EKSKLUZIVE/ Protagonist me të dyja skuadrat, Allmuça flet për Kukësi-Partizani: Ja kush e vendos ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2021 | 21:54

EKSKLUZIVE/ Protagonist me të dyja skuadrat, Allmuça flet për Kukësi-Partizani: Ja kush e vendos ndeshjen

Kukësi apo Partizani? Një sfidë mes rivalësh të cilët do të përballen për herë të tretë për këtë sezon futbollistik, e janë verilindorët që kërkojnë revanshin pas dy humbjeve të para me rezultatet 0-2 dhe 4-1. Është ish-kampioni Igli Allmuça, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, flet për këtë supersfidë, për dy trajnerët respektivë me të cilët ka dalë kampion te Tirana e Dinamo, por dhe për rivalët, ku thekson se tashmë presioni bie mbi Vllazninë dhe se kampionati është i hapur. Allmuça shprehet se fatin e kësaj sfide, do ta bëjnë episodet, e se trajnerët e ndonjë lojtar i veçantë me peshë do të bëjnë diferencën.
Igli Allmuca

Si e keni parë këtë sezon, a ka diçka që ju ka bërë përshtypje?
Ecuria e Vllaznisë më ka bërë përshtypje jo vetëm mua, por gjithë opinionit sportiv. Ata kanë marrë maksimumin e mundshëm e kanë shfrytëzuar maksimalisht kapacitetin që kanë. Kanë marrë maksimumin e pikëve.

Cili ekip ju ka zhgënjyer më tepër, pasi keni pritur të ishte më lart?
Kukësi me pritshmëritë dhe investimet që kanë bërë s’ka marrë pikët që duhet të merrte, në bazë të skuadrës që ka dhe investimeve që ka bërë.

Të dielën luhet Kukësi-Partizani, çfarë ndeshjeje prisni dhe sa mund të ndikojë në objektivat që kanë dy skuadrat?
Është ndeshje shumë e fortë, që pak rëndësi ka performanca e javëve të fundit të skuadrave, kjo është rivalësh dhe besoj që nuk ndikon në objektiva pasi është gjysma e kampionatit për t’u luajtur

Kukësi bëri shumë ndryshime në fillimin të sezonit dhe pati luhatje të mëdha, ku mendoni se gaboi dhe çfarë duhet të kishte bërë ndryshe?

Duhet të jesh brenda skuadrës që të arrish të dallosh, të bësh analizë të thellë, ndaj nuk të bëjmë në nga jashtë një analizë tillë.

Çfarë mund të bëjë Josa me këtë skuadër dhe deri ku mund të shkojë?

Me eksperiencën dhe mentalitetin e fituesit që ka trajneri do bëj maksimumin dhe do bëj mirë, por jo gjithmonë trajneri mund të ndryshojë gjithçka në një skuadër, pasi është vetë ekipi që shfaqet në fushën e lojës. Por, unë jam i bindur që tekniku Josa do të bëj dhe po bën shumë ndryshime për mirë në skuadrën e Kukësit. Asnjëherë nuk i dihet se ka rivalitet shumë të madh në Kupat e Europës.

Cili mendoni se mund ta bëjë diferencën në ndeshjen Kukësi-Partizani?

Në të tilla ndeshje diferenca mund të vijë nga trajnerët, nga lojtarë të veçantë dhe me CV mjaft të mirë. Pra është e paparashikueshme.

igli allmuca

Cili ekip ka më tepër shanse për fitore?

Mendoj që janë episodet që ndryshojnë rrjedhën e lojës, mund të kesh disa episode dhe nuk realizon dot, e mund të kesh një rast para porte që mund të ndryshojë rrjedhën dhe fatin e ndeshjes. Pra, do jenë episode të veçanta që mund të vendos, pasi të dyja ekipet janë të konsoliduara, kanë futbollistë me shumë eksperiencë dhe me CV-i të mira. Është një ndeshje kokë më kokë.

Garën për titull si e shikoni, mendoni se Vllaznia është një hap para apo Partizani dhe ekipet e tjera që e ndjekin mund ta parakalojnë?

Unë gjykoj që lufta për titull është e hapur pavarësisht diferencës dhe asaj çka flitet që janë 6-7 pikë dhe duke qenë që janë shumë skuadra ndjekëse të Vllaznisë mund ta ketë më të thjeshtë Vllaznia, unë mendoj që nuk është kështu; do të ishte akoma më keq për Vllazninë sikur të mendonte kështu, pasi rivalët vetëm sikur në dy ndeshjet që kanë secila direkte, nëse do e mposhtnin mund ta parakalojnë. Që do të thotë se Vllaznia duhet të jetë shumë e kujdesshme, pasi tani presioni bie mbi Vllazninë. Tani ato e quajnë dështim humbjen e titullit me performancën që kanë bërë deri tani.

Mirel Josa apo Ilir Daja?

Respekt maksimal për të dy, pasi të dy i kam pasur trajnerë ku kemi dal kampionë, me Josën te Tirana dhe me Dajën te Dinamo. Janë të dy trajnerë kampion, janë të dy trajner shqiptar që kanë marrë pjesë me skuadrat e tyre në grupe të “Europa League”.

SKERDILAID SULOZEQI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"