EKSKLUZIVE/ Starova: Partizani ka ulur tonet, nuk i duhet “bomber”. Tirana s’është për mbijetesë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 23:42

EKSKLUZIVE/ Starova: Partizani ka ulur tonet, nuk i duhet “bomber”. Tirana s’është për mbijetesë (E PLOTË)

Sulejman Starova është i mendimit se Partizanit nuk i nevojitet një sulmues për titullin. Sipas “bobit”, një bomber i ri në ekip mund të prishë balancat dhe t’i ndërpresë hovin bardhit. Por ish-trajneri i Partizanit, Tiranës, Besës, Teutës dhe Kukësit i bën një analizë të detajuar Superiores dhe thotë se konkurrenca është ulur ndjeshëm. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai fajëson drejtuesit dhe Ze Marian për kizën e Tiranës, por është i bindur se bardheblutë nuk do jenë për mbijetesë.

starova

Cili është opinioni juaj për këtë sezon të Superiores?

Nga ana teknike ka njëfarë rënieje. Po ta marr nga Kukësi. Pati problemet e veta, sepse erdhi austriaku, iku ai më pas dhe u bënë shumë ndryshime në skuadër. Por kjo nuk e forcoi duelin e titullit. Sot Partizani dhe Skënderbeu janë shkëputur ndjeshëm. Kukësi u bë kantier ndërtimi dhe ishte e pritshme të kalonte ngërçin që po kalon. Dëmtimi i Musollit u prishi shumë punë.

Po Partizani?

Partizani është ai i vitit të kaluar, por me disa përforcime, kryesisht të rinj. Së bashku me Skënderbeun kryesojnë, sepse edhe korçarët e kanë ruajtur bërthamën e grupit. Dikush mund të thotë se Skënderbeut i kanë ikur lojtarë, por unë them se pjesa dërrmues e grupit të kaluar e ka ndihmuar ekipin që të qëndrojë solid. E kam fjalën për Ditën, Alitin dhe Gripshin që janë shndërruar në titullarë. Por aty janë edhe Radas, Vangjeli, Muzaka etj. Kanë marrë Bregun, që në ndeshjen e fundit ishte më i miri. Kjo është arsyeja se përse Skënderbeu ruan hapin.

Teuta?

Po, Teuta është bërë një skuadër më serioze në krahasim me vitet e kaluara. Është një skuadër më e mbledhur. Por dua të rikthehem te gara dhe niveli i skuadra saj. Unë jam i mendimit se me kaq shumë trajnerë të rinj dhe me kaq shumë të formatuara nga e para, ka pasur një ndryshim që nuk e ka ndihmuar edhe aq shumë aspektin teknik dhe konkurrencën. Është logjike, sepse trajnerët e rinj duan kohë.

A duhej të ishte ndryshe, pra që rikthimi i Tiranës ta shtonte konkurrencën?

Patjetër që po. Ze Maria bëri premtime të mëdha, duke thënë vazhdimisht se skuadra do ta shihte kthesën pas dy javësh dhe pas tri javësh, por në fund rezultoi se ky ekip nuk ishte gati për të qenë konkurrues për vendet e larta.

Vetëm faji i Ze Marias ishte? Ai kërkoi vazhdimisht një sulmues dhe një mbrojtës që nuk i erdhën…

Tani, qartazi Tirana nuk ishte ndërtuar mirë. Paratë ishin hedhur, por nuk e di se kush e ka bërë merkaton e tyre. Në dijeninë time ka qenë trajneri që ka sjellë lojtarët e parë gjatë sezonit që shkoi, më pas e morën në dorë persona të tjerë. Fakti është që ata që e ndërtuan në këtë mënyrë kanë përgjegjësi direkte. Ze Maria ka përgjegjësi nga ana tjetër që mori përsipër të ndërtonte një ekip konkurrues me lojtarë që ndoshta nuk ishin të duhurit.

Teknikisht, sipas jush, kush është problemi i kësaj skuadre?

Mbrojtja si fillim. Nuk mund të pësojë 16 gola një skuadër si Tirana. Është baras me ekipet e fundit që rrezikojnë kategorinë… Kështu pra, pas Kukësit ka dalë jashtë loje edhe Tirana si pretendente për titullin. Kjo e ul konkurrencën për titull.

