EKSKLUZIVE/ “Maget lojtari kryesor”, rrëfimi i Ledio Panos: Për kthimin e Skukës s’më vjen mirë, ja çfarë duhet te Partizani (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 23:45

EKSKLUZIVE/ “Maget lojtari kryesor”, rrëfimi i Ledio Panos: Për kthimin e Skukës s’më vjen mirë, ja çfarë duhet te Partizani (E PLOTË)

Partizani pësoi një humbje shumë të dhimbshme të shtunën ndaj Laçit, në një ndeshje të dominuar thuajse totalisht, por me një fund që rezultoi fatal.

ledio pano

Ledio Pano, ish-futbollist i Partizanit dhe ish-trajner në akademinë e kuqe, ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja e “demave”. Ai vë në dukje mungesën e altruizmit dhe mendjemadhësinë e disa prej lojtarëve dhe shprehet se ky Partizan ka nevojë për “një dorë të hekurt” sa i përket disiplinës.

Si një njeri i futbollit në fushë dhe jashtë saj, si mendoni se mund ta zgjidhë Partizani “sëmundjen” e rasteve të humbura?

Që të luash futboll, duhet të jesh lojtar grupi, jo individualist. Aty ka individualitete, të cilët nuk shkrihen sa duhet me grupin dhe e bëjnë këtë haptazi. E bëjnë shumë herë, jo në një moment të veçantë. Cara dhe Rrapaj janë emrat parësorë të këtij ekipi aktual, por ata duhet të shkrihen me grupin për të dhënë maksimumin dhe për të rritur cilësitë e tyre.

Ndoshta edhe thashethemet e merkatos se do të shiten dhe që kërkohen shumë në merkato, ndikojnë dhe mendjemadhësia bën punën e saj. Unë besoj se duhet një “dorë e hekurt” aty në ekip për t’i ulur me këmbë në tokë këta djem. Them “dorë e hekurt” dhe i referohem disiplinës në lidhje me këtë.

Çfarë mendoni se mund të ndryshojë Shehi te ky Partizan i këtij sezoni? Është vetëm fillimi dhe gjithnjë një trajner i ri e ka të vështirë në një ekip të ri për të vënë në skenë idetë e tij. Shehi e ka treguar se është një trajner me mentalitet fitues, siç ka qenë edhe si futbollist dhe besoj se me kalimin e kohës do të vërë veton në mënyrën sesi duhet të luajë ekipi. Aktualisht është fillimi dhe vështirësitë janë aty.

Ku mendoni se është ndryshimi për Shehin në lidhje me atë që bënte te Tirana dhe atë që bën tani te Partizani?

Partizani është një klub më i qetë. Nuk i ka ato mosmarrëveshjet që mund t’i ketë Tirana brenda në strukturën e saj, por edhe me tifozët e saj. Partizani është një klub, që e lë trajnerin të punojë dhe të shpalosë idetë e tij. Koha do ta tregojë sesa i vlefshëm do të jetë Shehi në një klub si Partizani.

Me forcën financiare që ka ky Partizan, por edhe me potencialin e ekipit, a mendoni se mund të shkojë në grupet e një kompeticioni europian?

Që të shkosh në grupe, do njëfarë kohe. Do vite, sa të konsolidosh ekipin. Marrja e shumë lojtarëve të rinj është diçka pozitive. Janë të rinj me talent dhe me mentalitet fitues, por problemi është se duan kohën e tyre që të lidhen me njëri-tjetrin dhe të krijojnë forcën e grupit. Prandaj them se nuk më pëlqeu ndeshja e fundit, sepse nuk treguan karakterin që duhet dhe nuk kishin lidhjen që duhet të kenë me njëri-tjetrin. Secili donte të tregonte vlerat e veta dhe ishin të shkëputur nga njëritjetri. Prandaj edhe ndeshja shkoi në atë mënyrë.

Çfarë ndikimi keni vënë re në Kategorinë Superiore për shkak të formulës?

Njëfarë neglizhence nga ekipet kryesuese sigurisht që e kam parë. Nëse Egnatia dhe Partizani janë të veçuara, kërkojnë edhe të menaxhojnë gjendjen fizike për të shmangur dëmtimet në fazën finale të kampionatit.

Duan të jenë gati për momentin final. Ekipet e tjera pastaj përfitojnë edhe nga neglizhenca e këtyre ekipeve. Gjithashtu, lufta nuk është ashtu siç duhet të ishte nëse nuk do të ishte “play-off”- i. Në fund do të shohim si do të shkojë. Normale nuk është, sepse të luash 36 javë dhe të të zerohen në fund pikët, nuk shoh të ketë ndonjë kuptim.

Si ju duket afrimet e Skukës dhe Ismailit dhe sa i frytshëm mendoni se do të jetë huazimi i dibranit?

Partizani duhej të kishte bërë lëvizje në mbrojtje, duke pasur shumë mungesa, shto këtu edhe dëmtimin e Bytyçit. Ata vazhdojnë sërish me lojtarë sulmues, në një repart, ku Partizani ka lojtarë të shumtë. Skuka duhej të ishte shumë më i përgatitur, duke qenë se u largua para një viti.

Por ky është ai minusi i lojtarëve shqiptarë, që mendojnë se janë gati të luajnë jashtë dhe kthehen shumë shpejt. Për Skukën nuk më vjen mirë që u kthye, por për Partizanin besoj se do të jetë një forcë plus për vazhdimin e kampionatit.

Sipas jush, kush është surpriza për mirë dhe befasia për keq te Partizani i këtij sezoni?

Aktualisht Maget është lojtari kryesor, ai që po bën diferencën. Të tjerët duhen parë. Deri diku edhe Sota, që po mban peshën e mbrojtjes. Porta me Qirkon mendoj se është e konsoliduar. Të tjerët për mendimin tim nuk janë aty ku duhet të jenë.

Egnatia tashmë është tetë pikë para. Besoni se Partizani mund ta parakalojë në renditje?

Kjo formula me “play off”-in nuk e bën të domosdoshme që ta mbyllësh në krye. E rëndësishme është që në ato ndeshje të jesh në maksimumin tënd dhe të tregosh forcën dhe potencialin tënd. Aktualisht Egnatia ka treguar se është ekipi më i qëndrueshëm dhe më i mirë i kampionatit, duke u larguar edhe nga vendi i dytë. Por duhen parë, sepse e pamë që ndaj Tiranës pësuan 5 gola. Ekipet historike e kanë forcën e fanellës.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"