EKSKLUZIVE/ Partizani- Laçi, Starova: Kurbinasit luajnë për dy rezultate, të kuqtë detyrim fitoren. Ja kush e bën diferencën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 18:00

EKSKLUZIVE/ Partizani- Laçi, Starova: Kurbinasit luajnë për dy rezultate, të kuqtë detyrim fitoren. Ja kush e bën diferencën (E PLOTË)

Partizani dhe Laçi mbyllin nesër javën e 13-të të Kategorisë Superiore dhe për ish-trajnerin e dy skuadrave, Sulejman Starova, fati i sfidës do të varet nga kolektiviteti më në formë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” Starova pohon se Laçi luan për dy rezultate, ndërsa fitorja është detyrim për Partizanin. “Bobi” në analizën e tij pasqyron avantazhet dhe disavantazhet e dy ekipeve. Të kuqtë i konsideron ekip të ri dhe mbase, nisur nga takimi me Laçin, do të luajnë për shkëputjen, si dhe për të treguar forcën reale.

Starova

Disavantazhet për kurbinasit i shikon te mungesa e Fangajt, ku me një lëvizje mund të prishen ekuilibrat. Starova sqaron sërish kontekstin e shprehjes që u përqesh në fillim të sezonit, se Laçi është për kampion. “Bobi” e ka marrë me sportivitet largimin nga kurbinasit dhe në formë batute pohoi se nuk është mërzitur kur i morën titullin te Partizani. Starova sqaron edhe rolin e Flamurtarit, Luftëtarit dhe Skënderbeut. Si trajner i Laçit, ai triumfoi 1-0 në duelin e fazës së parë ndaj Partizanit.

partizani laci

 

Duke i njohur të dyja ekipet, çfarë ndeshjeje pret me avantazhet dhe disavantazhet që kanë Partizani dhe Laçi në këtë sfidë?

Takimi i ka brenda të tria rezultatet. Nga ana psikologjike, Laçi ka një avantazh, se ka dy rezultate që e kënaqin. Partizanin, sado që ta ndjekin tifozët, në Elbasan nuk është prania si në “Selman Stërmasi”. Disavantazhi i Laçit është se për herë të parë, për arsye kartonësh, s’luan mbrojtësi Fangaj dhe do të bëhet një lëvizje me lojtarët e mesfushës. Mundet ta bëjë Deliu për shembull apo ndonjë lojtar tjetër. Është një lëvizje që ndryshon formacion dhe nuk është pak.

Ju mendoni se i gjithë presioni është te të kuqtë?

Laçi është më i avantazhuar, për faktin se nuk është pak të synosh dy rezultate dhe nga barazimi do të kërkojë fitoren, pasi i ka të shpejtë lojtarët e sulmit. Ndërsa Partizani e ka detyrim fitoren. Nuk e arriti një javë më parë shkëputjen, por tani e ka detyrim. Tani nuk luhet vetëm shkëputja, por edhe të tregojë veten se është skuadër. Të gjithë i japin një avantazh më të madh Partizanit, edhe pse nuk e ka bërë shkëputjen, por duke u referuar tek organika dhe postet e dubluara.

Laci starova

Çfarë ju bën përshtypje te ky Partizan, pasi thuhet se ka dy ekipe, por ka luhatje, siç ishte rasti i javës së fundit me Flamurtarin?

Këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Partizani e ka bazën e madhe, por kjo do të shikohet në vazhdim, pasi nuk e ka skuadrën të gatshme për të bërë prepotentin dhe për t’u shkëputur nga të tjerët. Arsyeja është se është krijuar me vonesë. Ekipi ka një trajner të ri, ku pasi doli kampion, Partizani bëri një ndërhyrje të madhe. Ndryshimet ishin me shumicë. Partizani mund të konsiderohet një skuadër e re, me qëllim për të ecur përpara si në kampionat dhe në Europë. Kjo do kohën e vet dhe të shikojmë nëse mund ta bëjë këtë gjë. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumicës, ku dëgjoj se Partizani ka një forcë më të madhe në kampionat, duke u nisur nga lojtarët që ka. Varet se sa shpejt do të vijnë në formë këta lojtarë dhe sa shpejt do të harmonizohen. Kjo do të shikohet pasi të kalojë gjysma e kampionatit.

Në fillim të sezonit edhe qeshën kur ju thatë se Laçi është për vendet e para, madje edhe për kampion. Tani ndiheni krenar, pasi nisur nga rezultatet parashikimi juaj po del?

