EKSKLUZIVE/ Ofendoi Brdariçin, Da Silva bën “mea culpa”. Zbulohet vendimi i Vllaznisë për fantazistin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2022 | 14:38

EKSKLUZIVE/ Ofendoi Brdariçin, Da Silva bën “mea culpa”. Zbulohet vendimi i Vllaznisë për fantazistin

Nuk ka zgjatur shumë “konflikti” mes mesfushorit brazilian Viktor da Silva dhe trajnerit Tomas Brdariç, i cili e zëvendësoi lojtarin pas dëmtimit që pësoi në fytyrë në ndeshjen ndaj Tiranës.

VIKTOR DA SILVA

Kanë mjaftuar pak minuta dhe vetëm një fjalë e vetme që lojtari dhe trajneri të vazhdojnë si më parë. Gjithçka mësohet se është sheshuar pa nisur ende stërvitja e parë për ndeshjen me Egnatian.

“Panorama Sport” ka mësuar se gjithçka është vënë në vend përpara fillimit të seancës stërvitore të ditës së djeshme, e para për takimin ndaj Egnatias.

Stafi teknik ka organizuar një takim në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” gjatë së cilës është diskutuar gjerësisht reagimi i brazilianit Viktor da Silva ndaj stafit pas zëvendësimit.

Në këtë takim mësohet se mesfushori ka kërkuar falje para ekipit dhe stafit për gjestin e shfaqur në momentin e ndërrimit të tij pas dëmtimit që mori në ndeshjen me Tiranën.

Da Silva e ka argumentuar me gjendjen tensionuese që kishte përfshirë ndeshjen, si dhe dëshira e madhe që ai ka pasur që të vazhdonte të ishte në fushën e lojës.

Mësohet se drejtuesit dhe stafi e kanë mirëpritur ndjesën e brazilianit, duke u shpëtuar edhe masave ndëshkuese të klubit ndaj lojtarit.

Pas kthimit të situatës në normalitet te Vllaznia, ekipi ka vijuar më pas përgatitjet në fushën stërvitore të Golemit, ku Da Silva është shfaqur me grupin duke vijuar seancën.

Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim nëse Viktor da Silva do ta nisë si titullarë apo nga stoli përballjen me rrogozhinasit.

Për aktivizimin e brazilianit do të vendosë stafi mjekësor i ekipit, që po mban nën monitorim dëmtimin që mesfushori mori në fytyrë ndaj bardhebluve.

Stafi mjekësor po zhvillon një terapi intensive me Da Silvën dhe nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve dhe ecurisë së mirë të rikuperimit, shpresohet që 27-vjeçari të jetë gati për ndeshjen e së premtes.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"