EKSKLUZIVE/ Ka luajtur me të dyja ekipet, Çyrbja flet para sfidës Teuta-Kukësi: Pres fitoren e durrsakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2021 | 12:13

EKSKLUZIVE/ Ka luajtur me të dyja ekipet, Çyrbja flet para sfidës Teuta-Kukësi: Pres fitoren e durrsakëve

Arbër Çyrbja është një nga ata lojtarë që ka provuar të luajë për Teutën dhe Kukësin në kampionatin shqiptar, duke qenë shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat.

cyrbja

Sot mesfushori me tipare sulmuese luan për Gjilanin në Kosovë dhe në prag të ndeshjes Teuta-Kukësi, nuk ngurroi të fliste për përballjen mes ish-ekipeve për “Panorama Sport”.

Arbër, prej 5 muajsh jeni pjesë e Gjilanit në Kosovë. Çfarë ju bindi të linit Superioren?

Kosova ka disa vite që po zhvillohet me ritme të shpejta në futboll. Ambienti këtu është shumë i mirë, të paktën flas për klubin e Gjilanit ku bëj pjesë. Atmosfera është gjithashtu e mirë dhe interesimi i tifozëve shumë e madh. Në Shqipëri është një infrastrukturë më e mirë, por Kosova po investon më shumë dhe po rritet.

Jeni i kënaqur me atë që keni bërë deri më tani te Gjilani?

Pas probleme me dëmtimet në vitin e kaluar, mund të them se tani jam në 100% të formës. Më pëlqen të luaj këtu po stërvitem me angazhim maksimal. Rezultatet e ekipit nuk kanë shkuar sipas parashikimeve, por shpresoj që të fitojmë çdo ndeshje që na ka mbetur, për të bërë të lumtur tifozët tanë, “Skifterat”, të cilët na mbështesin shumë. Për mua e rëndësishme është që t’i shërbej ekipit sa më tepër.

Sot luhet Teuta-Kukësi  dhe ju jeni një prej atyre futbollistëve që keni luajtur për të dyja skuadrat, madje klubi verilindor bleu kartonin tuaj dy vite më parë…

Në Durrës i kujtoj të gjitha gjërat e mira, pasi jam rritur aty. Isha i lumtur që luaja për Teutën dhe kam shumë respekt për njerëzit atje. U largova si fitues i Kupës dhe për këtë u gëzova shumë. Ndërsa te Kukësi kam qenë vetëm një sezon, por edhe aty kam kaluar shumë mirë. Këtë sezon Teuta lufton për titull, ndërsa Kukësi është i distancuar nga vendet që të çojnë në Europë.

Cyrbja Kukesi Teuta

Çfarë ndeshjeje prisni?

Kampionati është futur në një fazë interesante. Te dy ekipet kanë bërë ndryshime në organikë, sidomos në fazën sulmuese. Deri më tani nuk është se kanë bërë ndonjë diferencë të madhe, por mendoj se në Durrës është favorite Teuta për të marrë tri pikët.

Referuar përbërjes së lojtarëve që kanë aktualisht, cili ekip mendoni se është më cilësor?

Grupi i lojtarëve vlerësohet nga ajo që skuadra prodhon në fushën e lojës. Duke qenë se të dyja ekipet kanë prodhuar futboll të mirë në pjesën e dytë të sezonit, janë në kushte të barabarta sa u përket lojtarëve. Të dyja skuadrat kanë lojtarë cilësorë, që mund ta zgjidhin ndeshjen nga momenti në moment. Është një takim që mund të vendoset nga episodet, pasi gjykoj se skuadrat do të jenë të kujdesshme në fushë. Të dy trajnerët do të marrin masat për të bllokuar lojtarët kyç të njëri-tjetrit.

Shikoni ndonjë lojtar të veçantë që mund të bëjë diferencën në këtë takim?

Lojtarët që bëjnë diferencën do të jenë gjithë kohës në markim të rreptë, por njëkohësisht synohet që të goditet kundërshtari në pikat e dobëta. Zgjidhja mund të vijë nga çdo lojtar, nga mbrojtja deri në sulm. Të dyja ekipeve nuk u mungojnë lojtarë të tillë.

Cili ekip mendoni që e fiton titullin dhe cilat i shikoni të rëna nga Superiorja?

E vështirë ta thuash që tani. I shoh të barabarta që të gjitha ekipet e vendeve të para. Kushdo që ta marrë, nuk do ishte aspak surprizë. Mendoj se titulli do vendoset në dy-tri javët e fundit. Sa i përket rënies nga kategoria, mendoj se Apolonia dhe Skënderbeu janë më të rrezikuara.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"