EKSKLUZIVE/ Furtunë te Studenti, trajneri akuzon: Aty nuk punon njeri, shkojnë në xhami në orar pune

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 11:02

EKSKLUZIVE/ Furtunë te Studenti, trajneri akuzon: Aty nuk punon njeri, shkojnë në xhami në orar pune

Viti 2020 ka nisur me furtunë për skuadrën e Studentit në volejboll për meshkuj. Një situatë sa tragjike, aq edhe qesharake, me lojtarët që janë akuzuar se kanë dëmtuar sallën dytësore të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, duke luajtur futboll, e për këtë shkak drejtori i klubit Studenti njoftoi se skuadra nuk lejohet të stërvitet më në ambientet e pallatit të sportit (këtë e konfirmoi për gazetën edhe përgjegjësi i turnit të pallatit të sportit). Ndërsa më pas klubi vendosi edhe për shkarkimin e trajnerëve Agim Reka dhe Altin Demi, për shkak të rezultateve të dobëta.vollejboll

Një ditë pas këtij vendimi gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me dy trajnerët, të cilët e konsideruan pezullimin e tyre si të turpshëm, ndërsa nuk ngurruan të denonconin klubin për shkelje të shumta. Trajneri i parë Agim Reka, e komentoi kështu vendimin, ndërkohë që nuk i kurseu aspak sulmet ndaj drejtuesve: “Na thonë se jemi të shkarkuar për mungesë rezultatesh, por sa ndihmë na kanë dhënë për të pasur rezultate. Sa lojtarë kanë afruar, që ne të pretendojmë që të rivalizojmë me ekipet si Partizani apo Erzeni.

Për gjashtë vite kanë ndryshuar 6 trajnerë, ndërkohë që komuniteti i volejbollit e di shumë mirë se kush është Agim Reka dhe cilët janë këta drejtues që punojnë në klubin tonë. Një klub ku nëse shkon te zyrat, vështirë se mund të gjesh njeri që punon. Specialisti i volejbollit shkon në orar të punës në xhami dhe në tri vite ka ardhur vetëm dy herë pranë ekipit. Inspektori Artan Pashaji e filloi me vrull duke na u gjendur pranë, por më pas u bë palë me drejtorin Blendi Nallbani. Ç’punë kemi ne si trajnerë për t’u marrë me taksitë apo sallën, kur klubi paguan inspektorët për këto punë”, tregon trajneri kryeqytetas.
reka

Largimi nga “Asllan Rusi”

Më pas Reka komenton edhe situatën me pallatin e sportit “Asllan Rusi”, të cilën e quan një inskenim të turpshëm nga drejtori Blendi Nallbani. “Thonë se lojtarët kanë dëmtuar sallën duke luajtur futboll dhe nxjerrin disa dyshekë ‘shekullorë’, që sipas tyre janë të dëmtuar prej nesh. Ndërsa një turp i madh është edhe ajo që thonë për parketin, duke publikuar një foto në një pjesë të fushës që ka më shumë se 40 vite që është e dëmtuar, e këtë e di shumë mirë komuniteti i volejbollit.
parketi

Përgjegjësi i turnit vetëm tri ditë më parë na tha se nuk do të stërviteni, për shkak se s’keni bërë pagesën, ndërsa tani del që skuadra paska dëmtuar ambientet. Nuk i dhimbset atij më shumë se mua ajo sallë, pasi unë aty jam rritur”. Reka nuk ka asnjë dyshim se moslejimi i Studentit për t’u stërvitur në “Asllan Rusi” është një marifet i drejtuesve, ku këta të fundit kanë gjetur një alibi qesharake (dëmtimi i ambienteve), pasi arsyeja e vërtetë është mospagesa e sallës.

Trajneri denoncon edhe shkelje të tjera që sipas tij janë bërë në klub: “Kjo nuk është hera e parë që ndodh, pasi në këtë situatë kemi qenë edhe dy vite më parë, ku na dërguan në shkollën ‘Misto Mame’, sepse nuk donin të paguanin sallën. Nëse drejtuesit dalin dhe nxjerrin faturën e sallës së paguar deri në muajin dhjetor, unë dal dhe kërkoj falje publike për të gjitha këto që po them. Por ata nuk kanë bërë asnjë pagesë, pasi e kanë mendjen vetëm për të vjedhur.
moblija

Skuadrat kanë uniforma ku mbajnë mbishkrime sponsorësh, ndërkohë që asnjë lojtar nuk ka marrë qoftë edhe një qindarkë prej këtyre sponsorëve”, përfundon deklaratën e tij ish-volejbollisti i mirënjohur, i cili është edhe zëvendëstrajneri i Kombëtares së të rinjve. I të njëjtit mendim me Rekën është edhe zv.trajneri i shkarkuar Altin Demi, i cili i konfirmoi të gjitha pretendimet e Rekës. Madje Altin Demi tha se dje ka marrë përgjigje nga pallati i sportit se klubi nuk bërë pagesa për sa i përket sallës.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"