EKSKLUZIVE/ “Luftojmë në të dy frontet për Europën, përmbysja e rezultatit tregon forcë”, Skuka: I shënoj dhe Vllaznisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2022 | 13:49

EKSKLUZIVE/ “Luftojmë në të dy frontet për Europën, përmbysja e rezultatit tregon forcë”, Skuka: I shënoj dhe Vllaznisë!

Thuhet se sulmuesit janë më të zotë të flasin në fushë me gola, duke mos i preferuar shumë fjalët. I tillë është rasti i Xhuljano Skukës, i cili shënoi sërish për të kuqtë e Partizanit, kësaj here ndaj Teutës, ku i dha barazimin e përkohshëm dhe i hapi rrugën përmbysjes. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, i prerë dhe lakonik në përgjigje, 23-vjeçari pohon se shpreson të vazhdojë të shënojë sërish për këtë skuadër, teksa një të tillë e pret edhe në sfidën e kthimit në Kupë përballë Vllaznisë. Pavarësisht formës së mirë, autori i shtatë golave deri tani për të kuqtë, nuk i vë objektiva personalë vetes, por mendon gjithnjë të shënojë vetëm për t’i dhënë pikë skuadrës.

SKUKA 4

Shënuat një tjetër gol me vlerë që ndihmoi skuadrën për të marrë tri pikët. Si ndiheni?

Normal, pas çdo goli ndihem mirë dhe tani shpresoj që të vazhdoj kështu.

E nisët në disavantazh, por e kthyet ndeshjen në favorin tuaj. Çfarë tregon kjo për Partizanin?

Kjo tregon forcë, normalisht. Për më tepër, që me atë që po jepnim në fushë, dukej që ekipi kishte besim se do ta kthente rezultatin.

Cilët janë objektivat tuaj personalë deri në mbyllje të sezonit?

Të jem realist asnjëherë nuk e kam menduar këtë aspektin personal. Dua thjesht të shënoj sa më shumë dhe t’i bëj punë Partizanit.

Tani po i afroheni Europës edhe nëpërmjet kampionatit do ta synoni edhe nga aty dhe jo vetëm nga Kupa?

Pse jo, mundësitë janë. Ne do të luftojmë deri në fund në të gjitha frontet.

Tani ju pret ndeshja e kthimit në Kupë me Vllazninë. Shpresoni të shënoni edhe aty?

Them se po, me ndihmën e Zotit do t’ia dal.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"