EKSKLUZIVE/ Miqësore luksi, Partizani mund të luajë kundër Çelsit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2023 | 23:57

EKSKLUZIVE/ Miqësore luksi, Partizani mund të luajë kundër Çelsit

Ka shumë të ngjarë që klubi i Çelsit të zhvillojë një miqësore në Shqipëri pas dy javësh.

Collage Maker-21-Jul-2023-08-20-AM-8582

Aktualisht skuadra londineze, ku luan Armando Broja, ndodhet në SHBA ku po kryen fazën përgatitore dhe një tur ndeshjesh miqësore, por me sa duket vizita e pronarit të tyre, Tod Bohli, pak ditë më parë në Palasë, ka dhënë “efektet” e para.

Ende nuk është zyrtare, por burime të besueshme bëjnë me dije për “Panorama Sport” se gjigantët anglezë mund të zbarkojnë sërish në kryeqytet. Ndërkaq, edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi, mes të tjerave, në mbledhjen e djeshme, se në gusht do të ketë një miqësore të bujshme në kryeqytetin tonë.

“Dëgjova se kemi disa surpriza të reja në gusht, ekipe ndërkombëtare, por nuk jam i autorizuar ta them emrin, do të vijnë të luajë ndeshje miqësore në Tiranë”, tha mes të tjerash kryebashkiaku i Tiranës. Ka shumë të ngjarë që të bëhet fjalë për të njëjtën temë, ardhjen e Çelsit në Shqipëri.

PARTIZANI NË MES – Nuk është përcaktuar ende skuadra me të cilën do të përballet Çelsi, por të dhënat paraprake janë se ata mund të ndeshen në miqësore me kampionët e Shqipërisë, Partizanin. Fakti që në mes janë edhe menaxheri i njohur Fali Ramadani, apo edhe agjenti i Silvinjos, Altin Taho, të bëjnë të mendosh se do të jenë “demat” kundërshtarët e bluve.

Pse? Sepse të dy këta persona lidhjet më të afërta i kanë me drejtuesit e klubit të Partizanit. Por do të ishte edhe logjike që Çelsi të zhvillonte miqësoren me kampionët e vendit tonë.

DIKUR MILANI DHE REALI = Nuk është hera e parë që një klub i madh europian vjen të zhvillojë një miqësore në Shqipëri. Dikur kanë ardhur edhe Milani me Realin e Madridit, ndeshje që asokohe mundësoheshin nga biznesmeni Rezart Taçi. Për disa kohë madje Milani ngriti edhe një kamp fëmijësh për trajnimin dhe seleksionimin e tyre, duke shtuar popullaritetin në radhët e tifozëve shqiptarë. Kujtojmë që pak ditë më parë ishte pronari i Çelsit, Tod Bohli, që zhvilloi një takim me biznesmenë dhe Igli Taren në Palasë.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"