EKSKLUZIVE/ “Si më futi duart në kavanozin e mjaltit doganieri”, rrëfimi unik i Perlat Mustës: Ja çfarë blinim kur dilnim jashtë shtetit me Kombëtaren (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 23:52

EKSKLUZIVE/ “Si më futi duart në kavanozin e mjaltit doganieri”, rrëfimi unik i Perlat Mustës: Ja çfarë blinim kur dilnim jashtë shtetit me Kombëtaren (E PLOTË)

Ka gjithnjë ndonjë peng në karrierë kur e kthen kokën pas, sado i suksesshëm të jesh. Perlat Musta mbetet një nga kolosët e futbollit shqiptar, por titulli i 1989-ës, sipas tij, nuk u luajt me rregulla të barabarta. Ish-portieri i shquar i Partizanit dhe i Kombëtares nxiton të sqarojë menjëherë se nuk ka asgjë me Tiranën që triumfoi në atë edicion, porse vazhdon të këmbëngulë se Partizanit iu bë padrejtësi. Jo vetëm klubit, por edhe Perlatit dhe disa lojtarëve të tjerë.
perlat musta

“Më duket se u keqkuptua ajo që thashë pak ditë më parë, – thotë Musta për “Panorama Sport”. – Nuk deklarova për asnjë moment se Tirana nuk e meritonte atë titull. Madje, e theksoj, mund ta kishte fituar edhe nëse Partizanit nuk do t’i dënoheshin katër titullarë. Por ama kjo nuk zhbën faktin që Partizani u dëmtua atë sezon, sepse iu dënuan, sipas mendimit tim, 4 lojtarë titullarë padrejtësisht”, thotë ish-portieri për gazetën. Më tej ai thotë se ka pasur një bisedë me Agustin Kolën gjatë këtyre ditëve dhe ia ka thënë në sy mendimin e tij.

Musta, deklarata juaj ngjalli diskutime të shumta rreth titullit të vitit 1989. Pati reagime edhe nga kampi i Tiranës, të cilët pretendojnë se ai trofe u meritua plotësisht në fushë dhe se nuk pati hile apo ndërhyrje për të ndihmuar bardheblutë…

Shikoni, unë e kam thënë edhe më parë që Tirana mund ta kishte fituar kampionatin edhe pa u shpikur normat. Në atë periudhë, brenda lojës së futbollit kemi qenë të gjithë të barabartë. Partizani, Tirana apo Traktori i Lushnjës, kur ishin në Kategori të Parë, trajtoheshin njësoj.

Ju vazhdoni të thoni që u shpikën normat…

Patjetër që u shpikën. U bënë enkas për të dëmtuar disa nga ne të Partizanit.

Kola, Josa dhe Omuri thonë që normat ishin për të gjithë, jo vetëm për ju. Ju pse jeni të bindur se u shpikën normat?

Unë jam njeri që nuk bëj replika nëpër media dhe as të shpik gjëra. Por ai sistem ishte dhe ne e dimë se si funksiononin gjërat. Mos më bëni të përsëris fjalët e dikurshme të Sali Berishës: “Në atë kohë të gjithë ishim bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtorë…” (qesh). Përderisa ma ka po huar vetë personi që erdhi të vëzhgonte normat se kishte ardhur enkas aty për të më dënuar, pjesa tjetër nuk ka më vlerë. Mos prisni as emra, se nuk do të përmend emra. Nuk është në natyrën time.

Neptun Bajko, ish-trajneri juaj atë sezon, dyshon se ngjarjet e 1989-ës dhe dënimi i disa lojtarëve kryesorë të Partizanit mund të kenë pasur lidhje me faktin që Partizani ishte i dënuar në Europë pas incidenteve me Benfikën. Ju si mendoni?

