EKSKLUZIVE/ “Dua medalje në Europian dhe në Olimpiadë”, Briken Calja sfidon Koronavirusin: Do të kthehem më i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2020 | 10:46

EKSKLUZIVE/ “Dua medalje në Europian dhe në Olimpiadë”, Briken Calja sfidon Koronavirusin: Do të kthehem më i fortë

Ndonëse garat më të rëndësishme të peshëngritjes si Europiani dhe Lojërat Olimpike janë shtyrë për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit, Briken Calja vijon me përgatitjet. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 30-vjeçari nga Shtërmeni (kampion i trefishtë i Europës si dhe medalist në Botëror) flet për ditët e karantinës, vështirësitë dhe objektivat, duke premtuar se do të dalë edhe më i fortë nga kjo situatë.

briken calja

Calja, si e keni kaluar këtë periudhë dhe si po i organizoni seancat stërvitore?

Kam vijuar të stërvitem çdo ditë dhe nuk kam patur pengesa në këtë aspekt. I kam krijuar kushtet që të stërvitem vetëm. Këtë gjë e bëj prej vitesh dhe jo vetëm tani në këtë situatë. I kam marrë masat më përpara, si për sa i përket stërvitjes, ashtu edhe me mjetet e dezinfektimit, ku shtanga dhe të gjitha mjetet janë gjatë të gjithë kohës të dezinfektuara. Kështu që në këtë drejtim jam i mbrojtur.

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që keni në këtë kohë?

Normalisht vështirësitë janë të shumta, përderisa janë mbyllur gjërat dhe fillojnë që nga kohëzgjatja e përgatitjeve, e cila sjell mbingarkesë. Plus kostos ekonomike, që është një tjetër problem i madh për ne në këtë situatë. Një sportist profesionist si unë, që pretendon për medalje dhe rekorde europiane si dhe për medalje olimpike, duhet të mbajë formën dhe rrjedhimisht edhe kostot rriten.

briken calja

Në këtë pikë na mungon mbështetja nga Ministria e Sporteve, pasi duhet të jetë ky institucion që të kujdeset për ne sportistët në prag të Lojërave Olimpike. Shpresoj dhe besoj që do të kem mbështetjen e duhur nga Komiteti Olimpik dhe Federata e Peshëngritjes, ndërsa nga ministria nuk duket asgjë, pasi me sa duket nuk u interesojnë aspak rezultatet dhe medaljet. Një institucion që vazhdon të jetë në gjumë të thellë, si në verë, dimër dhe në çdo lloj situate.

Ishit përgatitur për një sezon me gara të ngjeshura dhe shumë të rëndësishme. Si ndiheni tani që të gjitha janë shtyrë?

Kjo është një situatë që nuk po e ndiej vetëm unë, por të gjithë sportistët. Premtoj se do të rikthehem akoma më i fortë, ashtu siç ia kam dalë në situata të vështira, besoj se do ia dal edhe tani.

Po kalonit një formë të jashtëzakonshme. Sa ndikon mungesa e garave në ruajtjen e formës?

Nuk mund të them se është shumë e rëndësishme, por sigurisht që ndikon te të gjithë, pasi gara është ajo që i mban sportistët të karikuar dhe në formë. Megjithatë, duhet të mësohesh edhe me këto situata. Të mos harrojmë që vitin e kaluar kishim një kalendar tepër të ngjeshur dhe kjo ka edhe anën pozitive për sa i përket rikuperimit.

briken-calja-1-1

A do të ndryshojnë objektivat e Briken Caljes pas kësaj situate?

Absolutisht që jo. Objektivat i kam të qartë dhe nuk do të ndryshojnë aspak. Objektivi im dhe i të gjithë stafit, të cilët dua t’i falënderoj, është fitimi i tri medaljeve dhe rekordi në Kampionatin Europian, si dhe medalja olimpike, e cila do të ishte historike për Shqipërinë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"