EKSKLUZIVE/ Rrezikohet Superiorja, “shfryn” presidenti Idrizi: Teori kineze, fshati rrethon qytetin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2023 | 21:46

EKSKLUZIVE/ Rrezikohet Superiorja, “shfryn” presidenti Idrizi: Teori kineze, fshati rrethon qytetin…

Sinan Idrizit nuk i del inati. Presidenti këm bëngul se Flamurtari është dëmtuar nga faktorë të jashtëm. Shpreh keqardhjen që gjithë mundi po shkon dëm, ndonëse investoi si për një skuadër pjesëmarrëse në elitë. E megjithatë, nuk ka në plan të dorëzohet. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai paralajmëron surpriza në 270 minutat e fundit të Kategorisë së Parë.

SINAN IDRIZI

“Ekipi nuk është aty ku unë dhe të gjithë prisnim. Jemi në vend të tretë, por ka akoma edhe tri ndeshje. Të presim deri në fund dhe të shikojmë. E kemi thënë që gjithë mundi ynë dhe e gjithë ajo që kemi programuar, kishte një qëllim: të kapim Superioren. Pjesërisht kemi edhe ne tonat, por ka pasur edhe faktorë të tjerë subjektivë që nuk na kanë lejuar që të vazhdojmë rrugëtimin. Kanë qenë jashtë dorës sonë. Pritshmëria jonë tani? Të presim deri në fund… Përgjegjësia është jashtë fushës tani. Ju do të thoni që teorikisht çdo gjë vendoset në fushë, por praktikisht në këtë futbollin tonë vendoset jashtë fushe”, shprehet fillimisht numri një i klubit kuqezi.

GJYKIMI – Merakun e ka ende te gjykimi i FlamurtariDinamo. Nuk i vjen habi që FSHF-ja nuk mori asnjë masë për kryesorin e asaj sfide, pasi i sheh edhe ato në këtë histori.

“Unë e kam thënë dhe e them se është provinciale të merresh me gjykimin. Nuk merrem me gjykimin. Unë merrem me ata që e organizojnë gjykimin në Shqipëri. Janë këta që prishin garën. Kemi dy raste konkrete. Flamurtari me Skënderbeun, një ndeshje barazim, e luajtur fort, dhe një Korçë që luan shumë bukur dhe futboll të pastër. Kemi ndeshjen me Dinamon. Një përballje e luajtur dobët nga Flamurtari, por e përcaktuar nga një vendim fatal i një arbitri që pjesën tjetër të fjalisë e dini ju. Kur themi Flamurtari dhe objektivat e tij, ato që janë në dorën tonë janë gjë tjetër dhe ato që bëjnë të tjerët mbi ne janë gjë tjetër. Nuk dua të bëj qaramanin, nuk e bëj këtë. Kam mbajtur përgjegjësitë e mia edhe kur ka shkuar Flamurtari më poshtë. Por kur djemtë luajnë dhe të tjerët që organizojnë garën ndërtojnë struktura kundër Flamurtarit, atëherë na duket sikur janë disa gjëra që duhet të ribëhen. Ata që organizojnë garën të marrin përgjegjësi. Arbitri që arbitroi këtë ndeshje nuk u ndëshkua nga këta”, theksoi presidenti i klubit.

KRAHASIMI – Edhe dënimin e tifozëve në Vlorë e quan të tepërt. Sinan Idrizi thotë se disa sende të hedhura në fushë me Dinamon dhe FSHF-ja mbylli stadiumin në Vlorë. Ndërsa në ndeshjen e Laçit ku u gjakos portieri i Flamurtarit, fusha u dënua me dy ndeshje.

“Shikoni se çfarë ndodh… Mbyllën fushën e Flamurtarit për 6 javë, deri në fund të muajit tjetër. Në ndeshjen që ne kemi luajtur në Laç, portieri ynë ka dalë i gjakosur. Fusha atje u dënua për dy ndeshje. Kurse këtu për disa sende të hedhura për revoltën e tifozëve dhe me të drejtë, për shkak-pasojë, u mbyll stadiumi. E kuptoni çdo të thotë në qytet që të mbyllësh stadiumin?!”, shton i pari klubit, duke evidentuar padrejtësi edhe nga ana e Disiplinës.

HARTA – Shton edhe më tej. E cilëson dështim total skemën që po aplikohet në futbollin tonë, ku shumë qytete të Shqipërisë janë fshirë nga harta e futbollit.

“Çfarë duhen të bëjmë? Me këtë organizim skuadrash është një dështim total. Është teoria kineze, fshati rrethoi qytetin. Qytetet shqiptare nuk janë në hartë. Këta kanë vrarë Vlorën, Korçën, Elbasanin dhe shumë qytete të Shqipërisë me këtë strukturë. Është një gjë që duhet zhbërë. Të ndërhyjë Ministria e Arsimit dhe Sporteve”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"