EKSKLUZIVE/ Milinkoviç i hap dyert Vlorës: Luftëtari të mbajë Likën, ja si e zbuluam Abazajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2018 | 22:20

EKSKLUZIVE/ Milinkoviç i hap dyert Vlorës: Luftëtari të mbajë Likën, ja si e zbuluam Abazajn

Mlladen Milinkoviç shkeli në tokën shqiptare për herë të parë në verën e vitit 2016. Klubi i Luftëtarit i besoi pankinën dhe nën drejtimin e tij, gjirokastritët e mbyllën kampionatin e sezonit 2016-2017 në vendin e katërt. Largimi mes polemikave nga bluzinjtë te Kukësi nuk ishte një ogur i mirë për 50-vjeçarin. Ironia e fatit bëri që Milinkoviç të largohej nga drejtimi i verilindorëve pikërisht pas një humbjeje ndaj ish-ekipit të tij, Luftëtarit, në dhjetor të vitit 2017.

Milinkovic

Serbi fitoi shumë popullaritet në Gjirokastër, por edhe në opinionin sportiv. Mirëpo, tashmë skuadra ku u bë i famshëm, e sheh veten të kualifikuar në Europë, ashtu si Kukësi, që e mbylli si nënkampion. Prej pesë muajsh, Milinkoviç është i papunë, por pret të nisë një aventurë të re, madje është gati për t’u kthyer në Shqipëri. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, serbi pranon të flasë ekskluzivisht për gazetën në lidhje me të shkuarën e tij në Shqipëri.

I kontaktuar nga “Panorama Sport”, serbi pranon të flasë ekskluzivisht për gazetën në lidhje me të shkuarën e tij në Shqipëri. Fillimisht kërkon mirëkuptim, pasi nuk dëshiron të komentojë gjëra që kanë lidhje me Kukësin. Ashtu siç bëri kur iku nga Luftëtari, edhe këtë herë serbi ka paditur klubin verilindor në FIFA për dy paga të padhëna.

Sa i lidhur jeni me kampionatin shqiptar që pas largimit nga Kukësi?

Patjetër që jam i lidhur. E kam ndjekur dhe ajo që më bëri përshtypje këtë sezon ishte ecuria e disa futbollistëve të rinj. Kjo është një gjë shumë pozitive për kampionatin, por mbi të gjitha për Kombëtaren shqiptare.

Milinkovic

Këtu i referoheni transferimit të Abazajt dhe Gurit në Belgjikë…?

Po, patjetër. Abazaj bëri një sezon fantastik dhe i takonte të shkonte në një kampionat më të mirë. Me punën e tij, ndihmën e  skuadrës dhe klubit, ia arriti të shkonte tek Anderleht. Për sa i përket Gurit, që ditën e parë kur fillova te Kukësi, i thashë që i ke të gjitha të dhënat për të bërë një karrierë të ndritur jashtë Shqipërisë. Besova te Guri dhe prandaj e aktivizova titullar që në ndeshjen e parë. Meqë më jepet rasti, Abazajt dhe Gurit u uroj suksese dhe të arrijnë sa më lart.

Na tregoni pak historinë e Abazajt, si i pari trajner që e keni afirmuar në Kategorinë Superiore me Luftëtarin…?

Më kujtohet si tani data kur Abazaj erdhi në Gjirokastër. Ka qenë 11 korrik 2016. Ishte mes shumë futbollistëve që kishin ardhur për provë te Luftëtari. Ishin aq shumë futbollistë saqë u detyruam të bënim dy seanca stërvitore me dy grupe, bashkë me ndihmësin tim, Vasil Papa. Të them të drejtën, Abazaj bëri diferencën që në stërvitjen e parë. I thashë Vasilit (ndihmësit) që këtë djalë do e mbajmë se ka shumë të ardhme. Dhe në fakt, Abazaj ma vërtetoi në maksimum. Kalimi tek Anderlehti është një hap i madh për të dhe njëkohësisht hap dyert edhe për lojtarë të tjerë shqiptarë.

Si për koincidencë, dy skuadrat që keni drejtuar në Shqipëri, Kukësi dhe Luftëtari, e mbyllën kampionatin në vend të dytë dhe të tretë. E prisnit?

Isha i sigurt që do të renditeshin lart.

Milinkovic Kukesi

Shpesh trajneri Peter Pakult ka përmendur faktin që e gjeti Kukësin në vend të katërt dhe e ngjiti të dytin. Keni ndonjë koment?

Jo.

Po përflitet se keni kontakte me Flamurtarin. Si është e vërteta dhe a jeni gati të riktheheni si trajner në kampionatin shqiptar?

Koha do ta tregojë këtë. Çështjen po e ndjek kompania që më menaxhon.

Luftëtari arriti një sukses historik, duke shkuar në Europë, por ende nuk e ka konfirmuar trajnerin Hasan Lika. Ju josh ideja për një rikthim në Gjirokastër pas polemikave që kulmuan edhe me gjyq në FIFA?

Ajo që ndodhi vjet i përket së shkuarës.  Luftëtari në sezonin e fundit e meritoi plotësisht pjesëmarrjen në Europë, sepse luajti futboll të bukur dhe mbi të gjitha real. Për sa i përket trajnerit, jam i mendimit që duhet të vazhdojë Hasan Lika, pasi ka meritë në arritjen e objektivit.

Milinkovic

Kush mendoni se do të ecë në rrugën e Abazajt dhe Gurit?

Kampionati i fundit nxori në pah cilësitë e disa futbollistëve të rinj, që trajnerët u besuan minuta. I tillë ishte Ethemi te Kukësi, Bardhi te Partizani, si dhe Uzuni e Lushkja te Laçi.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"