EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në luftë nervash me sulmuesin, ja çmimi që i vendosin korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 9:08

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu në luftë nervash me sulmuesin, ja çmimi që i vendosin korçarët

Elvi Berisha kthehet në çështje. Sulmuesi është kthyer prej të premtes në Korçë, por vend për “divorc” nuk ka. Ai ka punuar i diferencuar nga grupi dhe nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Lojtari nuk u paraqit për ditë të tëra në stërvitje, pasi kishte njoftuar se ishte me COVID. Sapo e kaloi, ka marrë rrugën drejt juglindjes. Erdhi me shpresën për të gjetur “divorcin” e shumëdëshiruar, por më kot…

ELVI BERISHA

“LUFTË NERVASH” Skënderbeu dhe Berisha kanë nisur tashmë një “luftë nervash”. Marrëdhëniet mes klubit dhe lojtarit janë këputur plotësisht. Gjithçka ka nisur pas kërkesës së lojtarit për t’u larguar nga bardhekuqtë. Ai po kërkon një sistemim të ri sezonin e ardhshëm, ndonëse kontrata e mban të lidhur.

Zyrtarisht marrëveshja i skadon në dhjetor të këtij viti, por pretendonte që drejtuesit t’i jepnin lirinë pa kosto. Kjo ka “xhindosur” drejtuesit, që nuk kanë në plan ta lënë të lirë lojtarin. E thënë troç, te Skënderbeu janë të vendosur të mos e humbasin me parametër zero.

Kur në drejtim të Berishës kanë mbërritur interesime të ndryshme nga klube të Superiores, korçarët duan që të përfitojnë financiarisht. Diçka e tillë duket se i ka shtyrë më shumë ata të këmbëngulin në qëndrimin e Elvi Berishës në Korçë, ndonëse vullneti i lojtarit është që të largohet sa më parë. I

VENDOSET “ÇMIM” Burime në klub bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se drejtuesit bardhekuq pranojnë ta lënë të lirë lojtarin vetëm me një kusht: nëse marrin 30 mijë euro. Diçka e tillë duket se po e mban sulmuesin pezull.

Tashmë 23- vjeçari ka dy rrugë ose do të kërkojë një ofertë zyrtare që t’i referohet klubit, ose në të kundërt duhet të përmbushë detyrimet që i përcakton kontrata.

Nëse asnjëra palë nuk tërhiqet nga pretendimet e veta, i vetmi që mund ta pësojë është lojtari. Elvi Berisha nëse nuk gjen një zgjidhje imediate të situatës rrezikon edhe lënien jashtë grupit deri në përfundim të kontratës. Tashmë mbetet që palët të vendosin për këtë çështje.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"