EKSKLUZIVE/ Falënderime për të tërë, Dede pas ngjitjes në Superiore: Frytet e punës u shpërblyen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2022 | 10:30

EKSKLUZIVE/ Falënderime për të tërë, Dede pas ngjitjes në Superiore: Frytet e punës u shpërblyen

Nevil Dede është trajneri që bëri histori me Erzenin, duke e ngjitur skuadrën shijakase pas 19 vitesh në Kategorinë Superiore. Sigurisht që puna dhe përpjekjet këmbëngulëse të tij u shpërblyen në këtë fitore magjike.

NEVIL DEDE

“Kur frytet e punës shpërblehen, atëherë edhe unë jam i kënaqur me realizmin e objektivave, ku si parim ishte ngjitja e skuadrës në Kategorinë Superiore. Puna njëvjeçare e bërë në këtë klub më në fund është realizuar me shumë sukses. Meritë për këtë kanë ata që bënë të mundur investimin. Veçoj të gjithë investitorët e shoqatat dhe veçanërisht kryetarin e bashkisë Shijak. Por, meritën më të madhe e kanë protagonistët, ata që derdhën djersën në fushë, që kanë sakrifikuar gjatë gjithë sezonit, pra, vetë lojtarët. Dua t’i përgëzoj të gjithë për këtë arritje të suksesit madhor, rikthimin e skuadrës shijakase në Superiore”, ishin fjalët e para të trajnerit.

Më pas ai shtoi: “Dua të falënderoj të gjithë këtë tifozëri të zjarrtë, që na kanë mbështetur gjatë gjithë sezonit. Ndeshjen me Vorën e kishim vlerësuar në maksimum. Nuk donim të lejonim dilema për 90 minutat e fundit, prandaj dhe ndeshja ishte mjaft e bukur për ne. Po kështu edhe mbështetja e tifozërisë ishte maksimale. Kam qenë në ankth duke pasur parasysh se kishim një kundërshtar të fortë. Gjithsesi, ia dolëm mbanë. Kjo skuadër e meriton të jetë në Superiore, por jo vetëm ekipi, edhe ai qytet futbolldashës meriton edhe më shumë”, u shpreh trajneri Dede për “Panorama Sport” pas sigurimit të ngjitjes në Superiore.

A.DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"