fatosat”. Nga fatosat e thjeshtë, sërish me fanellën e Partizanit edhe te fatosat te “Pallati i Pionierëve”. Pastaj shkova te Shkëndija. Isha shtatë vite lojtar dhe tifoz i Shkëndijës. U riktheva te Partizani dhe aty kalova 30 vite të tjera të jetës sime. Nuk ka asnjë njeri sot te Partizani që të ketë kaq vite. Nuk e do Partizanin askush më shumë se ai që ka kaluar gjithë jetën e vet aty. Po, kam dashur edhe Vllazninë sepse kam veshur katër herë fanellën e tyre në Kupën Ballkanike. Edhe Besën e dua sepse kam veshur fanellën e atij ekipi dhe kam ngrënë bukë në Kavajë. Te Teuta gjithashtu kam punuar dhe kam kaluar vite të mira, por kam edhe shumë miq në Durrës. Jam i lidhur edhe me Kukësin, sepse shkuam deri në “play-off” dhe ishte diçka e paharrueshme. Në gjithë këto eksperienca kam marrë shumë kënaqësi dhe kam pasur edhe shumë zhgënjime. Ndonjë qejfmbetje tani edhe e kam. Nuk bëhem dot hipokrit ta mohoj këtë. Aty zhgënjehesh me një sistem që është i kalbur, që vendos se kush del kampion, kush shkon në Europë dhe kush bie nga kategoria.

Vazhdoni të jeni i këtij mendimi, pra që këtu verdiktet e sezonit paracaktohen?

Po, pa dyshim që po. Shkruaje kështu si të them. Pa zbukurime. Në një errësirë të plotë që është krijuar në Shqipëri, ju keni detyrën t’i pasqyroni mirë gjërat.

Pse, kur është censuruar ndonjëherë Starova në “Panorama Sport” dhe kur e kemi fshehur ndonjëherë të vërtetën?

Nuk thashë këtë. E thashë në parim që media, por sidomos gazeta juaj, t’i thotë gjërat troç. Më duket ndonjëherë e vetmja dritare që hedh dritë mbi errësirën. Prandaj them që aty titulli paravendoset dhe shumë gjëra të tjera. Por, nuk e fsheh se media, sidomos disa portale në Tiranë e ekzagjerojnë me mënyrën se si i trajtojnë gjërat. Rasti i fundit që më mërziti shumë, ishte mënyra se si ishte trajtuar një miqësore e Feronikelit me Teutën.

Çfarë nuk ju pëlqeu juve?

Shikoja në disa portale: ‘Starova mund Shkëmbin’, ‘Starova leksion Shkëmbit… ‘. Kjo të mërzit shumë. Ne luajmë miqësore këtu për të testuar skuadrën dhe rezultati është i fundit që mendojmë, ndërsa aty kanalizohet gjithçka mes dy trajnerëve. Shkëmbi është djalë i ri, pa përvojë, i fusin ca kunja që tani që nuk shkojnë hiç.

Tani jeni bërë edhe kritik mediash ju Starova… ?

Nuk marr përsipër të jap leksione për median jo, por kur e ekzagjeroni, nuk kam pse të rri gojëkyçur.

Të kthehemi te futbolli, te Shqipëria… Çfarë ndodh këtu, sepse ndonjëherë duket sikur ndryshojnë shumë gjëra, por mbetemi njësoj si më parë?

Po ta nis me Partizanin, ekipin tim. Shoh komente tifozësh që shfryjnë pa fund, a thua se deri tani nuk është bërë punë. Por, për fat të keq harrojnë. Harrojnë shumë shpejt që ne na u vodh kampionati para syve të të gjithëve. Harrojnë që u ndërtua një ekip fantastik. Po, more po, me ata njerëz që sot edhe i shajnë. Me Genc Tomorin me shokë, sepse Genci dhe të tjerët e dinë mirë psikologjinë e Partizanit dhe dinë si të punojnë.

Çfarë nuk shkon te Partizani?

Së pari është presioni i jashtëzakonshëm. Tifozët e kanë vënë skuadrën dhe klubin në një trysni të paparë për shkak të mungesës së gjatë të titullit. Në këto kushte, aty skuadra vihet në presion ende pa nisur kampionati dhe më pas çdo gjë bëhet e vështirë. Duhet të krijojnë klimën e duhur dhe të heqin dorë nga ky lloj presioni, sepse e dëmton shumë ekipin. Edhe diçka tjetër: pse nuk thonë tifozët që “na u vodh kampionati”, por shajnë Gaz Demin, Sulën, tjetrin e tjetrin. Janë hedhur miliona, duhet ta kenë të qartë këtë, por titulli në Shqipëri nuk është vetëm çështje meritash sportive. Prandaj është krijuar edhe një lloj kaosi herë pas here, sepse lojtarët vijnë nga ambiente të ndryshme dhe kanë nevojë për qetësi dhe siguri. Ndryshe nuk e japin dot më të mirën.

