EKSKLUZIVE/ S’pranoi stolin, Xhekson pezullohet nga Luftëtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2018 | 12:25

EKSKLUZIVE/ S’pranoi stolin, Xhekson pezullohet nga Luftëtari

Xhekson Ferreira Silveiro thyen disi plinën dhe ndëshkohet rëndë nga klubi i Luftëtarit. Mbrojtësi i majtë brazilian, një prej zbulimeve të sezonit të kaluar te gjirokastritët, pasi e ka parë veten jashtë formacionit për ndeshjen e kthimit ndaj Ventspils, nuk ka pranuar të udhëtojë dje në drekë me autobusin e skuadrës drejt Elbasanit.

xhekson

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se braziliani i ka komunikuar stafit, se nuk është i gatshëm për këtë takim, duke mos pranuar më pas të hipi në autobus. Edhe pse shokët e skuadrës janë munduar ta bindin, duke filluar nga kapiteni Behar Ramadani, mbrojtësi ka qenë i vendosur për të mos udhëtuar. Menjëherë janë vënë në dijeni drejtuesit e klubit, të cilët në ato momente nuk kanë qenë të pranishëm në Gjirokastër, por në Elbasan, kur dhe sot në orën 20:00 do të luhet takimi i kthimit.  Burime në klub i treguan gazetës se për këtë veprim drejtuesit i kanë komunikuar brazilianit pezullimin pa afat nga skuadra dhe një gjobë prej mijëra eurosh.

xhekson bregu

Vendimi është ekzekutuar direkt, madje lojtari është njoftuar zyrtarisht me një shkresë nga ana e klubit. Xhekson ka preferuar të qëndrojë në Gjirokastër, në një kohë që gjatë javës e pa veten me rezervat në testin e kontrollit që u zhvillua. Mesa duket, trajneri slloven i Luftëtarit, Millosh Kostiç, nuk ka ndërmend të tolerojë aspak, duke vendosur një dorë të hekurt në skuadër sa i përket disiplinës. Përpara se t’i tregonte “vendin” Xheksonit, Kostiç pati paralajmëruar edhe vlonjatin Dejvi Bregu, i cili gjithashtu pritet të mos jetë titullar sot ndaj Ventspils.

PRECEDENTI Historia e thyerjes së disiplinës nga Xhekson nuk nisi dje. Pas grumbullimit të ekipit më 6 qershor në Gjirokastër, braziliani iu bashkua grupit me një javë vonesë, duke shkelur afatin që kishte për të qëndruar pushim. Kjo kaloi në heshtje nga klubi, por kulmi arriti pak ditë më parë, kur lojtarët iu nënshtruan matjeve ergometrike. Çuditërisht, Xhekson ka refuzuar këtë procedurë. Mbrojtësi ka ardhur me disa kile mbipeshë pas pushimeve dhe vulosi gjithçka me një paraqitje të dobët në ndeshjen e parë ndaj Ventspils, ashtu si në fakt i gjithë ekipi. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet, në një kohë që braziliani ka edhe një vit kontratë me Luftëtarin.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"