EKSKLUZIVE/ Nga dyshja e Erzenit te mesfushori i Egnatias, Dinamo arrin akordin me tre lojtarë
Pas disa ditësh “heshtje”, ka zhvillime te Dina mo. Të rejat kanë të bëjnë sigurisht me merkaton dhe bëhet fjalë sërish për akorde në parim me disa lojtarë që ishin pjesë e Superiores sezonin e shkuar. Zyrtarizimet e tyre dhe të të tjerëve do të bëhen shumë shpejt, sipas asaj që pohojnë për gazetën drejtuesit e klubit kryeqytetas.

“Panorama Sport” mëson se janë të paktën 3 emra të rinj që pritet të bashkohen me Dinamon sezonin e ardhshëm, ku dy prej tyre vijnë nga Erzeni dhe një nga Egnatia. Ata janë Nehar Sadiki, Devid Kapllani dhe Eduards Emsis.
SADIKI – Nehar Sadiki është një nga futbollistët që shtohet në listën e afrimeve të Dinamos, pas Behiratçes, Rustem Hoxhës, Lorran dhe Kaçorrit, të cilët mund të konsiderohen pjesë e bluve.

Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut vjen pas një sezoni të mirë me Erzenin, ku luajti 20 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Drejtuesit e Dinamos janë shumë afër marrëveshjes me lojtarin 25-vjeçar, që mund të konsiderohet një përforcim me vlera.
Më parë ai ka luajtur me Renovën, Rabotniçkin dhe Borec Veles në kampionatin maqedonas. Zyrtarizimi te blutë duket vetëm çështje kohe.
KAPLLANI – Nga Erzeni te Dinamo pritet të vijë edhe sulmuesi Devid Kapllani, me të cilin ka një akord presidenti Adrian Bardhi. Sulmuesi 22-vjeçar ka qenë pjesë e Teutës më parë, ndërsa në mes të sezonit të fundit kaloi te shijakasit.

Aty luajti 17 ndeshje, pjesën më të madhe si zëvendësues, duke shënuar edhe një gol. Kapllani do të jetë afrimi i dytë i Dinamos për sulmin, pas Kaçorrit, ndërkohë që me kryeqytetasit mund të bashkohet në vazhdim edhe një sulmues i huaj.
EMSIS – Përforcimi i radhës i takon mesfushës, gjithmonë sipas konfirmimeve nga drejtuesit e klubit blu. Letonezi Eduards Emsis, pjesë e Egnatias sezonin e fundit, do të veshë fanellën e Dinamos në vazhdim, sipas të gjitha gjasave.

Edhe me këtë lojtar ka një akord paraprak nga klubit kryeqytetas. Mesfushori 27-vjeçar, përveç kampionatit letonez, ka provuar edhe atë finlandez dhe armen. Ai ka mbyllur marrëdhëniet me rrogozhinasit dhe pritet të luajë sezonin e dytë në Superiore.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL













