EKSKLUZIVE/ Rrëfehet kapiteni i Shpresave, Berisha: Shiriti një privilegj, Kombëtaren e ëndërroj që i vogël

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2023 | 21:57

EKSKLUZIVE/ Rrëfehet kapiteni i Shpresave, Berisha: Shiriti një privilegj, Kombëtaren e ëndërroj që i vogël

Kuqezinjtë U-21 bënë një përmbysje të mad he ndaj Rumanisë në “Elbasan Arena”, ku nga 0 me 2 në disavantazh, arritën që në fund të shënonin tre gola dhe të vihen në krye të Grupit E me pikë të plota. Një nga futbollistët që spikati në këtë sfidë ishte edhe kapiteni Medon Berisha, i cili shënoi edhe golin e barazimit dhe i hapi rrugë përmbysjes së madhe.

Medon Berisha

Në fund të ndeshjes, tejet i emocionuar për këtë fitore dhe golin spektakolar, 19- vjeçari rrëfehet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke e cilësuar si një privilegj që mban shiritin në krah, ndërsa një ditë synon si të gjithë Kombëtaren e madhe. Ai beson se do të bëjnë maksimumin që ky grup të shkojë në Europian, ndërsa në karrierën në klube, për momentin i gëzohet gradimit në skuadrën e parë të Leçes.

E prisnit një gol spektakolar në këtë ndeshje?

Po, e kam pasur në mendje para ndeshjes që do të shënoja një gol. Ka qenë e gjithë familja këtu, më kanë  përkrahur dhe kam pasur dëshirë të shënoja.

Kujt ia dedikoni golin?

Golin ia dedikoj familjes sime, pasi kanë ardhur nga Kosova apo Zvicra për të parë ndeshjen. Besoj se i kam bërë të lumtur. Gjithashtu ua dedikoj edhe tifozëve tanë.

Kur shkoi ndeshja 0 me 2, kishit besim se do ta kthenit rezultatin?

Po, po. Gjithnjë kam pasur besim, sepse në pjesën e dytë kemi luajtur më mirë futboll. Kemi pasur më shumë ritëm dhe kemi qenë më agresivë në duele. Edhe ata dy gola të pësuar erdhën më shumë si shkak i gabimeve tona.

Çfarë ndjesie ju jep shiriti i kapitenit në krah?

Është një ndjenjë e papërshkrueshme të udhëheq këtë Kombëtare U-21, këtë supergrup do të thosha. Është krenari ta mbash shiritin e kapitenit.

Ëndërroni Kombëtaren A tani?

Po, e ëndërroj që kur kam qenë i vogël të luaj aty. Të gjitha ndeshjet e tyre jam munduar t’i shoh që kur kam qenë i vogël.

Gjashtë pikë në start, si i shihni shanset për në Europian?

I kemi shanset e mira, por nuk duhet të mendojmë që tani për kualifikimin, sepse ka kohë. Grupi është i mirë, kemi mundur një Rumani që ka cilësi, por tani duhet të fokusohemi te ndeshjet e ardhshme.

Luani me Leçen, çfarë synoni për në vazhdimësi?

Aktualisht jam me skuadrën e parë dhe po stërvitem aty, ku po jap maksimumin. Pak e nga pak, nuk kam ndonjë ngutje në këto momente.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"