EKSKLUZIVE/ Luajtën vetëm miqësore, kush janë yjet e Shpresave që i pengon… pasaporta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2023 | 22:03

EKSKLUZIVE/ Luajtën vetëm miqësore, kush janë yjet e Shpresave që i pengon… pasaporta

Kombëtarja shqiptare po u beson të rinjve, prak tikë kjo që ndodh në të gjithë futbollin botëror. Nëse shohim listën e lojtarëve të thirrur së fundmi apo edhe në dy vitet e fundit, do të vëmë re se shumë elementë të rinj janë veshur me fanellën kuqezi dhe gjithashtu ka pasur edhe afrime që më parë nuk u është dhënë mundësia, kjo edhe një strategji për t’i paraprirë dhe për të mos përsëritur rastin e Amir Rrahmanit apo Milot Rashicës, të cilët sot nuk luajnë për Shqipërinë.

kombetarja shpresa

Duke e nisur nga ekipet zinxhirë dhe deri te Kombëtarja Shpresa, e cila është edhe një trampolinë për në ekipin A, sheh sot në përbërjen e saj shumë lojtarë të talentuar dhe një brez me lojtarë cilësorë që luajnë nëpër Europë.

Në miqësoren e fundit të U-21, atë të zhvilluar në “Elbasan Arena” ndaj Bullgarisë, e cila u fitua me rezultatin 3-1, ata që dalluan ishin autorët e golave, jo vetëm sepse shënuan, por edhe për paraqitjen e tyre.

Medon Berisha, Arda Kurtulan dhe Stiven Shpendi bënë golat, po gjithashtu me ndihmën e lojtarëve të tjerë që zhvilluan ndeshje shumë të mirë si Civeja, Rexhepi, Pajaziti, Mjaki apo edhe lojtarët e tjerë të mbrojtjes. Por, këtu jemi në rregull derisa të vijmë te përfaqësimi në një ndeshje zyrtare i disa prej këtyre lojtarëve.

Problemi qëndron te pajisja me pasaportën shqiptare, ku një pjesë e mirë nuk e kanë dhe “Panorama Sport” mëson se gjithçka është bllokuar në presidencë, pasi aplikimet nuk janë dekretuar ende, edhe pse kanë kohë që ndodhen aty. Kështu që nëse pajisja me pasaportë nuk ndodh deri në shtator, futbollistët nuk mund të luajnë në ndeshje zyrtare të kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë.

MEDON BERISHA- Mesfushori i qendrës është në pronësi të Leçes, klubit të Serisë A që e aktivizon me ekipin e të rinjve, aty ku Medon Berisha mban shiritin e kapitenit dhe sapo mbylli një vit të suksesshëm.

medon berisha

Ekipi i tij u shpall kampion i kampionatit të të rinjve në Itali dhe mesfushori i talentuar arriti që të shënonte 11 herë në 39 ndeshje e të jepte edhe 4 asiste, shifra të larta për një lojtar, i cili luan disi larg portës.

Në qershorin e kaluar ai luajti me Kosovën U-21, por në shtator veshi fanellën kuqezi dhe deri tani ka luajtur vetëm në ndeshje miqësore. 19-vjeçari shihet si një nga talentet më premtuese të skuadrës së Leçes që shumë shpejt pritet ta afrojë në ekipin e parë si dhe gjithashtu shihet si një element i rëndësishëm edhe për Kombëtaren shqiptare në fushatat kualifikuese të mëtejshme.

berisha

ARDA KURTULAN- Me origjinë të largët nga shqiptarët e Shkupit, Arda Kurtulan zgjodhi dëshirën e familjes së tij, që të përfaqësojë rrënjët e të parëve. Mesfushori me tipare sulmuese që ka dalë nga akademia e Fenerbahçes, ishte autor i një prej golave në fitoren e Shpresave me Bullgarinë.

arda kurtulan

Vitin e kaluar ai përfaqësonte Maqedoninë e Veriut me moshat ku kishte shënuar edhe katër gola, por tashmë është në listën e Alban Bushit dhe shihet si një nga pikat kryesore ku do të mbështetet Kombëtarja U-21 në kualifikueset e Europianit.

Në pronësi të Adana Demirsporit, ai u huazua gjysmën e dytë të këtij sezoni te Kacabei, aty ku në 14 ndeshje shënoi tri herë.

kurtulan

STIVEN SHPENDI- Sulmuesi elegant, i cili mahniti Italinë në kampionatin e të rinjve, duke shënuar mbi 20 gola me Çezenën, këtë sezon kaloi në ekipin e parë dhe sërish ishte protagonist.

shpendi stiven

Stiven Shpendi në 34 ndeshje shënoi 12 gola e tri asiste, për sezonin e parë në nivel profesionist të rriturish. Shifra që tregojnë cilësitë e shqiptarit, që vlerën aktuale sipas “Transfermarkt” e ka 1.4 milionë euro dhe vetëm në moshën 20-vjeçare.

Pas tij janë vënë disa ekipe të mëdha të Serisë A. Ndërkohë ai ka qenë pjesë e Shqipërisë U-19 në dy ndeshje dhe më pas ka kaluar tek ekipi Shpresa, ku ka shënuar edhe dy herë.

stiven shpendi

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"