EKSKLUZIVE/ Erion Bogdani “skaner” sulmit: Reja ktheu lojën me personalitet, ja pse gabojnë shpesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 22:24

EKSKLUZIVE/ Erion Bogdani “skaner” sulmit: Reja ktheu lojën me personalitet, ja pse gabojnë shpesh

Erion Bogdani mbetet ende kryegolas hënuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit. Pas “Euro 2016” si pjesë e stafit të Kombëtares në ndihmë të De Biazit dhe pas eksperiencës si trajner, “Bogu” tashmë bën vlerësim më tepër analitik për çfarë ndodh në fushën e lojës.

erjon bogdani

Në një bisedë për “Panorama Sport”, Bogdani nuk pranon që rastet e humbura në sulm janë si pasojë e lodhjes. Kurrsesi edhe që të vihen në diskutim cilësitë teknike të lojtarëve tanë, përkundrazi, i evidenton për cilësitë që kanë. Megjithatë, ish-bomberi kuqezi vlerëson trajnerin Reja, punën e bërë prej tij, por përmend edhe se kuqezinjtë nuk kanë pasur vendin e katërt si objektiv.

Bogdani, fitojmë 0 me 4 në transfertë, si në asnjë ndeshje zyrtare. Rekord golash edhe për pjesën e parë. Si ju duk Shqipëria në Moldavi?

Sipas meje, jo vetëm në Moldavi, por edhe me Turqinë, Shqipëria zhvilloi dy ndeshje shumë të mira. Ka mbajtur topin me personalitet dhe krijoi volum loje si dhe raste. Dhe për këtë meritë ka trajneri, sepse Shqipëria po luan me një modul, 3-5-2 ose 5-3-2. I vendosur që në fillim dhe futbollistët po përshtaten. E vetmja gjë që ndryshoi është se ndaj Turqisë nuk i shfrytëzuam rastet, ndërsa në Moldavi po.

erion bogdani

Humbi rast me portë bosh dhe në Moldavi shënon me finte. Si shpjegohet ndryshimi i Manajt?

Të thuash se është i ndryshëm në dy ndeshje, më duket e vështirë për ta shpjeguar dhe të dalësh në një konkluzion të tillë. Megjithatë, mund të them se për një sulmues kur humbet raste në një ndeshje, pret me padurim që të luajë në ndeshjen tjetër. Këtë e pashë edhe te Manaj, që vendosi egërsinë e tij përpara portës kundërshtare dhe vendosmërinë që çdo top i cili mund t’i servilet para portës, ta shënojë.

Pse humbin kaq raste sulmuesit tanë, si në Turqi?

Më vjen mirë për këtë pyetje, sepse realisht kam dëgjuar shumë komente gjatë këtyre ditëve. Shumë specialistë janë shprehur ndër të tjera se sulmuesit tanë nuk duhet të lodhen kaq shumë. Unë personalisht kam mendimin se në futbollin e sotëm vrapojnë të gjithë lojtarët dhe Shqipëria nuk e ka luksin që të mbajë sulmuesit vetëm për të shënuar.

Bogdani me Kombetaren

Po a i kanë mundësitë për t’i bërë të dyja fazat e lojës?

Po. Potenciali i sulmuesve që ne kemi është se janë të tillë që sakrifikojnë shumë dhe kanë arritur të shënojnë.

Si ish-bomber, si e analizoni paraqitjen e Manajt në këto dy ndeshje?

Kur një sulmues humbet raste, duhet analizuar si kanë ndodhur dhe të gjesh edhe shkaqet pse. Unë jam i mendimit se rastet e humbura prej Manajt në Turqi nuk janë për efekt të lodhjes fizike. Sepse, pas 3 ditësh, në transfertë me Moldavinë, pikërisht në minutën e fundit ai shënon gol. Pra, pasi ka bërë 90 minuta në Turqi, ka udhëtuar drejt Moldavisë, ka bërë një stërvitje atje dhe trajneri Reja e ka evidentuar të gatshëm për të luajtur. Duke mos vënë re lodhje, trajneri i beson në ndeshjen e dytë pasi ka parë gjendjen fizike.