Partizani ka humbur edhe më parë kampionate. Madje, edhe para Benfikës. Nuk mendoj se ka qenë kjo arsyeja që disa lojtarë, përfshi edhe mua, u dënuan më 1989. Unë kam thënë gjithashtu që normat nuk është se u shpikën për Tiranën. Tirana në atë periudhë e meritonte, se kishte 6 lojtarë që luanin me ekipin kombëtar në formacion: Josa, Kola, Minga, Muça, Lekbello. Problemi është se çfarë ndodhi me Partizanin në atë vit, nuk ishte korrekte. Partizani ka humbur edhe përpara kampionate si në ’82, ’83, ’84, ku kemi qenë direkt në fazën finale. Por nuk iu dënuan ndonjëherë lojtarët në mes të sezonit… Gjithsesi, unë mendoj se për këtë nuk mund të fajësojmë federatën.

A ka pasur njëanshmëri apo trajtime preferenciale për skuadrat në ato vite?

Të mos ngatërrojmë tendencën gjatë një sezoni me episode të caktuara gjatë një kampionati. Në momente të caktuara ka pasur episode pro dhe kundër një skuadre, por ne kemi qenë të gjithë njëlloj. Futbolli kishte një trajtim special edhe financiarisht. Fillimisht ishte 150 lekë, pastaj u bë 200. Futbolli ka qenë më i privilegjuari nga të gjitha sportet e tjera. Kishim trajtim më të mirë. Ne ishim më të privilegjuar se basketbolli dhe volejbolli. Mos harroni se në basketboll atëherë luante një yll si Fagu. Unë nuk mund të them që Partizani ka qenë i persekutuar.

Për këdo që e ka parë Perlat Mustën duke luajtur, sot tingëllon çuditshëm kur merr vesh se ka ngelur në norma…

Po pra, por bota prandaj nuk ka pasur norma taksative siç i kishim ne këtu. Edhe bota kishte norma, se këta nga bota i morën, por këta i bënë taksative. Kur i donte qejfi të mos luante Perlati dhe të luante dikush tjetër, atëherë dilnin normat… Unë edhe mund të mos i kapja normat në një moment, por është njësoj si të shohësh Ronaldon sot 35 vjeç dhe papritur t’i kërkosh norma të tipit 12-minutësh… Ishin kohë të tjera, mentalitet tjetër.

Ledjo Pano thotë që normat u shpikën një ditë para ndeshjes. Ju çfarë mbani mend?

Mbaj mend që mbaroi faza e dytë dhe u shpikën normat. Ky është problemi. E përsëris, nuk u bënë për Tiranën, që të fitonte Tirana, por rrjedhimisht, dënimi me tendencë i lojtarëve titullarë të Partizanit ndikoi pozitivisht për Tiranën dhe të tjerat, sepse ka qenë edhe Dinamo në lojë

Duke e vlerësuar në tërësi debatin, a mund të thuhet që Tirana ka qenë e persekutuar në ato vite?

Jo. Pse, kush e thotë këtë? Nuri Bylyku, një ikonë e Tiranës, por edhe të tjerët kanë lënë të kuptohet se Partizani ka qenë i preferuari i sistemit… Atëherë po ju bëj edhe unë një pyetje: Tirana, kur paska qenë e persekutuar, pse kanë dalë kampion nga 3-4 herë rresht? Po të ishe i persekutuar, mendon se kishe shanse të fitoje titullin katër herë?! Po lëre tani, se nuk flitet kështu. Unë vazhdoj të them se duke u dënuar lojtarët tanë ishte normale që Tirana dhe të tjerët të përfitonin. Por e them me pastërti se Tirana kur ka pasur ekip, ka fituar titullin. Them ekip, sepse lojtarë të mirë ka pasur gjithmonë Tirana, siç kanë pasur Partizani, Dinamo, Vllaznia, por problemi është të kesh ekip.

Pra, ju mohoni të ketë pasur trajtim preferencial mes klubeve të kryeqytetit?