Pse e përjashtoni Flamurtarin?

Flamurtari pati tendencën që të bëhej skuadër, por nuk më duket se ia ka arritur qëllimit, sepse është njësoj si një vit më parë. Ose pak më mirë…

Nuk ka bërë efekt as Daja?

Daja la Skënderbeun dhe shkoi sërish te luksi. Shkoi aty ku ishin milionat që të bënte skuadrën e duhur për titullin, por nuk mundën t’i vinin në dispozicion të gjithë lojtarët që ai kërkoi. Megjithatë, ka më shumë shanse tani për Europën, sepse ka rënë konkurrenca.

Cilën shikoni si skuadrat që mund të kapin Europën?

Saktësisht nuk mund ta themi, por përveç Skënderbeut që është i dënuar, kam bindjen se gjithçka do të luhet mes Partizanit, Kukësit, Laçit, Teutës dhe Flamurtarit.

Kush do ta rrezikojë deri në fund mbijetesën sipas jush?

Besoj se do të luftojnë Kastrioti, Kamza dhe Luftëtari.

Po Tirana?

Jo, jo, Tirana do dalë nga treshja e fundit. Do ta kalojë këtë moment të errët.

Pse jeni kaq i bindur kur Tirana në këtë moment ka më pak pikë sesa vitin kur ra nga kategoria?

Lërini statistikat. Mos gjykoni vetëm me shifra, sepse nuk janë ato tregues të besueshëm. Kishte tjetër rivalitet dhe të tjera rrethana atëherë. Jam i bindur që Tirana nuk do ta diskutojë mbijetesën, qoftë edhe për kontingjentin e lojtarëve që ka. Po ju them edhe diçka tjetër: nuk kam parë asnjë skuadër si Tirana që të dominojë një kundërshtar ashtu siç bënë ata në Gjirokastër. Kjo më jep shpresë se Tirana e ka potencialin dhe mundësitë për ta kaluar krizën.

Në Shqipëri fitojnë skuadrat cinike si Partizani, Skënderbeu apo Teuta dhe humbin ato që luajnë bukur si Tirana apo Kamza… Pse ky paradoks?

Mbetemi te Tirana. Jam i bindur që Mema ndryshon shumë me Ze Marian. Nëse një trajner ka punuar mirë, atëherë pasardhësi i tij e ka të vështirë të bëjë diferencën. Por nëse një trajner ka punuar keq, atëherë duket menjëherë ndryshimi me këtë tjetrin që vjen. Ndryshimi duket: Tirana luan shumë mirë.

Luan mirë, por humbet…

Po, humbet, sepse skuadra bën disa gabime foshnjarake. E pashë me Luftëtarin, ishte duke fituar 1-0 dhe sërish sulmonte. Pa kuptim fare… ishte çështje e mungesës së eksperiencës.

Çfarë duhet të bëjë?

Të mos hyjë në çdo ndeshje për të fituar doemos. Kështu ka për t’i humbur të gjitha ndeshjet. Duhet të hyjë në fushë për të marrë një rezultat pozitiv dhe më pas gjatë ndeshjes t’i bëjë hyzmetin edhe fitores. Ndryshe nuk e përballon dot gjithë këtë presion.

Si ka mundësi që Skënderbeu me gjithë këto probleme që ka, skuadrat e mëdha sërish nuk e lënë dot pas? Korçarët sërish janë pretendentët kryesorë për titullin…

E vërtetë, por kjo e ka një shpjegim të thjeshtë. Përveç faktit që Skënderbeu e ka një grup lojtarësh të rëndësishëm të ruajtur nga vjet, ai ka një avantazh të madh: askush nuk i kërkon patjetër titullin. Ky është lehtësim i madh për çdo trajner dhe për çdo skuadër. Partizani shpeshherë vitet e fundit ka vuajtur pikërisht prej kësaj pritshmërie të madhe: ky është viti i duhur, hajt se erdhi koha etj., etj.. Por nuk i mohojmë dot se ka një grup lojtarësh cilësorë. Portieri ka cilësi, Radas, Vangjeli, Muzaka, Bregu, Gripshi, Aliti etj.. U duk sikur Skënderbeu u shpërbë, por jo, ata e ruajtën një pjesë të mirë të grupit me shpresën se KASi mund t’i falë. Mirë bënë, sepse kjo i ndihmoi shumë. E megjithatë, unë besoj se në një pikë të sezonit edhe ata do të vuajnë, sepse është logjika e futbollit.

