EKSKLUZIVE/ “Kukësi nuk dorëzohet për titullin”, flet Shkurtaj: Rrogat i marrim të hënën, nuk më kënaq vendi i…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2020 | 16:57

EKSKLUZIVE/ “Kukësi nuk dorëzohet për titullin”, flet Shkurtaj: Rrogat i marrim të hënën, nuk më kënaq vendi i…

Për Vasil Shkurtajn nuk ka rëndësi nëse luan në kampionat apo Kupë, dëshiron gjithnjë të shënojë dhe një gjë të tillë e tregoi edhe në sfidën e djeshme ndaj Apolonisë.

Shkurtaj

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” në përfundim të sfidës së djeshme, bomberi i verilindorëve kërkon ende me çdo kusht kampionatin me Kukësin dhe nuk heq dorë lehtë, duke mos pranuar “të firmosë” vendin e dytë në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.

Shkurtaj i kthehet edhe humbjes në Laç, e cila i ka penalizuar shumë në lidhje me titullin kampion. Sa u përket pagave të prapambetura, u është premtuar që të hënën do të shlyhen, duke mos e konsideruar si një çështje këtë gjë te Kukësi edhe pse indirekt e pranon që vonesa ekziston.

Shënuat edhe në Kupë, si ndiheni?

Një sulmues është gjithnjë i kënaqur kur shënon. Por, më shumë jam i lumtur që sot (dje) fitoi skuadra dhe u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës. Tani do mendojmë të shohim përpara për ndeshjen e kampionatit, atë me Bylisin.

Fitues i Kupës dhe vendin e dytë në kampionat. Do e pranonit që sot?

Jo, jo! Nuk do isha i kënaqur me këtë verdikt. Kupën e kam fituar me Kukësin, këtë vit dua kampionatin. Ne do ta provojmë dhe të bëjmë të pamundurën deri në fund, pastaj të shohim si do shkojë.

Çfarë nuk shkoi në Laç, sepse ajo humbje ju ka penalizuar shumë?

Patjetër që na ka penalizuar. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne që duhet ta kishim fituar. Bëmë të pamundurën për këtë ndeshje, por ashtu si erdhi situata brenda në fushë nuk na ndihmoi të bënim lojën që duhej. Kjo gjë na nervozoi dhe nuk bëmë dot më të mirën tonë.

A është e arritshme Tirana me 9 pikë para?

Është shumë e vështirë, por ne do të luftojmë deri në fund.

Me pagat çfarë bëhet te Kukësi. Çfarë zgjidhjeje morët, pas problemeve që patët?

Asnjë problem, të hënën do marrim lekët.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"