EKSKLUZIVE/ Reagon Halili: Nuk i ndërhyj kurrë trajnerit, ja e vërteta me Julin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 21:50

EKSKLUZIVE/ Reagon Halili: Nuk i ndërhyj kurrë trajnerit, ja e vërteta me Julin (E PLOTË)

Refik Halili akoma nuk ka vendosur nëse do ta pranojë apo jo dorëheqjen e trajnerit Julian Ahmataj. Është vetë bosi i bardhebluve, rrugës për në Tiranë, që konfirmon për “Panorama Sport” një fakt të tillë. I kontaktuar nga gazeta, Halili bëri me dije se deri në atë moment nuk kishte folur me trajnerin e tij, ndonëse ishte informuar për dëshirën e Ahmatajt.

ahmataj-1

Presidenti e ka konsideruar të nxituar vendimin e trajnerit, pasi, sipas tij, ai ka vetëm katër ndeshje dhe mund të jetë ndikuar nga rezultati i ndeshjes me Skënderbeun. Halili thotë se Ahmataj nuk është shqetësuar nga askush dhe jo më të mendohet ndërhyrje në punën e trajnerit…

President, si është e vërteta me trajnerin Julian Ahmataj? Ju ka paraqitur dorëheqjen. Nëse po, ju e keni pranuar apo refuzuar?

Të them të vërtetën, nuk kam folur fare me trajnerin. Më kanë thënë që ka paraqitur dorëheqjen. Do të kthehemi në Tiranë dhe do të flasim ballë për ballë. Jemi të dyja palët rrugës. Saktësisht, nuk e di se çfarë ka thënë në televizor. Nuk dua të spekuloj asgjë, sepse duhet të flas me trajnerin dhe të jap një përgjigje përfundimtare.

Është dukur i ligështuar dhe ka thënë se njerëzit pranë Halilit e kanë sulmuar. I keni ndërhyrë në punën e tij, flas ju dhe stafi juaj?

Në mënyrë kategorike, kategorike, kategorike. Trajneri ka pasur qetësinë më të madhe të mundshme. Flas nga presidenti deri te roja i fushës. Nuk mund të parashikoj se del në skuadër dikush dhe bëhet grup. Kjo është e paparashikueshme, por edhe ky është supozim. Me ato që ka thënë mendoj se është nxitim i madh i Julit. Ndoshta është lënduar nga rezultati, por mbështetja ka qenë e madhe nga të gjithë ne. Nëse ka ndonjë gjë të fshehtë… nga dikush nuk e di.

E keni parë këto ditë të trazuar apo të shqetësuar trajnerin e Tiranës? 

Jemi takuar para ndeshjes në Pogradec dhe kemi folur. Tha se ekipi është i qetë. Nuk kemi asnjë lloj problemi apo shqetësimi. Ekipi është mbledhur, më duket sikur ka disiplinë. Për klane nuk flas dot. E përsëris, as nga unë dhe as njeri tjetër. Kush guxon të bëjë ndërhyrje, largohet në sekondë prej meje. Këtë jua garantoj.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"