Si zgjidhet kjo punë?

Kjo zgjidhet vetëm kur të bëhet Liga Profesioniste. Kur ta marrin situatën nën kontroll presidentët e klubeve. Në një afat kohor të shkurtër, Liga ka për ta bërë kampionatin spektakël. Do të limitojë ndikimin e FSHF-së në shumë sektorë, presidentët do të kenë më shumë fuqi dhe do të kontrollojnë më mirë investimet e tyre. Por, do të ketë më shumë kontroll edhe për FSHF-në për fondet që vijnë nga UEFA. Do të ketë më shumë transparencë dhe më shumë besim edhe te tifozët. Vetëm kjo i zgjidh gjërat dhe kthen normalitetin në futbollin tonë.

Këtë sezon, përjashto Ilir Dajën dhe Cungun, i kemi thuajse të gjithë trajnerët debutues në ekipet e tyre. A ndikon kjo për mirë apo për keq te klubet?

Për kë e keni fjalën më konkretisht?

Për Gegën, Shkëmbin, Shehin, Kostiçin, Ze Marian, Devollin, Plorin…

Eh, interesant si detaj, por gjithsesi ata kanë eksperienca të mëparshme. Ndoshta mund të jetë edhe më mirë. Mund të sjellin një frymë të re edhe një risi. Të presim dhe të shohim. Unë nuk shoh asgjë të keqe këtu dhe as ka ndonjë arsye për t’u shqetësuar.

Po fakti që janë ndërruar pothuajse të gjithë trajnerët?

Kjo, po që është problem. Klubet punojnë me afate të shkurtra dhe pa planë afatgjata.

Si ju duket Partizani i këtij sezoni?

Duhet ta nisë me qetësi. Këtë vit i ka kushtet për të dalë kampion. Ose i ka këtë vit, ose nuk i ka më asnjëherë.

Pse jeni kaq i bindur?

Sepse Skënderbeu nuk është më i pari. Dhjetë vite i dënuar jashtë Europës…

Po Kukësin pse e nënvlerësoni?

Kukësi është pretendent, pa dyshim. Por, ka bërë disa ndryshime që mua nuk më duken “top”. Është larguar Guri, një pikë referimi, por edhe disa lojtarë të tjerë që kishin krijuar një format interesant.

Çfarë mendon për rikthimin e Cungut?

Shumë mirë ka bërë. Më pëlqen që është kthyer. Ka eksperiencë, është rikthyer në një klub që e njeh ambientin. Pati zhgënjime atje ku ishte (te Vllaznia), por është çun i ndershëm dhe punëtor. Tifozët e duan. Ka shumë gjëra pozitive dhe mendoj se do të jetë në garën për titull.

A ka shanse Kukësi të përsëritë suksesin që patët ju së bashku me Cungun disa vite më parë?

E dëshiroj shumë. Madje, të shkojë më larg se aq. E dëshiroj shumë se rruga për në Kosovë kalon në Kukës dhe unë aty kam shumë miq të mirë. Safeti po të kishte pasur kohë më shumë, do kish bërë një superskuadër, sepse ai arrin të bëjë super skuadër, por ka pasur pak kohë në dispozicion.

Po Tirana?

Tirana ka pasur kohë plot të bëjë një skuadër për titullin kampion. E ka pasur që nga fillimi i sezonit të shkuar, sepse në fakt dihej që ata do të ngjiteshin një kategori më lart. Por, gjatë asaj kohe mund të kishin punuar më mirë për ta ndërtuar skuadrën për titull. E kam fjalën një ekip që të bindë plotësisht. Por, nuk ka pasur ndonjë “bum” të madh. Gjithsesi janë për titull, por duhen parë.

Po Flamurtari?

Nuk e shoh për titull. Dakord, kanë financat e garantuara dhe një buxhet të fuqishëm, por deri tani nuk kam parë ndonjë lëvizje të madhe.

Ç’mendim keni për Gegën?

