EKSKLUZIVE/ Kaosi total te Luftëtari, presidenti Halilaj: Bashkia armiku kryesor, nuk më hapin as telefonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 10:58

EKSKLUZIVE/ Kaosi total te Luftëtari, presidenti Halilaj: Bashkia armiku kryesor, nuk më hapin as telefonin

Bekim Halilaj, presidenti i Luftëtarit, ka reaguar për situatën nderë ku ndodhet aktualisht ekipi, që prej një muaji nuk stërvitet. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai ka akuzuar direkt kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Golemin, duke e quajtur atë një njeri anti-futboll dhe armikun kryesor të Luftëtarit. “Gjendja e ekipit vjen si rrjedhojë e injorimit që i ka bërë bashkia klubit të futbollit. Që me ardhjen në krye të bashkisë të Flamur Golemit, bashkia kishte detyrim karshi nesh për sezonin 2019-2020 një këst prej 57 milionë lekësh të vjetra dhe një detyrim për një gjyq të formës së prerë prej 57 milionë lekësh të vjetra. Në total, 114 milionë lekë të vjetra. Në fillim më ka pritur mirë, pastaj pas një muaji ka mbledhur në mënyrë abuzive këshillin bashkiak dhe anulon fondet, ndërsa ne si klub na thoshte se do t’i marrim”, thotë Halilaj fillimisht. Më tej ai jep të tjera detaje sa i takon problematikës me bashkinë.

halilaj luftetari

DETYRIMET E BASHKISË – “E kam takuar 4-5 kryebashkiakun dhe më ka thënë: “pse ke ardhur në Gjirokastër? I ke hyrë detit në këmbë, unë do të merrem me teatër, nuk merrem me futboll. Kur i pari i një qyteti i thotë një biznesmeni “nuk merrem me futboll”… Kam vajtur të jap ndihmën time te Luftëtari, ai më thotë pse vjen. Në planin e buxhetit për vitin 2020 nuk ka vënë asnjë lek për futbollin kur bashkia ka 25% të aksioneve dhe e ka detyrim që duhet ta përmbushë. Nuk ka përmbushur asnjë detyrim financiar.

Është e vetmja bashki, nga 61 bashki në Shqipëri, që nuk jep asnjë lek për futbollin. Edhe në Kategorinë e Dytë japin minimumi 30-40 milionë lekë të vjetra, ne asnjë. Nga dita që e kam marrë unë Luftëtarin, 13 gusht 2019 e deri më sot, zero nga bashkia, zero nga reklamat, zero nga biletat dhe zero nga federata, nga çdo gjë. Çdo gjë është bërë nga xhepi im personal. Si ka mundësi që unë jap dhe bashkia jo” pohon Halilaj.

halilaj tavo

KRYETARI ARMIK – “Ai u ka thënë njerëzve ‘nuk mund të jap për një njeri të huaj, por të ishte nga Gjirokastra…” Le të vijë një nga Gjirokastra, të më japë lekët për aksionet e mia dhe le ta merrte klubin. E kam marrë në këtë gjendje, mbaj përgjegjësi morale, ligjore, nëse kam marrë një fond nga dikush. Kam fakte që kam vënë lekë, qoftë edhe 5 lekë. Kam edhe disa çështje të rëndësishme. Kam problem edhe me federatën që më mohon një fond 240 mijë euro, si me Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve që është e korruptuar. Kryebashkiaku më kërkon dokumente të kohës së kaluar, por unë mbaj përgjegjësi vetëm për kohën time nga data që e kam marrë unë.

Nuk jam prokuror. Armiku kryesor i Luftëtarit është kryetari i bashkisë. Jam president, kam vënë 5 lekë nga xhepi im dhe kryebashkiaku nuk më hap telefonin. Tani do t’i dal përballë moralisht, ekonomikisht, fizikisht, si të dojë ai. Për klubin nuk kam krijuar asnjë defiçit, përkundrazi. Të kesh 25 % të aksioneve dhe të mos japësh asnjë lek. Kam pasur mundësi ta çoj në gjyq, por respektoj qytetin e Gjirokastrës. Çdo familje e Gjirokastrës në faturën e ujit paguan 1 mijë lekë të vjetra për sportet. Bashkia mbledh 17 milionë lekë të vjetra në muaj, ku i çon? Për Luftëtarin nuk jep asgjë”, ka përfunduar presidenti i ekipit gjirokastrit, Bekim Halilaj.

FATION RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"