EKSKLUZIVE/ Krisje te Dinamo! Debate dhe gjoba për lojtarët, zbulohen prapaskenat te blutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 14:39

EKSKLUZIVE/ Krisje te Dinamo! Debate dhe gjoba për lojtarët, zbulohen prapaskenat te blutë

Dinamo po rrëshqet drejt Kategorisë së Parë dhe kuptohet që situata është e tensionuar në skuadër, pasi sezoni nisi me objektiva të tjerë.

dinamo

Blutë humbën një tjetër shans për të rritur shpresat e mbijetesës në ndeshjen ndaj Skënderbeut, ku nuk shkuan më shumë se barazimi.

Tani vetëm një skenar i çmendur mund t’i shpëtojë ata. Dhe kjo situatë është shoqëruar me problematika, me fërkime mes pjesëtarëve të kampit blu dhe me gjoba për disa futbollistë.

DEBATI

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se pas ndeshjes me Skënderbeun në Kamzë, ka pasur një debat në dhomat e zhveshjes mes drejtorit Ermal Barushi dhe futbollistit Patrik Bardhi.

Barushi i ka kërkuar lojtarit që të hipte në autobus dhe aty ka pasur një fërkim verbal mes të dyve. Një episod që tregon qartë nervozizmin te Dinamo pas rezultateve të fundit, ku skuadra kryeqytetase ka marrë vetëm 2 pikë.

Edhe ndaj Skënderbeut, që e ka mundur 2 herë këtë sezon, i shpëtoi humbjes në shtesë, por që gjithsesi 1 pikë thuajse nuk vlen në këtë situatë.

GJOBAT

Gazeta ka mësuar gjithashtu se disa futbollistë të skuadrës kanë marrë gjoba, kryesisht për çështje disiplinore.

Mbrojtësi Aleksandër Sofranak, sipas burimeve të gazetës, është gjobitur dy herë me nga 500 euro gjobë, pra me 1000 euro në total, pasi nuk është stërvitur.

Lojtari ka pretenduar se ka pasur probleme shëndetësore, megjithatë, klubi nuk e ka falur.

Malazezi nuk aktivizohet prej disa javësh me Dinamon, sepse nuk ka qenë në gjendjen e duhur fizike dhe mendore, siç ka pohuar edhe trajneri Vanoli disa herë.

Madje, ai është dërguar të luajë me Dinamon U-21.

Përveç Sofranakut, gjobë ka marrë edhe portieri Romeo Harizaj.

Shkak në rastin e tij është bërë një përplasje që fieraku ka pasur me një tifoz në stadiumin e Elbasanit pak ditë më parë.

Nga burime jozyrtare është mësuar se gjoba e Harizajt është 800 euro.

Më parë të njëjtën situatë ka kaluar edhe Sabien Lilaj. Mesfushori korçar pati një fërkim me një tifoz pas ndeshjes me Kukësin në Kamzë dhe klubi mori edhe ndaj tij masë, duke i vendosur gjobë në një shifër që nuk është bërë e ditur.

Po ashtu, disa javë më parë masë është marrë edhe ndaj dy futbollistëve të tjerë, mbrojtësit Eni Imami dhe portierit Edvan Bakaj, të cilët u pezulluan nga ekipi i parë për pak ditë, u stërvitën te Dinamo U-19 dhe më pas u rikthyen.

Një situatë e pritshme në fakt, duke pasur parasysh goditjen e rëndë që po merr Dinamo me rënien në Kategorinë e Parë.

Shumica e lojtarëve, siç mund të kuptohet lehtë, pritet të largohen nga blutë pas përfundimit të kampionatit.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"