E përsëris: tifozët, nëse do të kishin menduar se e fituan një titull, por iu vodh, do të kishin hequr nga mendja padurimin për fitimin e një titulli. Pas asaj që më ndodhi mua, ndoshta edhe presioni do kish qenë më i vogël, sepse do të ishin të bindur se e kishin një ekip që kishte arritur sportivisht majën, dhe me kalimin e viteve do ta merrnin edhe trofeun. Por, le të kthehemi te Gega: është i ri, ka mundësi dhe dëshirën që të bëjë mirë, kështu që pse jo. Duhet t’ia japin dorën. Por, duhet të kenë durim me të. Të mos përsëritet rasti i Agostinelit, apo i Sormanit. Ky i fundit erdhi në moment të gabuar dhe e vuajti këtë gjë. Por, ishte trajner i zoti, ishte trajner i mirë dhe mua më kishte bindur me aftësitë e tij. Ndërsa, Agostineli e mori ekipin me 40 pikë në dy fazat e para, por në fund rrëshqiti 7 pikë. Ndërsa, kur e mori Sormani, skuadra ishte e coptuar dhe për fatin e mirë u bë përnjëherë. U gjet Ekubani në momentet e fundit dhe më pas erdhi edhe Torasa. Dhe megjithëse ekipi u bë solid, Sormani u sulmua në katër javët e para pa mëshirë. Imagjinoni, e sulmonin edhe për Mazrekajn, që ato kohë kishte problem serioze me dëmtimet. Skuadra dhe klubi përjetuan një trysni të paparë. E megjithatë, pas ikjes së Sormanit, skuadra u bë për kampion dhe doli kampion, por na vodhën. Por, të gjitha këto i harrojnë njerëzit dhe i mëshojnë vetëm faktit që ekipi ka 5 vite që është rikthyer në Superiore dhe nuk merr titullin. Ky lloj presioni është gati një çmenduri.

Kush është pengu më i madh në karrierën tuaj si trajner?

Pengu më i madh është që më vodhën kampionatin. Jam unë ende që e kam rekordin te Partizani, sepse e kam fituar për herë të fundit. Por isha duke e fituar edhe para dy sezonesh, por ja që nuk na lejuan. Ishte dëshpërim i madh ajo vjedhje që na bënë. Duhej ta kisha fituar atë titull dhe më pas do të kisha vdekur rehat. Ishte padrejtësi e madhe.

Çfarë ju bën më shumë përshypje sot nga futbolli në Shqipëri?

Që është në nivel të frikshëm sa i përket besimit. Fakti që sot kampionati dhe kupa nuk kanë sponsor, tregon se çfarë besimi e rrethon këtë aktivitet dhe këtë biznes. Por, nëse i marrin frenat në dorë presidentët e klubeve, keni për të parë spektakël. Ua siguroj!

Diçka edhe rreth kombëtares. A rrezikon Panuçi në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve?

Po pse të rrezikojë, sepse ka humbur dy miqësore? Kjo është pa kuptim. Ai dhe çdo trajner tjetër ka të drejtën e zotit që të eksperimentojë në miqësore dhe të provojë lojtarë pa e vrarë mendjen për rezultatin, por për konsolidimin e skuadrës dhe gjetjen e alternativave. Pastaj njerëzit e kanë memorien e shkurtër.

Pse e thoni këtë?

Sepse De Biazi, ai pra që u bë hero, ka bërë gallatë dy sezone. Jo një, por dy sezone. Gjysmën e sezonit të parë që qëndroi dhe më pas një edicion të plotë ku nuk arriti asgjë. Nuk kishte asnjë objektiv. Frytet i mori në sezonin e tij të tretë dhe shkuam aq larg. Tani Panuçi ka gjetur një skuadër që kërkon rinovim, me lojtarë që disa janë të ngopur dhe disa të tjerë që nuk janë ende gati. Ndaj duhet lënë i qetë. Dakord, më thonë se Panuçi nuk ka një raport ideal me lojtarët dhe harmonia lë për të dëshiruar, por këto janë thashetheme. Nuk dua të hyj në analizë të tillë. Panuçit i kërkohet llogari për ndeshje zyrtare. Mos e paragjykoni.

Cila është krenaria juaj më e madhe?

Që kam lënë gjurmë kudo ku kam shkuar. Pavarësisht se ika nga federata, kam përjetuar eksperienca që më kanë dhënë kënaqësi dhe jam bërë me miq të tjerë. Të gjithë e dinë se kam dhënë gjithçka nga vetja për punën që kam marrë përsipër. Jam krenar që kam punuar në të kaluarën me figura të shquara si Osman Reçi, Gani Merja. Por kam punuar edhe me të tjerë si Zyber Konçi, Bahri Ishka dhe Shyqyri Rreli. Bujar Shehi, Bejkush Birçe, Xhep Spahiu, etj.

JETMIR HALILAJ

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë, do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"