EKSKLUZIVE/ “Nuk ishin reale 11 rezultatet superpozitive me Osmanin”, Djarmati: Vllaznia nuk e rrezikon katërshen, edhe pse s’ka super ekip (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 21:47

EKSKLUZIVE/ “Nuk ishin reale 11 rezultatet superpozitive me Osmanin”, Djarmati: Vllaznia nuk e rrezikon katërshen, edhe pse s’ka super ekip (E PLOTË)

Pas humbjes me Laçin, Vllaznia do të tentojë kthesën në Durrës, ku e pret një ndeshje shumë e vështirë me Teutën. Matko Djarmati, i cili te Vllaznia ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te kuqeblutë, beson se mjaft një rezultat pozitiv që skuadra të kthehet si më parë.

matko djarmati

Ai pohon në një intervistë për “Panorama Sport” se starti i dobët me Memellin nuk ishte real, ashtu si dhe 12 rezultatet radhazi pozitive me Osmanin. Për Djarmatin, Vllaznia nuk e diskuton 4- shen e parë, ndërsa përcaktimin e titullit me “Final 4” nuk e miraton aspak.

Matko, si e shpjegoni krizën e Vllaznisë në këto javë të fundit të kampionatit?

Këto janë gjëra që ndodhin në futboll. Çdokush që merret me futbollin i kupton këto situata. Unë vetë e kam përjetuar te Vllaznia kur ishim 11 pikë para dhe humbëm për golavarazh titullin. Siç nuk ishte reale ajo nisje me trajner Memellin, me afro 8 rezultate negative, ashtu nuk ishin reale edhe ato 12 rezultate super pozitive në drejtimin e Osmanit. Tani kanë ardhur edhe këto rezultate. Megjithatë, për mua Vllaznia është në atë vend që i takon dhe duhet të jetë.

A e rrezikon katërshen e parë me këtë gjendje që ka tani?

Nuk e mendoj se Vllaznia do të rrezikojë katërshen. Jo se Vllaznia ka një super ekip, apo luan shumë, shumë mirë futboll, por edhe ekipet e tjera do të gabojnë, siç ka gabuar ajo, kështu që nuk do ta ketë problem për të qenë në katërshen e parë.

Mund ta kthejë titullin në Shkodër pas shumë vitesh?

Katër vitet e fundit, ku për dy vjet kam qenë edhe unë atje, objektivi ka qenë titulli kampion. Objektivi i parë për të është titulli, objektivi i dytë mbetet Kupa dhe objektivi minimal ka qenë pjesëmarrja në Kupat e Europës. Nuk mund ta them dot, nëse Vllaznia do të jetë kampione. Kush do të jetë më i fortë në “Final 4”, do të jetë kampion.

Po në Kupë, a mund ta përmbysë Egnatian humbjen e ndeshjes së parë për të shkuar në finale?

Një ekip që nuk është në një formë shumë të mirë, pas atij fillimi pozitiv, është Egnatia. Në këtë rast ka favorin që ka shënuar një gol dhe ka fituar ndeshjen, por edhe është fituese në fuqi e Kupës. Edhe Vllaznia ka eksperiencë në Kupë, prandaj mund të them se do të jetë e hapur gjithçka dhe është e vështirë të përcaktohet ekipi që do të kualifikohet.

Ku duhet të ndryshojë Vllaznia që të kthehet te rezultatet që kishte para pak javësh?

Nuk është ajo që ka sjellë trajneri Osmani, mungon ajo qetësia që ishte përpara edhe në media. Megjithatë, besoj tek eksperienca që ka trajneri. Me një rezultat pozitiv mund të kthehet situata që ishte më përpara.

Çfarë mendimi keni për këtë kampionat që po zhvillohet? Çfarë ju tërheq më shumë vëmendjen?

Skema e zgjedhur “Final 4” për titullin kampion nuk të jep ndonjë dëshirë për ta parë kampionatin. Luan gjithë kampionatin me 36 javë dhe në fund nuk vlen asgjë.

Gjithë ai mund vlen vetëm për katër vendet e para. Të jesh në vendin e parë, ku është Egnatia tani, dhe të luash me vendin e tretë apo të katërt e të humbësh një ndeshje, gjithçka që ke bërë për 36 javë shkon dëm. Kush mendon se me këtë skemë mund ndryshojë kampionatin shqiptar, duhet të shikojë vetëm numrat e tifozëve që e ndoqën këtë kampionat.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"