EKSKLUZIVE/ “Flamurtari drejt zhdukjes”, ish-lojtari vlonjat ngre alarmin: Ka 5 vjet pa lekë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2020 | 23:45

EKSKLUZIVE/ “Flamurtari drejt zhdukjes”, ish-lojtari vlonjat ngre alarmin: Ka 5 vjet pa lekë (E PLOTË)

Përparim Lushaj propozon ngritjen e një asambleje me biznesmenë dhe njerëz të sportit për të rikthyer Flamurtarin në Superiore. Ish-futbollisti vlonjat i viteve ’80, ditën e ringritjes së klubit e shikon të largët, madje i druhet faktit se pas dy vitesh kur Flamurtari të mbushë 100 vjeç nga themelimi, mund të mos ekzistojë më. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Lushaj analizon gjithçka, ndërsa shprehet se e gjithë kjo situatë ka ardhur nga problemet financiare. Ish-drejtori i klubit vlonjtat nuk i beson ringritjes nga akademia, pasi sipas tij për këtë duhet të presësh 10 vite.

Lushaj

Lushaj, Flamurtari ka rënë zyrtarisht nga Kategoria Superiore. E kishit parashikuar këtë?

Në sport serioziteti duket që në fillim të kampionatit. Flamurtari për mendimin tim ishte i rrëzuar qysh në fillim. Kjo ka ndodhur edhe në vitin 2004, por këtë fat e kanë pasur edhe ekipe me emër në Shqipëri si Tirana, Partizani, Dinamo që është akoma e rrëzuar apo edhe Vllaznia. Kjo nuk do të thotë gjë, por duhen njerëz të përgjegjshëm dhe që me të vërtetë u dhimbset Flamurtari. Është një aset për qytetin e Vlorës dhe për mijëra e mijëra dashamirës dhe sportdashës.

Çfarë ju shqetëson më shumë në këtë situatë?

Shqetësimi im më i madh nuk është se ku jemi, por ku do të vejë Flamurtari. Ne shqetësohemi dy herë. Unë dhe shokët e mi si ish-futbollistë, shqetësohemi edhe si qytetarë të Vlorës. Janë ditët dhe kohët më të errëta të Flamurtarit. Nuk ka qenë ndonjëherë në këtë gjendje. Unë nuk shpresoj se me njerëzit që pretendojnë që janë dhe që kanë marrë përsipër ecurinë e Flamurtarit ta çojnë ekipin aty ku duhet. Flamurtari do jetë në gjendje akoma më të keqe dhe mendoj se ditë më të errëta do të vijnë.FLAMURTARI VLLAZIA

Çfarë zgjidhjeje propozoni?

Ne mblidhemi shpesh si ish-futbollistë të Flamurtarit, brezi ynë por edhe më të rinj nga ne dhe kemi diskutuar disa herë. Për momentin ne jemi të gatshëm të ndihmojmë me sa mundësi që kemi. Kryetari i bashkisë duhet që aktualisht të mendojë për një staf drejtues, të ketë një asamble që të përbëhet edhe nga biznesmenë të Vlorës dhe specialistë e ish-futbollistë të Flamurtarit. Këta mund të ndihmojnë me investime nga qytetarët e Vlorës dhe kudo ku janë në të gjithë botën për një zgjidhje për momentin. Pastaj me kalimin e kohës duhet që të gjenden njerëz të duhur, dashamirës dhe me mundësi që të investojnë dhe ta nxjerrin Flamurtarin në elitë. Unë nuk e shikoj shumë të afërt ditën e lulëzimit të Flamurtarit. Kam frikën se Flamurtari për dy vjet mbush 100 vjet dhe ndoshta nuk do të vazhdojë më si emër nëse vijohet me këto probleme dhe këto dështime.

Pse mendoni kështu?

E para një herë, ngërçi qëndron te menaxhimi dhe investimi. Flamurtari ka pesë vjet që nuk ka investitorë. Kushdo tjetër që pretendon se është investitor, janë fjalë boshe, pretendime të kota dhe vetë rezultati e tregon që gjendja është katastrofike. Për mua duhen njerëz të përgjegjshëm, vlonjatë që e duan vërtet me zemër Flamurtarin. Duhen investitorë dhe njerëz me këmbë në tokë që të ndryshojnë faqen e ekipit dhe ta çojnë atje ku e meriton se është një fanellë e rëndësishme dhe aset për Vlorën e Shqipërinë.

Po thoni që problemet financiare të klubit janë të parikuperueshme?

Problemi financiar është primari. Edhe ne po të ishim tani që kemi luajtur në atë kohë, pa rroga nuk ka motiv. Pavarësisht se këtë katërvjeçarin e fundit unë dua të falënderoj futbollistët që kanë qenë te Flamurtari, pasi janë përpjekur që të japin maksimumin me ato kushte që kanë qenë. Për sa u përket rrogave, janë njerëz kompetentë që duhet ta zgjidhin. Me sa kam dëgjuar kanë shumë kontrata të papaguara që këto do të ndikojnë nesër. Kushdo nga këta futbollistë që ka pretendime, shkon në gjyqe dhe kjo është në kurriz të klubit.

Mos ndoshta ka ardhur koha që klubi të bazohet tek akademia?

Kur ti nuk ke ekipin që përfaqëson qytetin e Vlorës, çfarë do të pretendosh më për një akademi që është e dështuar, sepse ata njerëz janë, ai klub është. Nuk ka mundësi që ta bësh me lojtarë bio sot. Do një kohë shumë të gjatë, një investim shumë të fuqishëm që ti të pretendosh që me akademinë e Flamurtarit për 10 vjet të jesh aty ku duhet të jesh.

Keni shpresa se FSHF në këtë gjendje të jashtëzakonshme pas pandemisë, mund të ndryshojë skemën dhe Flamurtari të përfitojë?

Nuk do të thotë gjë fare skema e Superiores me 10, 12 apo 14 ekipe. Për mendimin tim, vetë kampionati është i ngarkuar edhe me aq ekipe. Me 8 ekipe dhe me 4 faza për mua do të ishte më e pranueshme. Nuk ka të thotë fare për ecurinë e ekipit skema.

Çfarë zgjidhjeje propozoni?

Ne mblidhemi shpesh si ish-futbollistë të Flamurtarit, brezi ynë por edhe më të rinj nga ne dhe kemi diskutuar disa herë. Për momentin ne jemi të gatshëm të ndihmojmë me sa mundësi që kemi. Kryetari i bashkisë duhet që aktualisht të mendojë për një staf drejtues, të ketë një asamble që të përbëhet edhe nga biznesmenë të Vlorës dhe specialistë e ish-futbollistë të Flamurtarit.

Këta mund të ndihmojnë me investime nga qytetarët e Vlorës dhe kudo ku janë në të gjithë botën për një zgjidhje për momentin. Pastaj me kalimin e kohës duhet që të gjenden njerëz të duhur, dashamirës dhe me mundësi që të investojnë dhe ta nxjerrin Flamurtarin në elitë. Unë nuk e shikoj shumë të afërt ditën e lulëzimit të Flamurtarit. Kam frikën se Flamurtari për dy vjet mbush 100 vjet dhe ndoshta nuk do të vazhdojë më si emër nëse vijohet me këto probleme dhe këto dështime.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"