EKSKLUZIVE/ “Perla” e Sejdinit: Dinamo e bëri si “lopa”! Kam lënë cigaren, por për pak e nisa prapë prej bluve (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 21:17

EKSKLUZIVE/ “Perla” e Sejdinit: Dinamo e bëri si “lopa”! Kam lënë cigaren, por për pak e nisa prapë prej bluve (E PLOTË)

“Kam 6 muaj që e kam lënë cigaren, atë ditë në ndeshjen ndaj Egnatias dytri herë për pak e nisa prapë. U mata ta merrja një cigare nga shokët që kisha aty afër, aq shumë u mërzita nga ajo ndeshje aq e dobët. Shpresova shumë se të paktën do të barazonin dhe nuk e ndeza. Po më mirë kështu, sepse do të kishin qenë të këqija bashkë për mua: humbja e Dinamos dhe do të nisja prapë cigaren”.

faruk sejdini

Mes batutash që kanë brenda dhe emocionet reale që ka përjetuar në ndeshjen e luajtur të mërkurën në Elbasan, ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, komenton për “Panorama Sport” humbjen kundër Egnatias. Ai shprehet se ka mbetur pa fjalë nga ajo humbje, që i zbriti blutë nga vendi i katërt, më shumë nga loja dhe defektet e skuadrës në fushë, por edhe nga përgatitja shumë e dobët në aspektin psikologjik.

SI LOPA – “Dinamo e bëri si “lopa”, e kishte vendin e katërt në duart e saj dhe i futi vetë shkelmin, vazhdon më tej “Xhaxhi”. Është ajo që e kam thënë edhe më herët, që kjo skuadër habitet edhe vetë kur fiton dhe kur bën mirë në ndeshje të caktuara, si ai nxënësi i dobët ë çuditet kur merr nota të mira. Ka disa javë në fakt që nuk po luan mirë dhe rrjedhimisht edhe nuk po merr pikë. Kam qenë në stadium në të gjitha ndeshjet.

Ai gabim te goli i pësuar në Shkodër, në sekondat e fundit, ishte mizerabël. Nuk e kuptoj se si mund ta lëshosh, apo ta nënvlerësosh rastin ashtu, kur edhe kundërshtari vetë e kishte lënë lojën dhe priste mbylljen e ndeshjes. Këto janë pikët që të çojnë tek objektivi dhe është e pafalshme si shpërdorohen. Edhe me Egnatian po kështu, kundërshtari nuk është se bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme në atë ndeshje. Bëri atë lojën e vet të zakonshme dhe të lexueshme, por ai gabim tek autogoli nga një lojtar me eksperiencë, që ka fituar edhe titullin, nuk di si mund të ndodhë”.

E PAPËRGATITUR – Sejdini shton më tej se Dinamo ka vërtetuar kohët e fundit se është një skuadër e papërgatitur nga ana psikologjike për të qenë në “Final 4”. “Këto janë ndeshje shumë të rëndësishme, janë si finale dhe një skuadër duhet të dijë t’i përballojë nga ana psikike. Nëse ti nuk përballon këto ndeshje, atëherë si do të shkosh në ato ndeshjet e titullit më pas.

Ky është momenti që lojtarët me më shumë kualitet dhe me më shumë eksperiencë duhet të japin diçka më shumë, por jo më pak. Te Dinamo po ndodh e kundërta, po bëhen gabime fatale në mënyrën si pësohen golat dhe si shpërdorohen rastet para portës kundërshtare. Humbjet janë të rënda. Prandaj them se kjo skuadër nuk është gati psikologjikisht për të shkuar në ndeshjet që përcaktojnë titullin kampion. Madje, mirë që barazoi Skënderbeu me Laçin në fund, sepse do të rrezikonte “play-out”-in dhe do ta kapnin ato ethet e rënies nga kategoria pastaj”, thekson Faruk Sejdini.

JAVA E FUNDIT – Dinamo ka ende shanse matematikore për të shkuar në “Final 4”, por për “Xhaxhin” kjo ka pak ose aspak gjasa të ndodhë, sepse nuk jep fare siguri në këtë moment: “Është shumë e komplikuar që të pretendosh në këtë moment, sepse të njëjtat llogari me Dinamon bëjnë shumë skuadra që janë aty pranë.

Nuk mendoj se do të bëjë diçka në ndeshjen me Teutën në Durrës, sepse kur nuk e bëri këto javët e fundit, kur i kishte të gjitha mundësitë për të marrë pikë shumë të çmuara. Nuk besoj se do ta bëjë në javën e fundit, në futboll gjërat duken”, e mbyll prononcimin për gazetën ish-trajneri i shquar i Dinamos. Blutë kanë nisur dje përgatitjet për ndeshjen e së shtunës me Teutën, e fundit për kampionatin e rregullt. Shanset për vendin e 4-t janë të hapura, por tashmë Dinamo nuk e ka më fatin në dorën e saj.

FATJON RUPI-  PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"