Po jua përsëris: Kush ka pasur ekip, ka fituar gjithmonë. Sigurisht, në momente të caktuara, në ndeshje të caktuara ka pasur edhe episode. Fjala vjen, ndonjëherë edhe arbitri që mund të ishte tifoz i një skuadre bënte ndonjë lëshim apo gabim, por këto janë episode. Janë të papërfillshme. Ka pasur raste kur një arbitër që simpatizonte Dinamon mbante pak anën e tyre kur luanin me Partizanin apo një tjetër që na pëlqente ne, mbante anën tonë kur luanim kundër Lushnjës, por nuk mund të thuash që ka pasur të privilegjuar dhe të persekutuar. Edhe Vlora nesër mund të dalë të thotë se ka qenë e persekutuar…

Në ç’kuptim?

Po ka ndodhur një sezon që Flamurtari mundi Partizanin. E mundi paq. Ishte Flamurtari i artë, por në fund titullin e fituam ne. Vlonjatët e merituan atë ndeshje, por kampionati nuk është vetëm një ndeshje, është sezon i gjatë. E solla si shembull, për të thënë se të gjitha ekipet kur kanë pasur lojtarë cilësorë, por mbi të gjitha ekip të harmonizuar, kanë bërë histori. Kështu ka ndodhur me Tiranën, Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Flamurtarin etj. Është tjetër pastaj menaxhimi.

Këto janë pjesë anësore. Por të përmendësh termin “i persekutuar” nuk vlen. Edhe ndonjë nga lojtarët e Dinamos mund të thotë që ka qenë i persekutuar. Mund të kishe biografinë “e keqe” dhe vuaje, sepse ai sistem ashtu ishte. Por ama kur i sheh të thonë: “Isha i persekutuar” edhe pastaj kishte dalë të luante jashtë shtetit, atëherë gjithçka bie.

Pse bie gjithçka?

Nëse ishe i persekutuar, nuk luaje dot jashtë. Por tani dalin e thonë: “Isha i persekutuar”, pa të keq fare. Pra, kur ishe në formë, luaje mirë dhe i bëje punë Kombëtares, nuk ishe i persekutuar. Kur të linin jashtë, sepse ishe jashtë forme, atëherë papritur ishe i persekutuar… I kam bezdi shumë këto gjëra.

musta-kola

Më thatë që takuat Agustinin pas këtij debati në distancë. Jemi kuriozë ta dimë çfarë i thatë atij?

Folëm për kampionatin e 1989-ës. I thashë: “Ju e merituat të dilnit edhe pa u dënuar ne, por unë nuk kam thënë që normat u bënë qëllimisht siç i donte Tirana”. Por jam i bindur që normat në atë periudhë u shpikën dhe ndaj meje ka pasur tendencë. “Kishim ardhur kastile për ty”, më tha personi që u mor me normat asokohe, por unë nuk dua të përmend emra.

U dënuat 5 vite nga UEFA. Çfarë bëtë ju përballë Benfikës përveç atij kartoni të kuq?

Unë kam marrë brenda afro një minute dy faulle në favorin tim. Fiksojeni mirë: Nuk kanë qenë faulle të tyre, por në favorin tim. Dhe më pas arbitri më dënoi me të kuq.

Çfarë ndodhi saktësisht?

Sulmuesi i Benfikës, pas një aksioni në fundore, u afrua në 16-she. Topi i krosuar nga kundërshtarët po vinte afër pikës së penalltisë dhe unë kam dalë, e kam kapur topin sipër Rui Aguash, që ka qenë sulmuesi kryesor i Benfikës. Kam kapur topin, pasi unë u hodha sipër tij dhe rashë në tokë. Ai ra sipër meje. U dha faull në favorin tim dhe në momentin që unë kam qenë duke u çuar nga toka në gjunjë, më dha kartonin e verdhë. E pashë gjyqtarin dhe s’thashë gjë. Mbajta topin në dorë, e pashë duke qeshur me ironi sepse më dha një të verdhë absurd.