Mund të ketë qeshur ndonjë tifoz, por jo ata që marrin vesh nga futbolli. Nuk e di se çfarë mendimi kishin këta kur panë Laçin në Kupat e Europës. Ç’mendim kishin kur panë Kirin (Nuabuezen) që në ndeshjen e parë kur bëmë gol? Duhet që Nuabueze të bëjë 7- 8 gola apo 12 që të kthejnë kokën. Kush është specialist, e kupton që ka skuadër që në fillim. Duke parë që të tjerat nuk janë gjë, pasi Tirana ka problemet e saj, Kukësi të vetat, pse Laçi nuk paska qenë për ta thënë këtë gjë? Në një kohë që kjo nuk ishte objektivi minimal, ishte maksimal real. Objektivin maksimal e ka çdo skuadër. Fakt tjetër ishte se Laçi barazoi me Kukësin jashtë dhe fitoi me Partizanin në shtëpi.

sulejman-starova

Ju vjen keq që frytet e një pune që keni bërë ju, siç ndodhi edhe me Feronikelin në Kosovë, i merr dikush tjetër?

Nuk më vjen keq fare. Unë kam punët e mia, vazhdoj të punoj. Janë të tjerët që e vlerësojnë.

Njëfarë mërzie e ndieni?

Jo more. Unë nuk u mërzita kur më hoqën kampionatin me Partizanin, jo më gjëra të tjera.

 Keni deklaruar se nëse Flamurtari dhe Luftëtari nuk janë mirë, do të prishet kampionati. I qëndroni këtij konstatimi? 

Sigurisht që vazhdoj t’i qëndroj asaj që kam thënë, ndonëse Flamurtarin e shikoj se e ka prerë biletën, por do të ishte shumë e mirë të vazhdojnë siç po bën. Ndërsa Luftëtari e ka një dritare për ta sulmuar mbijetesën, por i duhet shumë punë.

 Si e shikoni pjesën e dytë të kampionatit, ku përveç dy ekipeve të fundit, është edhe Skënderbeu i dënuar, që nuk ka objektiv madhor?

Skënderbeu do të vazhdojë të luajë, siç po luan deri tani. Mund të fitojë me më të fortët apo të pësojë 4-5 gola siç i mori në Shkodër. Objektivi i tyre duket se është që të shesin ndonjë lojtar. Nuk është keq edhe ky synim. Për të prishur punë, mund ta bëjë çdo skuadër.

Te Partizani-Laçi, cili individ mendon se mund të bëjë diferencën? 

Nuk besoj se në ndeshje të forta diferencën e bën individi. Megjithëse, pritet nga individi që të bëjë diferencën. Në ndeshje të tilla është gjë e madhe nëse individi e bënë diferencën. Çdo lojtar e tregon veten në ndeshje të tilla të forta apo takime ndërkombëtare. Nuk besoj te diferenca e individëve, pasi të dyja ekipet e kanë forcën te kolektivi. Laçi vërtet udhëhiqet nga Nuabueze, por nuk duhen harruar Xhixha, Teko, Lushkja etj. Edhe te Partizani ka lojë kolektive, por një ditë e mirë e Asanit apo e lojtarëve të tjerë mund të bëjë diferencën. Kjo vlen për t’u parë, pasi nuk parashikohet dot.

Prisni një ndeshje me gola apo me ekipe të mbyllura? 

Kur flas për kolektiv, e kam për faktin se e gjithë skuadra sulmon dhe mbrohet. Kjo lloj mënyre loje, që sot luhet nën gjithë botën, i krijon vështirësi individit. Duke ditur se Laçi ka në favor dy rezultate dhe Partizani e ka fitoren detyrim, është një avantazh që varet sa shfrytëzohet. Laçi do të mbrohet mirë dhe nëse Partizani nuk është i organizuar dhe harron “shpinën”, i ka të gjitha mundësitë për sukses. Ndaj, takimi është interesant dhe i paparashikueshëm.

Për herë të fundit në Elbasan, Partizani ka fituar me Laçin dhe ju keni qenë trajner i të kuqve…

Sa kam qenë unë trajner, Elbasani i ka sjellë fat Partizanit. Por, ka ndryshuar këtë vit, pasi Partizani e ka disavantazh. Së pari, s’garanton pjesëmarrjen e tifozëve si në kryeqytet. Por, ka edhe kujtime të hidhura nga Elbasani këtë vit, pasi u mund nga Kukësi.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"