Ka shumë nga ata që mendojnë se Partizanit i duhet një sulmues për titullin. Ju a jeni dakord me këtë konstatim?

Jo. Partizani mund ta fitojë titullin edhe kështu siç është. Çfarë problemi ka Bardhi? Kush është në krizë, Bardhi i Partizanit apo Krasniqi i Skënderbeut?! Bardhi është për bukuri, po shënon, po fitojnë. Të kuptohemi drejt: një sulmues që vjen dhe shënon gola menjëherë, është i mirëpritur, por kush ma gjen këtë tani në janar? Kush jep garanci për këtë? Kush e di se një sulmues tjetër nuk prish harmoninë e këtij ekipi që po funksionon? Ndaj edhe duhet që të bëhet kujdes. Të gjithë skuadrat e Superiores vuajnë për një sulmues goli sot, por që të gjesh një të tillë atij duhet t’i lësh dy vite kohë dhe jo ta fusësh nën presion që në ndeshjen e parë. Balancat në ekip janë të rëndësishme. Nuk e shoh as të nevojshme ndërhyrjen në sulm, sepse ndryshimet e mëdha u bënë vitin e kaluar në dhjetor. Tani skuadra po funksionon.

Pse ka shanse Partizani që të fitojë titullin?

Sepse ka bërë një ecuri të mirë deri tani. Ka një skuadër cilësore, ka më pak konkurrencë se në të kaluarën dhe kanë ulur edhe tonet me drejtuesit e garës. Për të gjitha këto arsye, mendoj se mund t’ia dalin mbanë.

A ka më shumë dashamirësi nga gjyqtarët kundrejt Partizanit?

Nuk i shoh arbitrat këtë vit si sezonet e shkuara. Nuk është ankuar asnjeri sepse nuk shoh më tendencë si dikur. Kur unë isha trajner dhe kanë ndodhur ato që i kanë parë të gjithë, unë i kam denoncuar me emra, sepse ata e kishin të shkruar në ballë. Megjithatë, duhet të presim, se këtu çfarë nuk ndodh dhe rrezikon të përsëritet historia…

Si ish-sekretar i FSHF-së, si ju duket situata në ekipet kombëtare?

Lexova që Duka do ndryshojë trajnerët e moshave dhe i ka vendosur ultimatum Panuçit për dy ndeshjet e radhës. Kjo nuk ka pikën e kuptimit, por çfarë të thuash në një federatë si kjo që është bërë tani.

Ku e keni fjalën?

Duka nuk është vetëm ai që firmos kontratat me trajnerët, por është ai që i përzgjedh trajnerët. Ka përgjegjësi direkte për zgjedhjet që bën. Po kujt i jep llogari ai? Askujt. Po të kishte një drejtori teknike që përzgjidhte dhe çonte te Komiteti Ekzekutiv dhe presidenti një listë me emra trajnerësh, atëherë edhe përzgjedhjet do të ishin më të pjekura. Ndërsa kështu nuk jep askush llogari. Nuk bën Ari Han, e heqim. Nuk bën Kuzhe, e heqim… Nuk bën Panuçi, e heqim…

Si ju duket Kombëtarja e Panuçit?

E gjithë Shqipëria e di se unë e kam mbështetur që në fillim, për shkak të ideve të tija për një futboll sulmues. Por së fundmi, realisht kam parë disa shenja jo të mira. Rasti më flagrant ishte aktivizimi i atij Vrionit me Izraelin. Djaloshi mund të luante pa pikë problemi, por ishte Jordania para dhe ishte miqësore. Me Izraelin në minutat e fundit duheshin dy sulmues qendrorë, ndërsa ai bëri atë lloj lëvizjeje. S’e kuptova…

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"