Musta Partizani Benfika

Pra, edhe faull në favorin tim, edhe karton i verdhë për mua. Pa pikë lidhjeje. Pastaj në momentin kur kam pasuar topin te lojtarët e mi, Rui Aguash u turr drejt topit, shoku i skuadrës ma ktheu topin sërish dhe ka dhënë prapë faull. Kjo ndodhi sepse portieri nuk kishte më të drejtë ta kapte topin. Në momentin kur e kapte topin portieri, ishte faull po ta kishe kundërshtarin përballë. Unë kapa topin, ai dha faull dhe pastaj direkt më dha kartonin e kuq. Kjo është e gjitha.

Po përse pesë vite? Ju protestuat më pas? Çfarë i bëtë arbitrit dhe a ndodhi ndonjë gjë në tunel?

Fatkeqi më i madh ka qenë Niko Frashëri. Në momentin kur më ka dhënë mua kartonin e kuq, ekipi e kishte futur në mes arbitrin dhe unë kam bërë vetëm një gjest. Kur më nxori kartonin e kuq, unë kam përplasur duart. Ika dhe kam dalë te stoli. Shokët e skuadrës e kishin futur në mes gjyqtarin dhe ai nuk lëvizte. Mund të ketë vazhduar kjo skenë afro 5 minuta. Neptuni më thoshte mua: “Ik në fushë”. “Ore po kam dal me të kuq”, i thosha. U tensionua situata shumë. Ka qenë edhe Gëzimi (Sinemati) dhe ishte hera e parë që vinte një gazetar me ne jashtë Shqipërisë.

Si vazhdoi më pas?

Pasi u qetësua gjendja, punë 5 minutash, në kohën që ekipi e kishte futur në mes arbitrin dhe unë kisha dalë jashtë, Niko Frashëri vazhdonte të qëndronte te penalltia ku u dha faulli. Debati vazhdoi me Diamantinon (Miranda), ka qenë kapiten i ekipit të Benfikës dhe ishte dhe lojtar i kombëtares. Lojtarët e Partizanit i thoshin që ishte faull në favorin tonë, ai thoshte penallti. Në momentin kur doli arbitri nga rrethi, nuk dinte çfarë të bënte, sepse ishin gati 9 vetë që e kishin futur në rreth. Shkoi te pika e penalltisë dhe thotë faull.

Partizani Benfika

E kap Nikoja arbitrin ndërkohë dhe i thotë: “Faulli për kë është?” Direkt aty Niko Frashëri merr karton të kuq. Niko ishte fatkeqi më i madh. Pastaj pjesa tjetër rrodhi siç e dimë të gjithë sepse u acarua ekipi. Për 20 minuta u fut Genc Tomori në portë. 20 minuta portugezët, me dy lojtarë mangut që ishim ne, nuk bënin dot gol. Pas 20 minutash i kanë bërë golat. Ishte gati fundi i lojës. Kur bënë golin e dytë, Ariani (Ahmetaj) merr një copë akull dhe e hedh te harku i fushës në mes, aty ku ishte edhe arbitri. Për fat të keq, arbitrit i bie akulli në shpatull. As kuptoi gjë fare…

Po çfarë ndodhi pastaj?

Anësori e sinjalizoi menjëherë dhe i tha që nr. 4 e goditi. Ai i dha direkt të kuq. Doli dhe Ahmetaj jashtë. Pastaj bënë golin e tretë. Pastaj Nandit (Ocellit) i dha dy të verdhë, por nuk pati kurajën ta nxirrte me të kuq se prishej loja.


Ocelli u dënua me dy të verdhë dhe nuk doli me të kuq?

Po, kryesori i dha edhe të verdhin e dytë, por më pas e sinjalizuan me urgjencë nga stoli asistentët e tij dhe e tërhoqi.

Çfarë ndodhi më pas?

