EKSKLUZIVE/ Skënderbeu gati të mbushë arkat, 90 mijë euro nga Rumania për sulmuesin e talentuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2022 | 14:43

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu gati të mbushë arkat, 90 mijë euro nga Rumania për sulmuesin e talentuar

Nëse ka një klub që gjeneron vazhdimisht të ardhura nga largimet, ai është Skënderbeu.

SKERDI XHIXHO

Pa përmendur atë që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, po merremi me rastet më të freskëta.

Uerdi Mara u shit për 150 mijë te turqit e Ankara Keçiorenguçu dhe Alfred Mensah solli 90 mijë euro pas firmës me izraelitët Hapoel Nof HaGalil, ndonëse u largua me parametra zero.

Kjo shumë erdhi vetëm prej “taksës” së formimit. Historia e afrikanit duket se po përsëritet.

Këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë titullar, por një produkt të akademisë.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” bënë me dije se Skerdi Xhixho pritet të firmosë një kontratë me gjigantët e Steaua të Bukureshtit.

Një transferim deri diku i pritshëm për këtë lojtar, pasi ka lënë shenjë në kampionatin e moshave edicionin e fundit.

Ai me ekipin e parë numëron në total vetëm 90 minuta në dy sezonet e kaluara, por aq ka mjaftuar që të dallohet.

Sulmuesi është i datëlindjes 2005 dhe pritet që të largohet me parametra zero në Rumani.

Bardhekuqtë i kanë ofruar një kontratë profesionistit për këtë sezon, por 17-vjeçari ka hezituar të firmosë.

Shkak është pikërisht transferimi i mundshëm te rumunët.

Mundësi kjo, që duket shumë pranë konkretizimit.

I riu do të nisë provën tek akademia e Steauas dhe nëse bind të gjithë, do t’i ofrohet kontrata profesioniste. Këtu qëndron “thembra” e Akilit për këtë transferim.

Korçarët kryqëzojnë gishtat që diçka e tillë të ndodhë dhe Xhixho të firmosë me rumunët e njohur kontratën e tij si profesionist.

Gjë që pritet të përkthehet në të ardhura, por jo menjëherë.

Skënderbeu mund të përfitojë shuma monetare vetëm pas janarit të vitit të ardhshëm, kohë kur Xhixho do të mbushë 18 vjeç.

Shuma e përllogaritur nga klubi shkon diku rreth 90 mijë euro për katër vite që ka kontribuar futbollisti me moshat bardhekuqe.

Nga ana tjetër, në rast se lojtari kryen një transferim të ri pas disa vitesh, por jo me parametër zero, korçarët pretendojnë sërish 5% të vlerës së transferimit. Kjo e bën edhe me të arritur këtë prodhim të akademisë bardhekuqe.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"