EKSKLUZIVE/ “Ekipin e lashë brenda objektivave”, reagon Shpëtim Duro: Ja SMS-të e lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 0:36

EKSKLUZIVE/ “Ekipin e lashë brenda objektivave”, reagon Shpëtim Duro: Ja SMS-të e lojtarëve

 Shpëtim Duro u sh karkua nga Kukësi në një moment kyç të sezonit. Kukësi, edhe pse katër pikë më pak se Tirana, në kampionat është sërish në garë ku në lojë janë dhe 36 pikë të tjera. Pavarësisht kësaj, nënkampionët në fuqi do të luftojnë deri në momentin e fundit për të fituar titullin si dhe Kupën e Shqipërisë. 

Shpetim Duro

Natyrisht, pas një pune përgjithësisht të bërë mirë, Kukësi ka bindur në lojë dhe deri në javët e fundit edhe në rezultate, përjashtuar tri javët e fundit. Në 270 minutat e fundit në kampionat, verilindorët morën vetëm 2 pikë. Ajo që e “dogji” trajnerin Duro ishte mënyra se si ekipi u barazua dy herë ndaj Bylisit e Teutës dhe humbja me përmbysje në fund ndaj Tiranës. Pas vendimit të klubit për shkarkimin, trajneri Shpëtim Duro flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

shpetim duro

Ai thekson se është i qetë dhe me kokën lart sepse la një ekip të fortë dhe plotësisht brenda objektivave në kampionat dhe Kupë. “Këto janë mesazhe të një tipi nga të gjithë futbollistët. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, sesa shkarkimi. Jam i qetë se skuadrën e kam lënë brenda objektivave si në kampionat, ashtu edhe në Kupë. I falënderoj pa masë këta çuna të mrekullueshëm të skuadrës”, përfundoi ishtekniku i Kukësit, Shpëtim Duro.

MESAZHI 

Duro zbulon për gazetën një nga mesazhet e shumtë që i ka ardhur në telefon nga një prej lojtarëve që ka stërvitur deri të dielën, të cilit për etikë, nuk pranon që t’ia zbulojë identitetin. Ja mesazhi i lojtarit: “Profesor, realisht nuk di nga prej nga t’ia filloj! Më djeg zemra që duhet të ndahemi, sepse ju nuk ishit vetëm një trajner i shkëlqyeshëm. Nga ju mësova se në të njëjtën kohë mund të ekzistonte të jesh trajner dhe paralel njeri familjar. Virtyte që disi natyrshëm i instaluat brenda gjithë grupit. Burrë fisnik dhe besnik. Sido që të shkojë karriera ime, jam i bindur se kjo periudhë do të mbetet përgjithmonë në mendjen dhe zemrën time.

dURO

Sinqerisht besoja se kjo ndjenjë e bukur do të mbyllej me trofe. Fatkeqësisht, pa vullnetin tonë, ndodh kjo ndarje vetëm profesionale, sepse në aspekt personal ju profesor do të mbeteni gjithmonë një njeri shume i çmuar dhe i dashur për mua. Mësova shume nga ju këtë periudhë dhe këto gjëra e di se do më ndihmojnë shumë në karrierë, prandaj ju shpreh falënderim dhe mirënjohje të pafundme.

Nuk di nëse ndonjëherë në jetë do kem mundësinë t’jua kthej gjithë atë që ju keni bërë për mua në këtë periudhë! Kërkoj të më falni nëse ndonjëherë nuk isha ai që donit ju, por jam rehat në ndërgjegje sepse gjithmonë kam dhënë më të mirën nga fiziku dhe zemra. I dashur profesor, ju uroj shumë shëndet para së gjithash dhe gjithë të mirat në të ardhmen. Për fund, do e përdor një thënie që nuk e shpika unë, por e kam lexuar diku dhe s’di pse më përputhet fiks me atë që ma ndien zemra në këtë moment dhe ajo thotë: “Mos qaj sepse përfundoi, por ji i lumtur sepse ndodhi”, ka qenë një ndër mesazhet e lojtarëve të cilin trajneri ka marrë pas shkarkimit.

REAGIMET

Ndërkohë, publikisht në rrjetet sociale kanë reaguar edhe kapiteni i Kukësit, Besar Musolli si dhe sulmuesi Vasil Shkurtaj. “Kënaqësi të punosh me një njeri me kulturë dhe profesionalizëm si ty profesor Duro. Mirë u takofshim!” ka shkruar kapiteni, të cilit i shkruan në koment ish-futbollisti i Partizanit, Jasir Asani: “Supertrajner”. Ndërsa sulmuesi Shkurtaj ka shkruar: “Faleminderit për gjithçka”!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"