EKSKLUZIVE/ Ramadani: Nuk jemi robotë, do të ketë shumë garë në 10 javët e mbetura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2020 | 23:22

EKSKLUZIVE/ Ramadani: Nuk jemi robotë, do të ketë shumë garë në 10 javët e mbetura

Behar Ramadanit i mungon vërtet futbolli, e megjithatë ndërprerjen e kampionatit e quan si zgjedhjen e duhur. Shkodrani thekson se verdiktet e këtij sezoni duhet të vendosen në fushë, por në anën tjetër e shikon të vështirë për çdo lojtar përballimin e ndeshjeve çdo tri ditë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori qartëson se ata nuk janë robotë, ndaj e sheh të udhës që të paktën t’u jepet mundësia të stërviten për 3 javë para se të rinisë kampionati. Kur kanë mbetur 10 javë nga mbyllja e këtij sezoni, ai thekson se Vllanzia jo vetëm do shpëtojë, por mund të kapë një vend në zonën “Euro” nëpërmjet kupës.
ramadani vllaznia partizani
FSHF-ja i ka kërkuar qeverisë që të startojë kampionati. Mendoni se është koha për t’u kthyer në fushë?
Po të ishte për ne, do ishim që tani në fushë. Por tjetërkush vendos për këtë. Vendimi për ndërprerjen e kampionatit sipas meje është i drejtë. Shëndeti i futbollistëve dhe familjeve të tyre qëndron mbi të gjitha. Gjithsesi, tani duhet të fillojmë garën dhe shpresoj të na jepet kohë të përgatitemi, pasi pauza nuk ishte e shkurtër.

Si është gjendja juaj fizike?
Jo vetëm unë, por të gjithë kemi humbur shumë nga forma sportive. Stërvitja individuale nuk e zëvendëson kurrë atë të zhvilluar në grup.
behar ramadani
Si e ka organizuar Ramadani ditën për të ruajtur formën?
Jam munduar të bëj ushtrime në kushte shtëpie dhe vrapime sipas mundësive që kam patur.

Sa ditë stërvitje nevojiten për t’u rikthyer në formën e duhur?
Nuk di ta them me saktësi këtë. Por, minimumi duhet të na jepet 3 javë kohë, që çdo ekip të përpiqet të arrijë disi formën.

Ju po punoni me një program të posaçëm?
Po. Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me stafin teknik dhe na kanë dhënë udhëzimet e duhura për këtë periudhë. Sipas skenarit, gjithmonë nëse ndeshjet do të luhen, gara duhet të mbyllet për një muaj.

Mos është sfilitëse për futbollistët në gjendjen që janë, apo e shihni të përballueshme?
Ky rikthim do jetë më i vështiri për futbollistët. Nëse nuk na jepet koha e duhur që të përgatitemi, përveçse do jetë shumë i lodhshëm, mund të jetë dhe i dëmshëm për ne nga ana fizike. Të mos harrojmë që ndeshjet do të luhen çdo 3 ditë. Nuk i kemi pasur kushtet ta ruanim gjendjen fizike dhe nuk jemi robotë. Por në dashtë Zoti, ne do ia dalim ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin.

Me sa duket, kampionati dhe Kupa do të zgjidhen në fushën e blertë e jo në tavolinë. Keni marrë ndonjë informacion se kur mund të nisë stërvitja?
Gjëja më e drejtë është që të zgjidhet në fushë. Akoma nuk kemi një informacion të saktë se kur do startojë stërvitja, por nuk besoj të jetë e largët kjo ditë.

Si e shihni garën pas 26 javëve, është ende e hapur?
Jo, nuk mendoj se do të jenë formalitet 10 javët e mbetura. Të gjitha ekipet kanë ambiciet e tyre dhe kanë motiv për të luajtur.
vllaznia-3-770x470
Sa shanse ka Vllaznia që të shpëtojë sezonin dhe njëherësh të pretendojë Europën nga Kupa e Shqipërisë?
Kupa është objektivi ynë i vetëm këtë sezon. Është mundësia më e mirë për një vend në Kupat e Europës. Por, ne do të japim maksimumin që të largohemi nga zona ku ndodhemi dhe të renditemi sa më lart në klasifikim.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"