EKSKLUZIVE/ “Po e lënë Mbanë të vetmuar, Partizani të shkundet”, Pano: Grezda si Çani! Nuk ndihmon as ekipin, as veten (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2023 | 23:57

EKSKLUZIVE/ “Po e lënë Mbanë të vetmuar, Partizani të shkundet”, Pano: Grezda si Çani! Nuk ndihmon as ekipin, as veten (E PLOTË)

Ish-lojtari i Partizanit, Ledio Pano, ashtu si pje sa më e madhe e mbështetësve të kampionëve, ka mbetur i zhgënjyer nga loja e të kuqve ndaj Atletik Eskaldes në fitoren minimale të ndeshjes së parë në Andorrë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-mesfushori shprehet se nuk e pa dot gjithë ndeshjen mes Partizanit dhe Atletik për shkak të lojës së dobët dhe gabimeve të lojtarëve. Pano tregon se është zhgënjyer nga paraqitja e Grezdës, teksa shprehet se Mba është tërësisht i vetëm në sulm.

ledio pano

Profesor, sa e rëndësishme ishte kjo fitore e Partizanit ndaj Atletik Eskaldes?

Pa diskutim që fitorja është e rëndësishme në momentin aktual, por ajo që më bëri përshtypje është loja e ekipit. Sigurisht që në ndeshje të tilla fitorja vlen, por me një ekip të tillë përballë sigurisht që Partizani duhet të ishte shumë më ndryshe. Në dy ndeshjet e para me BATE Borisovin, edhe pse thonë që luajtën mirë, përsëri gabimet e shumta dhe mos shënimi i golit tregojnë se Partizani ka probleme.

Çfarë nuk ju pëlqeu konkretisht?

Te Partizani i djeshëm nuk më pëlqeu asgjë, sepse nuk kishte asgjë për të pëlqyer. Përkundrazi, një zhgënjim total, aq sa e lashë ndeshjen në gjysmë dhe nuk mund ta shikoja më me veprimet që bënin lojtarët në fushë. Nga ato që kemi lexuar gjatë kësaj kohe, nga drejtori dhe njerëzit e tjerë të klubit, kemi dëgjuar fjalë të mira, por prisja diçka tjetër.

Për mua ishte një zhgënjim total dhe besoj se Partizani duhet të tundet. Duhet të ndryshojë, sepse me ndeshjen e djeshme tregoi se ka probleme të mëdha në organizimin e ndeshjes në të gjitha repartet. Si në finalizim, ashtu edhe në mbrojtje. Shohim lojtarë që vetëm udhëheqin topin, duan t’i tregojnë vetes së tyre se dinë të luajnë futboll, por praktikisht mendimi im është se kanë mungesë të theksuar të mënyrës se si luhet futbolli.

Me BATE-n të kuqtë luajtën mjaft vrullshëm dhe krijuan raste pafund. Përse ky ndryshim drastik me Atletik Eskaldes?

Po, vrapuan dhe luajtën mirë, por duhet thënë se edhe BATE u la territorin. Sigurisht që krijuan raste, por të kesh aq shumë shanse të pastra në një ndeshje në Champions League, duhet të finalizosh. Nëse do të më pyesnit para ndeshjes me BATE-n, sigurisht që mendoja se Partizani do ta kishte të vështirë, por duke e parë ndeshjen, mendoja se duhej ta kalonte me patjetër.

Ishte një ndeshje që të jepte të ardhura të mëdha dhe e ndihmonte shumë Partizanin. Por ajo humbje e zbriti skuadrën në Ligën e Konferencës dhe e vuri përballë një ekipi amator, aq me tepër me ato probleme që ata kishin para ndeshjes, kur ndërruan trajnerin dhe iu larguan 8 apo 9 lojtarë titullarë.

Kjo nuk është pak. Ne e pamë ndeshjen dhe na u paraqit një ekip amator. Më dukej sikur Partizani po luante një ndeshje stërvitore me ekipin e të rinjve, ku duhej të shpaloste të gjitha vlerat e veta.

Pse e ka të vështirë Partizani kur kundërshtari i mblidhet mbrapa?

Po, kam dëgjuar shumë fjalë në lidhje me këtë, por nuk është kjo çështja. Problemi është mentaliteti dhe cilësia që kanë futbollistët. Një ekip i mirë e gjen mënyrën për ta goditur kundërshtarin, aq më tepër kur skuadra përballë është larg nivelit tënd.

Dikur e bënte Skuka, por mos i mungon Partizanit ai “shënuesi serial”, pavarësisht pranisë së një lojtari plot cilësi si Mba?

Me Skukën të mos merremi më, por të shohim lojtarët që janë aktualisht në skuadër. Sigurisht që Mba është një lojtar me potencial, që e ndihmon vijën sulmuese. Por mënyra se si Partizani luan nuk e ndihmon Mbanë të shpalosë gjërat e veta në zonën kundërshtare.

Pa diskutim që mesfushorët dhe sulmuesit anësorë duhet të kenë cilësinë që të shërbejnë për Mbanë brenda zonës. Veçanërisht Cara dhe Grezda, nga i cili prisnim shumë më tepër. Po më duket si një Çani dikur. Mendoj se lojtarët e tjerë janë shumë larg Mbasë dhe e kanë lënë vetëm.

Çfarë prisnit më shumë nga Grezda? 

Mendoja se do të ishte ndryshe. Ishte ndeshja, ku duhej të tregonte vlera dhe të shpaloste cilësitë e tij. Ishte një paraqitje e dobët. E vërtetë që në ndeshjen me BATE-n kishte minuta të pakta, por një lojtar që ka qenë pjesë e Kombëtares dhe ka luajtur në disa shtete të Europës, duhet të tregonte diçka më shumë. Ai nuk ndihmoi veten, por as ekipin. Kështu që lë shumë për të dëshiruar.

Po Koçijan, çfarë përshtypjeje ju la në këtë paraqitje të parë?

Për mendimin tim nuk është një mbrojtës, duke parë mënyrën se si ai luante. U pa se kishte dëshirë të luante, ishte ndeshja e parë me Partizanin dhe të gjithë e dimë se një lojtar i huaj do të ketë disa probleme të vogla. Por duhet të themi se ai u mundua të japë gjithçka dhe tregonte se kishte diçka pozitive për të dhënë. Por nuk mendoj se është lojtari që mund të ndihmojë Partizanin në fazën mbrojtëse.

A mendoni se diskutohet çështja e kualifikimit?

Çfarë duhet bërë ndryshe në ndeshjen e dytë? Unë nuk e diskutoj fare kualifikimin në këtë ndeshje. Ajo që duhet të mendojë Partizani është ndeshja e turit tjetër, që është Valmiera, që fitoi me shifrat 3-0 në transfertë dhe tregoi se është ekip me potencial. Kështu që ajo ndeshje duhet t’i shërbejë turit tjetër për të treguar se edhe Partizani ka potencial për të vazhduar me tej.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"