EKSKLUZIVE/ Nica u mërzit me merkaton, lojtarët kërkojnë kthimin e trajnerit. Zbardhen prapaskenat e dorëheqjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 9:12

EKSKLUZIVE/ Nica u mërzit me merkaton, lojtarët kërkojnë kthimin e trajnerit. Zbardhen prapaskenat e dorëheqjes

Stavri Nica është nga ata që nuk bën kompromis me parimet e tij. Diçka që e ka treguar kudo ku ka trajnuar, i cili shpesh merr vendime të forta.

nica

Kur sheh se gjërat nuk funksionojnë, merr guximin dhe jep dorëheqjen. I tillë është edhe rasti më i fundit, ku fillpas takimit me Vllazninë u ka njoftuar drejtuesve dhe lojtarëve që do të largohet nga skuadra. Një vendim që ka ardhur si “bombë” tek i gjithë Kukësi, pasi kurrsesi nuk e prisnin që kjo marrëdhënie të prishej kaq shpejt, edhe pse gjithçka mund të përmbyset këto orë, të cilat janë vendimtare për rikthimin e Nicës në pankinë.

PRAPASKENAT – Gazeta zbulon edhe prapaskenat e këtij vendimi të Stavri Nicës, i cili nuk ka ardhur vetëm si shkak i humbjes në Shkodër. Për hir të së vërtetës, në këtë ndeshje Kukësi bëri lojën e tij dhe ka zhvilluar një ndeshje pozitive, edhe pse humbja në fund rëndon, sepse e lë skuadrën në zonën e ftohtë të renditjes. Mesa duket, e gjitha lidhet me merkaton në hyrje të skuadrës. Trajneri ka kërkuar lojtarë me peshë dhe që mund t’i shërbejnë ekipit në vazhdimësi, në mënyrë që t’i lejojnë të arrijnë edhe objektivat në përfundim të sezonit. Në këtë situatë, klubi ka dhënë dakordësinë për t’i afruar, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Afrimet janë bërë, por kanë qenë kryesisht lojtarë të rinj dhe që nuk e “ngrohin” shumë trajnerin në situatën ku gjenden. Për këtë arsye, fakti që kampionati startoi dhe kanë kaluar më shumë se dy javë nga hapja zyrtare e merkatos, ndërsa lojtarët që duhen nuk po vijnë, ka bërë që Nica të ndërmarrë këtë vendim. Megjithatë, për aq kohë sa drejtuesit nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar, pritet që të ketë një bashkëbisedim midis tyre dhe trajnerit për të bërë prapakthehu dhe ai ta rishohë menjëherë vendimin. Gjasat janë që palët të ulen dhe ta rigjejnë sërish gjuhën e përbashkët, me “topin” që duket se momentalisht ka kaluar në kahun e drejtuesve.

KËRKESA E LOJTARËVE – Gazeta zbulon edhe kërkesën që i kanë bërë vetë lojtarët në momentin që kanë dëgjuar Nicën t’u japë lamtumirën në dhomat e zhveshjes. Janë vetë ata të cilët janë afeksionuar me metodat e punës së trajnerit edhe janë përpjekur ta ndalin për të marrë vendimin e largimit, duke i premtuar se kthesa do të vijë, ndaj të vijojë ta drejtojë skuadrën. Mesa duket, edhe arma më e fortë që kanë drejtuesit për t’i “prishur” mendjen dhe të bëjnë të mundur rikthimin e Nicës, janë pikërisht lojtarët, të cilët kanë qenë të parët që nuk kanë “pranuar” dorëheqjen e trajnerit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"