EKSKLUZIVE/ Nga projekti te e ardhmja e Troisit, flet Idrizi: Asnjë i interesuar për Flamurtarin veç meje, do të nisim nga…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2020 | 22:36

EKSKLUZIVE/ Nga projekti te e ardhmja e Troisit, flet Idrizi: Asnjë i interesuar për Flamurtarin veç meje, do të nisim nga…

Sinan Idrizi i ka idetë e qarta për të ardhmen. Edhe pse ende nuk kanë nisur procedurat e privatizimit, miratimi i ligjit të sportit jep shpresë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, administratori theksoi se ai e ka gati projektin për të marrë Flamurtarin në dorëzim dhe se shumë shpejt do ia dorëzojë atë edhe Bashkisë Vlorë. Si për të treguar se nuk ka “rivalë”, ai paralajmëron se nuk do të futet në garë nëse do të ketë të interesuar të tjerë për të marrë klubin.

Sinan-Idrizi

Një takim me kryebashkiakun Dritan Leli, i ka dhënë edhe qetësi në këtë drejtim. Nuk kishte si mos lëshonte edhe një “thumb”, e këtë herë e ka për ish-lojtarët e Flamurtarit (të cilët kanë theksuar se mund të bëhen bashkë dhe të mbledhin paratë e nevojshme, për ta rikthyer ekipin). “Unë po pres ofertat e këtyre që duan ta marrin Flamurtarin dhe që kanë dalë garant për gjetjen e fondeve. Unë do të jap ofertat e mia. Së fundmi, doli ligji i ri për sportet dhe që limiton bashkitë deri në 1 milion lekë paga mujore. Por unë nuk dua asnjë lek nga bashkia.

Këto ditë do të çojmë projektin në bashki dhe do të miratohet oferta jonë. Kam takuar sot (dje) kryetarin e bashkisë, Dritan Leli. Më konfirmoi që deri më tani nuk ka ardhur ndonjë ofertë që duan ta marrin klubin. Atëherë do të fillojmë historinë tonë menjëherë. Puna e parë që do të bëjmë janë kontratat e reja tip me lojtarët. Ne jemi të gatshëm që nëse këta na miratojnë projektin, brenda gushtit do të fillojmë menjëherë punën për terrenet sportive. Unë brenda muajit do të sjell projektin, që bashkia ta kalojë menjëherë.

Por e përsëris, nëse vjen dikush me një plan konkret, unë nuk hyj në garë. Nëse është si deri më sot që nuk ka, atëherë ne do të japim një ofertë. Do të bashkëpunojmë me bashkinë dhe do të shikojmë kushtet”, tha fillimisht Idrizi.Idrizi-750x430

LOJTARËT

Administratori flet edhe për projektin që ka për ndërtimin e ekipit. Të parët me të cilët do të ulen për të firmosur kontratën janë Andi Ribaj, Shpëtim Moçka dhe Ardit Hoxhaj. Ai qartësoi se nuk ikën asnjë nga lojtarët nën kontratë dhe që fjalën e ka për të rinjtë e akademisë që do të jenë pjesë e ekipit edhe në Kategorinë e Parë. “Ne do të çojmë ofertën tonë në bashki dhe do të fillojmë rinovimin e kontratave. Tre lojtarët e parë me të cilët do të nënshkruajmë kontratën janë Andi Ribaj, Shpëtim Moçka dhe Ardit Hoxhaj. Pastaj ata që janë në kontratë do të vazhdojnë. Tani është problem që do të fillojmë nga pika zero. Secili dihet që të marrë përgjegjësitë e tij. Do të vazhdojmë edhe me disa përforcime cilësore. Do të mbledhim disa djem të tjerë dhe pastaj do të shikojmë”, u shpreh administratori.

Sinan Idrizi Flamurtari

TRAJNERI

Sinan Idrizi konfirmon Marcelo Troisin si trajner të Flamurtarit edhe në Kategorinë e Parë. Sipas Idrizit, braziliani ka bërë një punë të mirë dhe bashkëpunimi me të do të vijojë. “Trajner do të qëndrojë Marcelo Troisi. Ka bërë një punë të mrekullueshme. Ju e shikoni ndryshimin apo jo? Troisi do të qëndrojë dhe kjo nuk diskutohet fare”, deklaroi kreu i vlonjatëve.

NDESHJA

Administratori ngre si shqetësim edhe mostransmetimin e ndeshjes me Vllazninë, ndërsa e quan diskriminues faktin që kjo ndodh pikërisht tani që Flamurtari ra. “Më thanë dje që katër mbrojtësit vlonjatë kanë qenë të shkëlqyer në ndeshjen me Vllazninë. Por çudia më e madhe ishte ne nuk patëm fat ta shikonim ndeshjen, sepse televizioni që ka fituar të drejtën e televizionit shqiptar nuk e ka transmetuar. Nuk kishte çuar as kamera madje. E drejta televizive çfarë është? Pse nuk e transmetuan dini gjë ju? Asnjë kamer nuk ishte. Ata kanë shkelur të drejtën e kontratës me ne”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"