Filloi stadiumi të fërshëllente skuadrën e vet. Por mos harroni, ishte një Benfikë e jashtëzakonshme ajo, sepse një edicion më pas, në ’87-’88- ën, shkoi në finale dhe humbi me penallti.

Ledjo Pano thotë që kur mbërritët në Paris (transiti drejt Portugalisë), rreth orës 02:00 të natës pjesa më e madhe e skuadrës shkoi të shihte kullën “Eifel”… Ju shkuat profesor?

Absolutisht, që po. Asokohe ishte një shans që të vinte shumë rrallë të vizitoje Parisin. Ne në Francë mbërritëm shumë shpejt dhe më pas vendosëm që të dilnim një shëtitje, të vizitonim qytetin edhe të blinim ndonjë gjë të vogël për familjen.

Çfarë mund të blinin shqiptarët e varfër në atë kohë në Paris?

Eh… (mendohet)… Po çfarë mund të blije, gjëra fare të vogla.

Mbani mend sa lekë kishit me vete?

Po, e mbaj mend. 37 dollarë dietë kishim ne. Ishte hera e parë që kishim 37 dollarë dietë atë rrugë, se më parë kemi pasur nga 12 ose 15 dollarë. Kishim 37 sepse fjetëm një natë në Beograd. Imagjinoni se çfarë mund të blije me 37 dollarë… Jo sot, po edhe atëherë nuk është se kishin ndonjë vlerë të madhe.

Dakord, po çfarë blinit?

Po blinim ndonjë bluzë, ndonjë magnetofon. Po të gjithë shkonim duke marrë ndonjë gjë. Dikush ndonjë konjak, ndonjë paketë cigare. Por për fat të keq, shumicën e këtyre na i mbajtën në doganë.

Ju çfarë bletë?

Unë për herë të parë bleva një televizor të vogël që donin të ma mbanin, por fatmirësisht, ishte inspektori që shoqëronte skuadrën tonë dhe i tha doganierit: “Perlati ishte me mua dhe e mora unë këtë”. Nuk ma morën televizorin… Kurse të tjerëve, vetëve ua mbajtën magnetofonat. Kohë të vështira. Ne këtë avaz kishim gjithmonë dhe me Kombëtaren. Edhe kur udhëtonim me Kombëtaren, na zhvishnin për një kavanoz të vogël.

Mbaj mend që një herë me vete kisha një kavanoz të vogël me mjaltë, ma kishte dhënë nusja. Doganieri, një djalë i vogël, po përpiqej ta hapte. Më pyeti se çfarë ka edhe i thashë: “Hape mor, hape! Mjaltë ka brenda, por ti hape dhe shikoje”. E hapi dhe i futi duart brenda të shihte mos kishte ndonjë monedhë, por nuk gjeti gjë… (qesh). Megjithatë, kishte momente kur nuk na kontrollonin fare. Varej ku kishe qenë… Mbaj mend që në atë periudhë Flamurtari fitoi në Beograd duke shkruar historinë dhe kur u kthyen, i trajtuan si mos më keq në Han të Hotit. Për të ardhur keq, i masakruan në doganë.

perlat musta

Musta, si është kjo historia e lojtarëve të Partizanit që gjenin shtëpi, ndërsa ata të Tiranës gjenin punë shpejt?

Po çfarë shtëpie thoni, unë isha dy vjet e gjysmë i martuar kur e mora shtëpinë. Dhe ku? Tek Oxhaku… (qesh). Më pyeti asokohe Refik Resmja: “Ku e more shtëpinë?” “Tek Oxhaku i thashë”. “Bo bo, – më tha, – aty ku ndajnë lekët hajdutët…” (qesh). Shikoni, po t’u rrije mbrapa atyre të ministrisë mund të merrje dhe në mes të Tiranës shtëpi, por unë nuk isha nga ata. Tirana ndërkohë ka qenë edhe disi e privilegjuar sepse varej nga Komiteti Ekzekutiv.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"