EKSKLUZIVE/ “Më frymëzon Ibra, ëndërr të përfaqësoj Kosovën në Botëror dhe Europian”, Daku: E kaluar e hidhur te Kukësi, Lacio më ka ndjekur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2020 | 17:55

EKSKLUZIVE/ “Më frymëzon Ibra, ëndërr të përfaqësoj Kosovën në Botëror dhe Europian”, Daku: E kaluar e hidhur te Kukësi, Lacio më ka ndjekur (E PLOTË)

Te Kukësi duhet të jenë bërë pishman që e lanë të lirë Mirlind Dakun gjatë janarit të 2020-ës. Ai tashmë luan me Ballkanin në Kosovë dhe po kalon një formë të shkëlqyer.

DAKU

Në 9 ndeshje kampionati, 22- vjeçari ka shënuar plot 15 gola. I riu ka nisur një cikël të ri dhe duket i bindur që e ardhmja për të do të jetë e ndritur. Nga e shkuara e hidhur te verilindorët tek interesi i Lacios, sulmuesi i rrëfen të gjitha në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

15 gola në 9 ndeshje, cili është sekreti i Mirlindit?
Sekreti i kësaj ecurie është puna e madhe gjatë fazës përgatitore. Jam shumë i përqendruar te stërvitja dhe mundohem maksimalisht të ruaj balancat me dietën dhe jetën e përditshme. Jam i dedikuar tërësisht te futbolli.
zlatan-ibrahimovic-milan-derby-696x463
Kush është sulmuesi që ju frymëzon?
Stili dhe egoja e Ibrës më tërheq shumë, por te gjithë sulmuesit e fortë i ndjek lëvizjet e tyre. Mundohem të mësoj gjëra të reja çdo ditë.

Sezonin e kaluar ishit te Kukësi, pse nuk shkoi ashtu si duhet eksperienca në Shqipëri?
Nuk e di, për Kukësin nuk dua të flas shumë. Ka qenë pjesë e kaluarës së hidhur. Tani jam mirë dhe pres të vazhdoj në këtë ritëm. Ata që s’më besuan, le të vazhdojnë të mos besojnë.

Mendoni se Kukësi është bërë pishman që nuk besoi te ju?
Jam bërë unë pishman që ika te Kukësi dhe jo ata për mua.

mirlind daku

Pra, e quani gabim atë eksperiencë?
Nuk duhet të kisha shkuar hiç, por rrethanat kanë qenë të tilla dhe unë besova, por më mirë që kemi kësi situatash të këqija në karrierë, sepse mësojmë shumë dhe rritemi.

Kukësi është transformuar këtë merkato, kanë ikur edhe shumë lojtarë me të cilët ju keni luajtur…
Secili e di vetë punën e tij, por unë di të them që atje kam pasur shokë të mrekullueshëm, si Musolli, Limaj, Ethemi apo ndonjë tjetër.
Shpetim Duro
Çfarë ju ka thënë trajneri Duro në periudhën që ishit te Kukësi?
Kemi komunikuar si trajneri me lojtarin. E kam pasur shansin, por nuk janë sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithsesi, unë kam respekt për Duron dhe i dëshiroj gjithë të mirat.

Mediat italiane kanë shkruar se klube si Lacio dhe Torino janë interesuar për të blerë kartonin tuaj tek Osijeku. Si është e vërteta?
Jo vetëm Lacio. Ka pasur shumë klube që më kanë ndjekur, por tani jam i fokusuar të ndihmoj Ballkanin në objektivat sezonalë.

Ka pasur ndonjë klub tjetër nga Kategoria Superiore që ju ka kërkuar?
Po, ka pasur disa klube, por për shkak të korrektësisë dhe aspektit profesional nuk po i jap emrat.
Broja Kosova
Cila është ëndrra juaj në futboll?
Ëndrra ime është që një ditë të përfaqësoj Kombëtaren e Kosovës në Europian ose Botëror.

Mendoni se është e realizueshme kjo?
Pa dyshim, me punë çdo gjë mund të arrihet. Kosova ka një brez të mrekullueshëm lojtarësh dhe kam bindje që shumë shpejt kjo ëndërr do të bëhet realitet. Sa për veten time, po punoj shumë, me mish e me shpirt, që të arrij sukses me skuadrën time e më pas të arrij dhe të grumbullohem me Kombëtaren e madhe. Kam besim te forcat e mia.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"