EKSKLUZIVE/ Dy emrat më të diskutuar te Skënderbeu, Takaj konfirmon akordin: U takuam me të dy lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2023 | 22:19

EKSKLUZIVE/ Dy emrat më të diskutuar te Skënderbeu, Takaj konfirmon akordin: U takuam me të dy lojtarët

Skënderbeu u bën “bllokadë” largimeve cilësore nga ekipi, për të mbajtur ritmin e duhur për pjesën e dytë të sezonit, ku synim është rikthimi në Superiore. Dje ka qenë në Korçë vetë presidenti Ardjan Takaj, i cili ka biseduar enkas me lojtarët që janë në fund të kontratës me klubin dhe në prag largimi për shkak të kërkesave nga ekipet e tjera.

Takaj

Kjo ka detyruar presidentin e Skënderbeut që të takojë dy titullarë si Erlis Frashëri dhe Belajdi Pusi për zgjatjen e kontratës. Çdo gjë ka përfunduar me sukses dhe marrëveshja e bashkëpunimit u zgjat. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klub se Pusi dhe Frashëri do të vijojnë të jenë pjesë e Skënderbeut dhe nën urdhrat e Ivan Gvozdenoviç për pjesën e mbetur të sezonit. Nga bisedimet me presidentin rezultoi se me sulmuesin shkodran, Pusi, është arritur një marrëveshje për të përfunduar minimalisht sezonin me korçarët dhe më pas gjithçka do të mbetet e hapur për një rinovim të kontratës edhe për dy sezone. Ndërsa Frashëri ka rinovuar për një vit e gjysmë me Skënderbeun, duke qenë i gatshëm për korçarët edhe kampionatin e ardhshëm, sido që të përfundojë ky sezon. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Takaj për “Panorama Sport”.

KONFIRMIMI 0 I kontaktuar nga gazeta, presidenti u shpreh se gjithçka është arritur dhe të dy lojtarët do të vijojnë të jenë pjesë e Skënderbeut. “Patëm një takim me të dy lojtarët, që ishin në skadencë kontrate dhe normalisht që ishte e udhës ta bënim një gjë të tillë. Janë dy futbollistë kyç për ne dhe kurrsesi nuk mund të mendonim që të na largoheshin. Me Pusin arritëm dakordësinë që të vijojmë me një kontratë deri në fund të sezonit, e më pas do të shohim. Nga ana tjetër, Frashëri rinovoi për një vit e gjysmë, çka do të thotë se do të jetë pjesë jona edhe për sezonin e ardhshëm”, sqaroi Takaj.

AKADEMIA – Te Skënderbeu nuk po mendojnë vetëm për të plotësuar ekipin e parë me qëllim që të arrijë objektivat sezonalë, por edhe për ta bërë një gjë të tillë me akademinë, kryesisht me ekipin U-19. Për këtë duket se Takaj ka gati afrimin e një lojtari 18-vjeçar nga Afrika, që do të vihet menjëherë në shërbim të trajnerëve Jani Kaçi dhe Klejdi Larti në ekipin U-19. Nëse cilësitë e tij do të jenë të gatshme për t’i përdorur me ekipin e parë, mund të ndodhë kështu. Këtë la të kuptohet edhe numri një i klubit bardhekuq në prononcimin e djeshëm. Ndërkohë, trajneri Gvozdenoviç është në pritje të afrimeve cilësore, që do të jepnin garanci për një Skënderbe që mund të rikthehet në elitë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"