Nëse shënon me finte, atëherë s’mund të diskutohen cilësitë teknike…

Efekt përqendrimi. Pra, kush ka luajtur futboll, e di mjaft mirë se ndodh të humbësh raste të thjeshta, ashtu siç të shënosh edhe gola të bukur. Nuk ka vend të diskutohen cilësitë teknike. Manaj luan mirë me topin, vrapon shumë dhe është pjesë e Kombëtares që në moshë të re.

E njihni mirë lojën me një partner në sulm. Çfarë avantazhesh ka për sulmuesit tanë që të jenë “dy pyka” siç ka zgjedhur Reja?

Avantazh është se në momentin që ne kemi topin, sulmuesit janë pranë njëri-tjetrit dhe nëse kundërshtari është me 4 mbrojtës, atëherë vihen në duelin një kundër një me qendërmbrojtësit përpara portës. Jo vetëm kaq, por kur ka krosime në zonë, janë dy sulmues që kërcejnë me kokë dhe jo vetëm një apo edhe një mesfushor, por pikërisht dy “pykat”. Kësisoj, mbulojnë të gjithë zonën e rreptësisë. Edhe në golin e parë ndaj Moldavisë, pavarësisht gabimit të mbrojtjes vendëse, ne i kishim sulmuesit në duel një kundër një.

Bogdani ne kombetare

Po disavantazhe?

Një i tillë është fakti se duhet të sakrifikojnë në fazën kur nuk e kemi ne topin në zotërim. Edhe në këtë rast, gjërat mund të ndahen. Pra, sakrifikojnë duke ndarë energjitë, herë njëri e herë tjetri.

Bare, Ismajli, Dermaku, Kumbulla etj., kanë rigjeneruar ekipin. Si e keni parë brezin e ri që është afruar në Kombëtare?

Po është e vërtetë që janë shumë të rinj në moshë, por kur ata luajnë në mënyrë të vazhdueshme në ekipet e tyre dhe në formë të mirë, atëherë është normale që t’u jepet mundësia për të qenë në Kombëtare. Pse të mos luajnë?! Kumbulla është një prej tyre që unë e kam stërvitur, pavarësisht moshës po luan edhe te Verona në Serinë A si një futbollist që ka shumë vite eksperiencë. Në fund, është normale që të vendosë trajneri se cili do të luajë, por këta që ju përmendët edhe nëse kemi harruar ndonjë tjetër për të mos i listuar të gjithë, unë mendoj se po e rrisin konkurrencën.

Shqipëria ka 4 formacione, a është ky ekip i fortë sa në 2016-ën?

Ka shumë të rinj që po rriten dhe po e tregojnë veten në fushë. Në futboll, është e rëndësishme edhe vazhdueshmëria. Kësaj pyetjeje që ju shtroni, përgjigjen do t’ia japin objektivat që ne do të kemi dhe ato që do t’i arrijmë me rezultatet në vazhdim. Pavarësisht punës së mirë që ka bërë trajneri Reja, vendi i katërt nuk ishte objektivi ynë…

Presidenti i FSHF-së i dha besim, sipas jush, çfarë duhet të presim nga Reja në Ligën e Kombeve dhe Botërorin?

Edhe unë personalisht jam i mendimit për vazhdimësinë e Rejas. Por, përpara se të vendosim objektivat, na duhet që të shohim se me cilët kundërshtarë do të luajmë.

Turqinë e Islandën i përballuam me lojë, jo me pikë…

Po, sot të gjithë mund të flasim se Turqia apo Islanda nuk ishin më mirë sesa ne, por klasifikimi flet ndryshe. Që ne të rritemi, duhet të bëjmë diferencën në gjërat e vogla. Siç bënë edhe Turqia apo Islanda ndaj nesh. Në Turqi meritonim të fitonim, por humbëm. Në Islandë ndeshja ishte për barazim, por ne humbëm me vetëm një gjuajtje në portën tonë. Këto na kanë penalizuar…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"