EKSKLUZIVE/ Ish-portieri i Dinamos: Ju tregoj “magjistarin” e Kroacisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2018 | 22:13

EKSKLUZIVE/ Ish-portieri i Dinamos: Ju tregoj “magjistarin” e Kroacisë

Elvis Kotorri bënte pjesë në Dinamon që për pak muaj u drejtua nga Zllatko Daliç, trajneri që sot është në garë për të fituar Kupën e Botës me Kroacinë. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Kotorri kujton periudhën e tij te blutë e kryeqytetit, ku ka besuar që në fillim se Daliç do shkonte larg me Kroacinë.

dalic

“Gardiani” elbasanas rrëfen se ruan ende marrëdhënie të mira me ish-trajnerin e tij, teksa e ka uruar për atë që po bën te Kroacia. “Lojtarët japin maksimumin për të dhe ai u qëndron besnik bindjeve të veta për futbollin”, tregon ndër të tjera Kotorri, i cili zbulon se Daliç e kërkoi edhe në Arabi kur u largua nga Dinamo, por rregulli për portierët e huaj e “penalizoi” për t’iu bashkuar sërish Daliçit.

Kotorri Elbasani

Elvis, si ju është dukur Botërori i këtij viti?

Të them të drejtën, ka qenë pak i paparashikuar. Por, mendoj se këto ekipe që kanë arritur deri këtu, e kanë merituar.

Surprizë ka qenë edhe Kroacia e Daliç, e prisnit?

Është një surprizë e këndshme. Personalisht, në biseda që kam bërë me miqtë e mi, u kam thënë që Kroacia do të shkojë larg. Kjo, nisur nga lojtarët që kanë në përbërje, por mbi të gjitha kanë një trajner shumë të mirë, me të cilin kam pasur fatin të punoj te Dinamo.

Si i kujtoni marrëdhëniet me të te Dinamo?

Marrëdhëniet i kam pasur dhe i kam shumë të mira. Madje, kur ka qenë trajner në Arabi, ka kërkuar të më merrte me vete. Por, ata kishin një rregull që nuk lejoheshin portierë të huaj, ndaj edhe nuk u konkretizua.

Elvis Kotorri Elbasani

Cili mendoni se është çelësi i suksesit të Daliçit?

Unë mendoj se di ta bëjë grupin e lojtarëve për vete dhe e lexon shumë mirë lojën. Lojtarët japin maksimumin për të dhe u qëndron besnik bindjeve të veta që ka për futbollin.

Subasiç është një nga portierët më të mirë të këtij Botërori, a punon Daliç edhe me portierët, apo nuk ndërhyn në këtë sektor?

Mund të flas për periudhën kur e kisha trajner te Dinamo dhe ai nuk ndërhynte te portierët. Këtë detyrë ia kishte lënë Ilir Bozhiqit. Por, të motivonte shumë dhe dinte si të merrte maksimumin.

Çfarë mbani mend nga koha e Daliçit te Dinamo?

Atë vit fituam Superkupën. Daliç bënte stërvitje interesante çdo ditë, stërvitje të larmishme dhe jo monotone. Ishte një profesionist, në kuptimin e plotë të fjalës.

Mendoni se ishte trajneri më i mirë që patët punuar, ose ndër më të mirët?

Ishte ndër më të mirët, pa diskutim. Por, kam pasur edhe trajnerë të tjerë shqiptarë të aftë. Megjithatë, ndonjëherë duhet të kesh fatin dhe përkrahjen për të ecur përpara. Besoj se Dala (kështu i thotë Daliç) i ka të gjitha. Aftësinë, përkrahjen dhe pak fatin nga ana e tij.

Meqenëse thatë se mbanit kontakte, e keni uruar këto ditë?

Po, e kam uruar dhe uroj gjithashtu ta fitojë Kupën e Botës.

Me sa e mbani mend Daliçin, ishte fanatik i një skeme në lojë apo e ndryshonte atë shpesh?

Në fakt, i ndryshonte skemat edhe në varësi të kundërshtarit që kishim përballë.

Për ta mbyllur me Daliçin…

Më bëhet qejfi që ka arritur kaq shumë larg në kupën e Botës. Do më pëlqente shumë që një gjë të tillë ta bënte edhe Shqipëria me një trajner shqiptar.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"