EKSKLUZIVE/ “Merkatoja na forcoi”, Stavri Nica: Moment reflektimi, na duhen patjetër pikët ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 9:09

EKSKLUZIVE/ “Merkatoja na forcoi”, Stavri Nica: Moment reflektimi, na duhen patjetër pikët ndaj Dinamos

Pas fitores në Kupë ndaj Elbasanit dhe avancimit në fazën tjetër të saj, në Kukës janë të bindur se ka ardhur koha që ekipi të rikthehet tek fitorja edhe në kampionat.

nica

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para sfidës me Dinamon, trajneri i Kukësit, Stavri Nica, shpreson që në fushë të shohë të njëjtën skuadër si me verdheblutë pak ditë më parë.

“Avancimi në Kupë ishte një plus i mirë. Më pëlqeu më shumë fakti se skuadra ishte shumë e impenjuar dhe tepër agresive. Për më tepër hyri me bindje për të dhënë maksimumin dhe është diçka që mua si trajner më kënaq. Ky kalim ka të bëjë shumë edhe për vazhdimësinë, ndaj e shoh pozitivisht për ecurinë tonë edhe në kampionat”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit.

DINAMO – Kupa është lënë pas krahëve dhe tani Kukësi ka nevojë për pikët në kampionat. Kalendari i ka rezervuar një përballje direkte me Dinamon, me Nicën që ka besim se do të vijnë edhe pikët e pritura nga ana e skuadrës: “Sigurisht që rëndësia është shumë e madhe në këtë ndeshje. Është një moment reflektimi për ne, ku jemi në ato kushte që na duhen të bindim edhe skuadrën që është mirë. I kemi shumë të nevojshme pikët në këto momente, ndaj nuk na mungon besimi se do t’ia dalim me sukses. Jemi përgatitur për të dhënë dhe marrë maksimumin nga kjo përballje. Shpresoj të kemi një paraqitje të mirë dhe të shpresojmë edhe për të marrë edhe pikët”, vijoi më tej Nica.

MERKATO – Jo pak herë Nica i ka treguar hapur gjërat që nuk shkonin në skuadrën e tij, sidomos kur bëhej fjalë për merkaton. Por, me kalimin e ditëve, duket se afrimet e bëra po e bindin: “Kemi bërë disa afrime dhe them se jemi forcuar ndjeshëm, sidomos në repartin e mbrojtjes, por edhe sulmit. Po përshtaten thuajse të gjithë lojtarët që kemi marrë, sidomos sulmuesi moldav. Tani të shpresojmë që të gjithë të kontribuojnë në skuadër dhe të tregojnë vlerat e tyre”, mbylli Nica.

V.MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"