EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Dinamos dhe sigurimi i kreut, Egnatia shpërblehet me shumën e majme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 9:25

EKSKLUZIVE/ Fitorja kundër Dinamos dhe sigurimi i kreut, Egnatia shpërblehet me shumën e majme

Fitorja e fundit me Dinamon solli festë tek Egnatia, që ia dedikoi këtë sukses të ndjerit Rafael Duamena, ish-sulmuesit ganez që u nda nga jeta muaj më parë.

440327478_418837714267528_6997708233918402319_n

Për herë të parë në histori rrogozhinasit e mbyllin kampionatin të parët, por titullin nuk e kanë fituar ende, sepse do të vendosë “Final 4” për trofeun. Fitorja e fundit kishte edhe një arsye më shumë për të festuar nga ana e lojtarëve të Egnatias. Gazeta mëson se ata kanë marrë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për atë fitore të fiksuar nga autogoli i Behiratçes.

Në fakt, për vendin e parë lojtarët e Egnatias kanë një shpërblim të përcaktuar në kontratën që kanë firmosur me klubin. Premioja e dhënë pas ndeshjes me Dinamos është diçka tjetër, nuk ka të bëjë me të, kështu që lojtarët pritet të jenë edhe më të motivuar para fazës së “Final 4” dhe finales së Kupës së Shqipërisë, ku do të diskutojnë trofeun me Kukësin.

KUPA – Pikërisht te finalja e Kupës është vëmendja e rrogozhinasve, edhe pse duhet të luajnë edhe ndeshjen me Tiranën në kampionat këtë të shtunë. Për të pasur një skuadër sa më të freskët më 14 maj, pritet që trajneri Tetova të bëjë rotacion kundër Tiranës, duke lënë pushim ndonjë titullar. Në anën tjetër, tifozët po interesohen për biletat e finales, sepse nuk duan të mungojnë në “Air Albania”. Deri tani mësohet se janë shitur rreth 1 mijë bileta.

TIRANA – Me Tiranën, Egnatia në fakt ka llogari të hapura. Humbja poshtëruese e 24 dhjetorit, me shifrat 0-5, “djeg” ende te rrogozhinasit. Edhe pse e kanë siguruar vendin e parë, ata kanë një arsye të fortë për të mundur edhe Tiranën në fundjavë. Do të mungojë Albano Aleksin për shkak të kartonit të kuq të marrë ndaj Dinamos.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"