EKSKLUZIVE/ Sormani i përgjigjet Demit: Partizani, pa disiplinë! Një ditë mund të kthehem…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 0:18

EKSKLUZIVE/ Sormani i përgjigjet Demit: Partizani, pa disiplinë! Një ditë mund të kthehem…

Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka kërkuar ndjesë për largimin e parakohshëm të Adolfo Sormanit nga drejtimi i ekipit. Trajneri italian, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka pohuar se ndihet i gëzuar nga fjalët që ka thënë presidenti, si dhe e lë të hapur mundësinë për t’u kthyer sërish një ditë në drejtim të “demave”.

sormani

Sormani tregon arsyet që e detyruan të largohet nga Partizani, ku kryesore ishte mosplotësimi i kushtit të tij nga klubi. Sipas tij, mungesa e disiplinës në ekip dhe trajtimi njësoj i lojtarëve ishte kushti i tij për të bërë një ekip të suksesshëm. Ai ka sqaruar më pas edhe përplasjen me Mazrekajn, ndryshimet që kanë ndodhur në kullën drejtuese të Partizanit këtë sezon, si dhe për Ylber Ramadanin.

Profesor, presidenti i Partizanit, Gaz Demi, së fundmi ka deklaruar për ju: “Më vjen keq për Adolfo Sormanin, largimi ka qenë një nxitim i imi, kërkoj ndjesë”. Si e vlerësoni këtë ndjesë ndaj jush?

Kam kujtime shumë të bukura nga Partizani, kryesisht nga ndeshja kundër Ferencvaroshit. Mendoj se në atë kohë klubi nuk ishte gati për ato që unë i kërkova si trajner dhe që ishin të domosdoshme për të qenë të suksesshëm. Kjo ishte arsyeja që unë vendosa që të largohem nga skuadra. Sigurisht, tifozët e Partizanit meritojnë më shumë, ata janë fantastikë. Jam i gëzuar me këtë që më thonë në lidhje me deklaratën e presidentit Demi për mua.

A mund ta dimë tani se çfarë i keni kërkuar asokohe klubit që ju të ishit i suksesshëm?

Thjesht që të vazhdonim të ishim striktë me lojtarët për sa u përket termave disiplinorë në ekip. Kjo ishte thelbësore, pasi nëse dëshiron të jesh i respektuar, nuk mund t’i trajtosh lojtarët në mënyra të ndryshme. Kjo ishte arsyeja pse për mua të gjithë lojtarët ishin të rëndësishëm. Për mua, rëndësi të madhe ka shpirti i garës së skuadrës jo i individëve të veçantë.

Përveç Mazrekajt, që dihet nga të gjithë përplasja që keni pasur, a patët probleme me lojtarë apo persona të tjerë te Partizani?

Unë nuk kam pasur probleme me asnjë. Jam gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe kurrë nuk i gënjej apo të merrem me gjera të pavërteta. Mbase ndonjë person tjetër i premtoi diçka Mazrekajt, jo unë.

Sormani

Qëndruat pak te Partizani, çfarë nuk eci në punë tuaj që u detyruat të largoheshit dhe a ndikoi metodika ndryshe e punës, me të cilët lojtarët nuk ishin mësuar më parë?

Sa i përket qëndrimit, lojtarët ishin fantastikë dhe shumë të motivuar, por thjesht nevojitej disiplina në ekip.

Partizani deri tani në këtë sezon është drejtuar nga tre trajnerë. E nisi Iuliano, e vazhdoi Starova dhe prej 5 javësh Dalipi është trajner i parë. Keni ndonjë koment për këto lëvizje të fundit?

Çdo klubi i duhet stabilitet për të qenë i suksesshëm. Nuk mund të them më shume dhe Dalipit i uroj fat të mbarë në detyrën e re.

Pas fjalëve të fundit të presidentit Demi, a ekziston mundësia që t’ju shohim sërish si trajner të Partizanit?

Kurrë mos thuaj kurrë!

Ylber Ramadani është një nga lojtarët që ju e mbështetët dhe e promovuat te Partizani dhe më pas e morët në Danimarkë te Velje…

Ai meriton më të mirën, pasi ka një sjellje mjaft të mirë në fushë, ka kualitet për t’u bërë një lojtar i klasit të lartë. Gjithçka e ka merituar falë punës dhe talentit të tij.

Ku mund ta shikojmë Ramadanin sezonin tjetër, do të vijojë me Veljen apo në ndonjë klub më prestigjioz?

Nuk e di se çfarë mund të ndodhë me të ardhmen e Ramadanit, por do të isha shumë i gëzuar që ta shikoja atë në një klub të madh.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"