Ekskluzive/ Memushaj me shiritin e kapitenit: Ja çfarë më tha De Biazi e Cana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2016 | 18:28

Ekskluzive/ Memushaj me shiritin e kapitenit: Ja çfarë më tha De Biazi e Cana

Ka qenë për herë të parë në fushë me një shirit kapiteni. Diçka të tillë e ka provuar çdo javë te Peskara në Itali, mirëpo duke qenë se në Luksemburg kishte fanellën e Kombëtares dhe shiritin e mori nga Lorik Cana, për Ledian Memushajn ka qenë një moment special.

Untitled-192-470x281Në rrëfimin për “Panorama Sport” në përfundim të takimit, mesfushori i Kombëtares tregon këtë moment. “Jam hutuar fare kur De Biazi më tha se do të isha unë kapiteni.

Nuk kujtoj më asgjë, pasi ishte kënaqësia më e madhe në karrierën time”, shprehet fillimisht vlonjati. Memushaj ishte një nga lojtarët më të vjetër në Kombëtare, debutimi i të cilit ka qenë përpara secilit prej futbollistëve të tjerë.

Mirëpo, nuk mund të ndodhte ndryshe dhe shiritin do t’ia lidhte pikërisht “pronari”. “Ishte Loriku që ma lidhi shiritin në krah para ndeshjes, mirëpo nuk kujtoj asnjë fjalë nga ato që më tha.

E përsëris që u emocionova, pasi ishte një ndjesi e veçantë për mua që të zbrisja në fushë si kapiten”, vijon futbollisti.

Sa i përket ndeshjes, ai bën me dije se të gjithë e kishin të qartë që do të ishte një takim i luftuar dhe i vështirë, për shkak se Luksemburgu pritej që të bënte një lojë në mbrojtje.

“E prisnim një ndeshje të tillë, pasi e menduam që Luksemburgu do të mbyllej prapa dhe do të na e vështirësonte punën.

Mirëpo, me kalimin e minutave, do të ishim ne ata që do të provonim me çdo kusht. As kushtet e fushës nuk na ndihmuan aspak, mirëpo mbështetja e tifozëve në shkallët e stadiumit na dha forcë dhe fatmirësisht morëm një fitore”, deklaron Memushaj për “Panorama Sport”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"