EKSKLUZIVE/ Qarri: Nuk e prisja dot më Duron, ja tre kandidatët për stolin e Kamzës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 23:02

EKSKLUZIVE/ Qarri: Nuk e prisja dot më Duron, ja tre kandidatët për stolin e Kamzës (E PLOTË)

Kamza ka shkarkuar dje në mëngjes Klodian Duron. Klubi ka bërë zyrtare mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin, lajm ky që ishte paralajmëruar nga “Panorama Sport”. Vetëm 5 pikë të grumbulluara në 9 ndeshje detyruan drejtuesit që ta largonin. Është vetë presidenti Naim Qarri ai që në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” jep që të gjitha shkaqet që e çuan drejt këtij vendimi dhe zbulon tri kandidaturat për stolin.

Ai konfirmon se në listë janë Agim Canaj, Gugash Magani dhe Artan Mërgjyshi, megjithatë nga sa mësohet një alternativë mund të jetë edhe Fatjon Tafaj. Kreu i klubit përjashton si mundësi rikthimin e Julian Ahmatajt, ndërsa kujton që nuk ka për ta harruar ditën kur ai festoi me Skënderbeun dhe “braktisi” darkën e shtruar për mbijetesën e ekipit.

qarri-naim-1

Pas shumë paralajmërimeve, pas humbjes 1-3 me Teutën e shkarkuat Duron…

Siç jeni në dijeni, ne e patëm paralajmëruar disa herë. Rasti i fundit ishte me Partizanin, kur thashë që ai do të shkonte në shtëpi nëse ekipi humbte, pasi kemi luksin të gabojmë në çdo ndeshje. Megjithatë, duke qenë se skuadra kishte mjaft mungesa dhe gjatë lojës iu shtuan edhe dy të tjera, mendova që të mos nxitohesha.

Pse morët pikërisht këtë vendim?

Nuk mund të tolerohej humbja me Teutën dhe aq më tepër kur ne kryesonim 1-0 në pjesën e parë. Skuadra po rrezikonte dhe siç e shihni kur ka mbaruar 1/3 e kampionatit (12 javë), jemi të dalë nga kategoria duke qenë të parafundit në renditje. Ishte kjo arsyeja që e largova trajnerin. Më këtë rast, dua ta falënderoj Duron për kontributin e çmuar dhe të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë. Por rrugët tona duhet të ndaheshin këtu. Mungesat e rezultateve na detyroi të bënim një zgjidhje të tillë. Trajnerit i uroj suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsideroj gjithnjë si pjesë të familjes sonë.

Keni menduar për pasuesin e Klodian Duros?

Për trajnerin e ri nuk do nxitohemi. Kemi nisur fillimisht me piketimet e emrave dhe më pas do të nisim edhe nga bisedimet me kandidaturat për të zgjedhur të duhurin për skuadrën tonë.

Mund të na zbuloni ndonjë kandidat?

Deri tani kemi piketuar tre trajnerë: Agim Canaj, Gugash Magani dhe Artan Mërgjyshi. Por siç e thashë, këta janë vetëm piketime dhe më pas do të nisim ofertën tonë dhe besueshmërinë e secilit, për të realizuar ato objektiva që ne i kemi vënë vetes e klubit për këtë sezon.

Vetëm të dielën luhet ndeshja e radhës, a do të ketë një trajner Kamza për Kastriotin?

Nuk e besoj. Janë vetëm dy ditë kohë në dispozicion dhe ne akoma nuk kemi nisur nga bisedimet. Këtë ndeshje, kemi menduar që t’ia besojmë Bledar Vashakut, i cili është trajner i portierëve tek ekipi ynë. Ai do të ketë edhe ndihmesën e kapitenit të skuadrës Sebino Plakut. Kjo do të na jap kohë që të bëjmë zgjedhjen tonë të menduar mirë. Pastaj trajneri i ri do të ketë kohë që të punojë dhe njohë më shumë ekipin, duke shfrytëzuar edhe ndërprerjen e kampionatit.

Kur parashikohet që të vijë trajneri i ri?

Ne që sot (dje) kemi nisur bisedimet me kandidaturat dhe shpresojmë që deri në mesin e javës së ardhshme të kemi vendosur. Siç e thashë, deri tani kemi tri kandidatura, por nuk mund të përjashtojmë edhe ndonjë surprizë me ndonjë trajner nga Kategoria e Parë.

Keni zhvilluar bisedime me ish-trajnerin Juljan Ahmataj gjatë ditës së mërkurë?

Jo, nuk është aspak e vërtetë. Me trajnerin Juljan Ahmataj nuk kam bisedime që pas ndeshjes së fundit të kampionati të kaluar, kur ne po rrezikonim daljen nga kategoria dhe Skënderbeu po e ndihmonte haptazi Vllazninë. Nuk mund t’ia fal Julit veprimin që bëri, duke mos ardhur në festën tonë të mbijetesës për të shkuar te festa e korçarëve për titullin kampion. Pra, hiqeni nga mendja se Juljan Ahmataj të jetë trajner te Kamza.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"