EKSKLUZIVE/ “Ndeshje katastrofë…”, Nexhipi dhe Gega kritikojnë lojtarët e Kukësit: S’e kuptoj si u bllokuat ndaj Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2020 | 23:48

EKSKLUZIVE/ “Ndeshje katastrofë…”, Nexhipi dhe Gega kritikojnë lojtarët e Kukësit: S’e kuptoj si u bllokuat ndaj Tiranës (E PLOTË)

Kukësi zhgënjeu në javën e parë të Superiores, duke humbur pastër 2-0 ndaj Tiranës kampione në fuqi. Të dy golat e pësuar ishin shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, madje brenda një harku të shkurtër kohor gjatë pjesës së parë. Kjo e tërboi trajnerin Skënder Gega, i cili nuk u besonte syve se skuadra e tij e kishte pësuar dy herë nga goditjet standarde.

Gega

Mbrojtja e Kukësit ishte e pakujdesshme, por duke parë edhe në tërësi edhe mungesën e reagimit të skuadrës, ka bërë jo pak përshtypje në klubin kuksian. Drejtuesit teknikë ishin shumë të mërzitur dhe të shqetësuar njëkohësisht. Gjithsesi, trajneri Gega, bashkë me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi, nuk kanë humbur kohë dhe kanë marrë situatën në dorë. Menjëherë pas mbërritjes së skuadrës në Tiranë, stafi urdhëroi se që prej orës 14:00 të së mërkurës, i gjithë ekipi duhet të jetë prezent në kampusin stërvitor “Football Republic”.

Kësisoj, dje drejtuesit teknikë mblodhën lojtarët dhe kryen analizën për ndeshjen e humbur. Nëpërmjet transmetimit me video, trajneri Gega iu ka shpjeguar gabimet lojtarëve, si ato taktike, por dhe ato teknike. Vendosja e ekipit te momenti i pësimit të golave ishte e gabuar dhe ky moment u diskutua me detaje.

Fokusi ka qenë dhe te forca sulmuese dhe organizuese e ekipit, ku shumë lojtarë nuk kanë kryer punën e tyre si duhet. Nga të gjithë lojtarët është pritur shumë, ndërsa mësohet se në analizë është folur edhe me emra konkretë.

DREJTORI DHE TRAJNERI

“Panorama Sport” mëson se analiza nisi me fjalimin e drejtorit Nexhipi, e më pas u ndal shumë gjatë trajneri Gega, i cili me të drejtë ka konstatuar gabimet dhe ka kërkuar llogari. Më pas iu ka dhënë këshillat e duhura lojtarëve, duke iu kërkuar më tepër lëvizshmëri dhe bashkëpunim në fushë. Gazeta arrin të zbardhë disa pasazhe të analizës.

Nderim Nexhipi

“Ishte një ndeshje katastrofë, nuk e mendoja që do luanim kaq dobët. Kemi pësuar gola amatoreskë nga goditje këndi, të cilat mund t’i kishim shmangur shumë thjesht. Çuna, duhet të bëjmë urgjent kthesë, pasi me këtë mënyrë loje s’kemi ku të shkojmë. Sapo kemi nisur dhe duhet të tregojmë se jemi të freskët dhe duhet të bëjmë mirë. Tani kemi ndeshjen e radhës me Partizanin, ku duhet të bëjmë kthesë, pasi ndryshe nuk është mirë kështu”, mësohet të ketë thënë drejtori Nexhipi. Pastaj fjalën e mori trajneri Gega, i cili dhe më parë kishte komunikuar me futbollistët. Këta të fundit i dhanë menjëherë të drejtë trajnerit të tyre, i cili është një njeri që punon shumë në aspektin psikologjik me lojtarët.
skender gega
“E kishim përgatitur ndeshjen mirë, nuk e kuptoj pse u bllokuat në atë lloj mënyrë kundër Tiranës. Nuk luajtët me topin dhe bëtë shumë gabime në mbrojtje, ku u treguat të pafuqishëm në çdo sektor të lojës. Këto gabime as një ekip amator nuk mund t’i bëj. Prisja shumë nga të gjithë ju, që nga porta deri te sulmi. Nuk patëm fuqi reaguese dhe kjo më shqetëson. Mbrojtja bëri gabime të shumta, mesfusha nuk u lidh, nuk furnizon dot, ndërsa krahët e sulmit shumë keq. Në vazhdim do nxjerr të gjitha rastet ku kemi gabuar. Kërkoj nga ju përqendrim, sepse përpara kemi ndeshjen me Partizanin, duhet që gjithsecili të bëj maksimumin. Kjo humbje në këtë mënyrë ishte e tepërt”, ka thënë trajneri Gega para lojtarëve.

Ndërkohë, shumica e futbollistëve të ardhur rishtazi iu duk habi që për një humbje te Kukësi mund ta bëjnë… dramë. Analiza ka zgjatur rreth dy orë, ndërsa ekipi ka zbritur më pas stërvitje për gati një orë. Lojtarët që nuk u aktivizuan morën ngarkesë të plotë, ndërsa futbollistët që ishin në fushë ndaj Tiranës, zhvilluan ushtrime të lehta strecingu e disa xhiro vrap rreth fushës.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"