EKSKLUZIVE/ “Jam paragjykuar për moshën”, Sebino Plaku: Ndaj Vllaznisë treguam se kemi uri për trofe, ju tregoj sekretin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 20:10

EKSKLUZIVE/ “Jam paragjykuar për moshën”, Sebino Plaku: Ndaj Vllaznisë treguam se kemi uri për trofe, ju tregoj sekretin

Sot luan në Durrës me Teutën dhe në moshën 35-vjeçare është ende një protagonist absolut në skuadrën ku aktivizohet. Ish-sulmuesi i shumë skuadrave në Shqipëri por jo vetëm, Sebino Plaku duket se po përjeton një “rini të dytë” në qytetin bregdetar.

teuta shamrok plaku

Në ndeshjen e fundit shënoi edhe një gol i cili ishte qershia mbi tortë dhe për këtë ai flet për “Panorama Sport”. Plaku ndalet te karriera e tij në Durrës, dëshira për të vazhduar sërish dhe një përgjigje për skeptikët që nuk besonin te Teuta. Goli shkon për mamanë e tij, e cila është një suport i madh për të.

Sebino, duket se mosha për ju është thjesht një numër, si e shihni të ardhmen?

Mosha për mua është bërë një motiv më tepër pasi më motivon çdo ditë e më shumë, pasi eshë një periudhë ku jam i paragjykuar në çdo hap që ndërmarr në jetë, por më së shumti në fushën e futbollit, kështu që mosha është një motiv i shtuar për mua, ashtu si dhe e ardhmja është një sfidë që e kemi çdo ditë. Por, kjo sfidë më pëlqen, kjo sfidë është pasioni im dhe njëkohësisht më plotëson.

Plaku Teuta

Protagonist sërish me Teutën ku arritët edhe të shënonit, cili është çelësi i suksesit?

Po për këto momente kemi bërë aq shumë sakrifica, gjithë ato stërvitje larg familjeve, etj., për një finale dhe për mundësinë që m’u dha ta nisja nga fillimi këtë ndeshje. Për mua është një mundësi që nuk doja të më kalonte aq lehtë dhe jam shumë i lumtur që e nisem me këtë dëshirë dhe se m’u dha mundësia të jem protagonist i kësaj finaleje. Çelësi i suksesit? Mendoj se askush nuk e ka formulën magjike. Kur më jepet një mundësi e bëj atë sikur të jetë e fundit për mua.

Ishte fitorja ndaj Vllaznisë një përgjigje për të gjithë ata që nuk besuan te Teuta?

Nuk e di kush nuk ka besuar te Teuta, por mendoj se edhe këtë ndeshje, ashtu si shumë finale që jemi përballur me kundërshtar direkt, gjithmonë kemi qenë të uritur për trofe dhe këtë e shoh si një pikë shumë të fortë të Teutës. Lojtarët e Teutës janë me eksperiencë dhe dallojnë shumë mirë momentin dhe rëndësinë e një ndeshjeje me peshë, dhe janë po aq të uritur e të vendosur për ta marrë atë me çdo kusht. Mendoj se kjo ishte Teuta e ndeshjes së fundit.

A është Teuta më e fortë apo më e dobët se vjet?

Mendoj se finalja e Superkupës së Shqipërisë tregoi potencialin. A do ta kemi vazhdimësinë që e bën një ekip kampion, kjo varet nga shumë komponentë, por në aspektin sportiv unë e shikoj sërish zjarrin te çdo futbollist që është aty.

Si e shihni sezonin e ri dhe sa e vështirë do të jetë mbrojtja e titullit?

Nuk e prisnim që Renato të shkëputej ashtu këtë sezon, ishte një pikë e fortë dhe e rëndësishme për ekipin. Ndaj çdo sezon gjithmonë ka shumë të panjohura dhe se nga eksperienca kam kuptuar se është akoma më e vështirë ta mbash statusin e kampionit.

Sebino Plaku

Ekipet kur të përballen me Teutën do të kenë një qasje tjetër dhe kjo patjetër që do të na e bëjë më të vështirë, por siç thashë më parë, që ekipi ka në gjirin e tij lojtarë që kam kaluar në këtë rrugë, mendoj që do jetë një sfidë goxha e madhe, dhe se Superliga shqiptare po zvogëlon çdo vit diferencat e ekipeve me njëratjetrën.

Çfarë objektivi ka Sebino në aspektin personal gjatë sezonit të ri dhe a besoni se do të shënoni më shumë?

Jam më shumë se gjashtë muaj këtu. Në momentin që erdha në janar ishte një situatë ku ekipi ishte i bërë dhe unë erdha për ta plotësuar këtë ekip me ndërhyrjet që do të kisha, u mundova ta bëja këtë gjë sa herë që m’u dha mundësia dhe arritëm të dilnim me sukses.

Tashmë ekipi më njeh më mirë, e dinë më mirë se në cilin rol apo se në ç’mënyrë mund t’i ndihmoj ata. Kështu që mendoj se do ta kem më të lehtë për t’u shprehur dhe nëse do të kem mundësi të shprehem, patjetër që do të kem mundësi të shënoj edhe më tepër.

Ka Sebino një dedikim për golin?

Golin ja dedikoj mamasë sime, pasi ajo është suporti im i përhershëm në të mirë dhe në të keq.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"