EKSKLUZIVE/ Kundërpërgjigjet Idrizi: Gjici të flas për derrin maç, unë nuk luaj kumar që të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2018 | 21:53

EKSKLUZIVE/ Kundërpërgjigjet Idrizi: Gjici të flas për derrin maç, unë nuk luaj kumar që të… (E PLOTË)

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i kujton presidentit të Kukësit, Safet Gjicit se në Vlorë njohin vetëm “derrin maç” dhe jo “fantin spathi”.

idrizi gjici

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Idrizi i është përgjigjur reagimit që kishte bërë Gjici në numrin e djeshëm të gazetës.

“Besoj se edhe Safeti me batutë e ka thënë. Ai nuk është vetëm miku im, por është realisht edhe i futbollit shqiptar. Ne në Vlorë kemi luajtur një lojë që quhej kujt i ngelet ‘derri maç’. As Safeti dhe as unë nuk luajmë kumar. Unë thjesht kam dashur që të cilësoj që respektoj investimet e Gjicit, duke e pasur si shëmbëlltyrë dhe duke qenë i bindur që këtë vit kampionati do të jetë një dualitet midis ekipeve të rilindjes, pra mes nesh dhe Kukësit.

idrizi

Pra, duke vlerësuar Kukësin në maksimumin e mundshëm. Pastaj, pjesën e ‘fantit spathi’ nuk e kuptoj, sepse nuk luaj kumar. Thashë që ‘derrin maç’ e di. Pastaj, ka edhe një problem të thjeshtë fare, kur thotë Safeti që unë nuk do të shkojë në Vlorë, pasi kur nuk vjen, fiton ndeshjet Kukësi. Edhe kur nuk vjen Tan Takja, fiton Skënderbeu. Me Safetin do të jetë gjë tjetër, sepse kur vjen ai në Vlorë fiton Flamurtari. Unë jam i sigurt që këtë vit hëna është kthyer mbrapsht për Kukësin dhe për këtë të jemi të qartë. Jam i sigurt për një gjë, që ky do të jetë sezoni i parë që ne me Kukësin do të jemi të paktën të barabartë”, deklaroi fillimisht kreu i klubit vlonjat.

NDËRHYRJET

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, thekson edhe njëherë se nuk ndërhyn për të marrë lojtarë që janë në kontratë me ekipe të tjera. “Jam i sigurt që Safeti nuk ka informacion. Ka mungesë të madhe informacioni. Unë nuk hy asnjëherë të marr një lojtar që nuk është i lirë. Safeti ka bërë një gabim të madh, pasi e di shumë mirë, që jo vetëm nuk blej lojtarë, por nuk kam kontakte as me lojtarët e ekipit kundërshtar, as gjatë  ndeshjes, as para ndeshjes, as pas ndeshjes.

idrizi-470x303

Unë për etikë i respektoj të gjithë ata. Ndonjëherë me ato që ndodhin në fushë bëjmë sikur nuk i kuptojmë, ndonjëherë bëjmë sikur mbyllim sytë, ndonjëherë gëzhojave të vjetra nuk u kthejmë përgjigje, ndonjëherë korrierëve bëjmë sikur nuk u dimë adresat ku shkojnë e ku venë, por në përgjithësi për ekip, nuk ka shanse asnjëherë që unë të ndërhyj në një ekip dhe aq më tepër te Kukësi.

Thjesht unë Safetit i uroj gjithmonë suksese, sepse jam një njeri që vij nga bota e biznesit. Dua të bëj biznes në kuptimin klasik. Nuk jam i aftë si Safeti, sepse ai është edhe politikan. Pra, politikanët kanë qitje të largët. E përsëris që kampionati këtë vit do të diskutohet mes Flamurtarit dhe Kukësit. Sido që të vijë puna janë dy ekipe të rilindjes. Do të ngelet midis nesh në fund të fundit. Flas seriozisht për këtë pjesë. Në syrin tim ekip për t’u mundur është vetëm Kukësi.

Ne na ka mundur Partizani dhe Skënderbeu, por unë them që Kukësi është pretendenti kryesor këtë vit. Të paktën, kështu e shoh aq sa e njoh unë futbollin si amator që jam unë. Por, unë ekonomikisht prisja një gjë të tjetër, por, me sa duket, thelbin nuk e kuptoi. Kur unë thashë aeroporti i Vlorës dhe aeroporti i Kukësit kisha histori tjetër fluturimi, nuk e kisha për këtë rast. Kukësi është klub për t’u respektuar dhe mbi të gjitha unë respektoj individin Safet Gjici, që është njeri me vlera në futbollin dhe ekonominë shqiptare”, është shprehur presidenti i Flamurtarit.

kale vlore

ÇËSHTJA “KALE”

Idrizi deklaron se braziliani Elton Kale ishte lojtar i lirë, ndërsa i bënë thirrje FSHF të ndërhyjë me autoritetin e saj për zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje, pavarësisht se e di fare mirë se asnjë përplasje në futbollin shqiptar nuk e fiton dot. “Kale është një çështje që do të gjykohet. Nuk është çështja ime kjo. Mua më ka ardhur një lojtar që ka qenë i lirë. Këta pretendojnë që është lojtari i tyre. Tani unë u them shkoni e zgjidhni.

Nëse është lojtar i tyre ta mbajnë ata, nëse është i lirë, le të vazhdojë me ne, sepse ky djali mbeti rrugëve dhe është gjynah. Kjo gjë është më tepër se problematike. Unë nuk kisha pse ta merrja në telefon Safetin për këtë gjë, sepse dikush më tha pse nuk e more në telefon. Mua më ka ardhur një lojtar që kur firmosi kontratën, atëherë ka dalë Kukësi që thotë është i yni. Ai e di shumë mirë që klubi ynë nuk ka shanse të ndërhyjë.

Lojtari sot është në kontratë me Flamurtarin. Ata thonë që ka një kontratë tjetër, ne themi se ka një histori tjetër. Kjo punë duhet të zgjidhet. FSHF duhet të hyjë ndërmjetëse në këtë histori, duhet të gjejë rrugë të mesme. Duhet të tregojë seriozitetin e institucionit, sepse nuk është problemi i përplasjes së dy brirëve dhe se kush është më i forti. Unë asnjë lloj përplasje në futbollin shqiptar nuk e fitoj dot. Këtë e dimë dhe kjo nuk është ndonjë filozofi. Është një histori që duhet të mbyllet një orë e më parë”.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"