EKSKLUZIVE/ “Dominuam edhe me 10 lojtarë”, Kallaku analizon fitoren në derbi: Gati për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 20:24

EKSKLUZIVE/ “Dominuam edhe me 10 lojtarë”, Kallaku analizon fitoren në derbi: Gati për titullin

Sherif Kallaku ishte një nga lojtarët më të mirë në sfidën me Partizanin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kallaku bën krahasimet mes dy kampeve të derbeve, edhe pse nuk zhbilancohet. Në intervistën e tij, mesfushori pranon se Tirana po tregon se është e fortë me 10 vetë dhe jo me 11 që mund të bëjë gjëra të mëdha.

kallaku

Kallaku foli edhe për titullin kampion që Tirana e ka më se të mundshëm dhe çfarë pret në sfidat e radhës në kampionat. Sherif Kallaku vjen nga radhët e Lokomotivës së Zagrebit. Duke parë nevojat e Tiranës për përforcime në mesfushë, afrimi i lojtarit me tipare ofensive, sidomos pas largimit të Totres, dukej lëvizja e duhur për kampionët.

Kallaku, vjet nuk ia dolët që të fitonit derbin me Partizanin. Këtë sezon që me të parën qëlluat në shenjë me Tiranën?

Normalisht që jam shumë i lumtur për këtë derbi që fitova. Vjet nuk është se kam pasur gjendjen time më të mirë dhe 100 për qind. Gjithsesi, çfarë ka kaluar, ka kaluar. Unë duhet të shoh veten time dhe atë që kam përpara, pa kthyer kokën pas.

Nëse bëni një zgjedhje. Më mirë të luani këtu (te Tirana) apo te Partizani?

Të them të vërtetën, krahasimet nuk mund të bëhen këtu apo atje. Këtu kam një gjendje më të mirë. Jam në rritje gjatë çdo 90- minutëshi. Mendoj se nga ana personale jam më mirë këtu. Gjithsesi, edhe atje ndonëse nuk dua të justifikohem, por gjendja ime nuk ka qenë 100 për qind dhe nuk kam dhënë atë që është Kallaku i vërtetë. Akoma nuk jam në formën time më të mirë. Do ta rris lojën edhe më shumë dhe do të jap maksimumin, duke punuar çdo ditë, shumë dhe më shumë në stërvitje.

Çfarë mund të bëjë kjo skuadër në 30 javët e mbetura të Kategorisë Superiore?

Normalisht ju e patë edhe vetë në fushën e lojës. Tirana del me 10 lojtarë dhe ka forcë të madhe reagimi. Në derbi ju e kuptuat që mbetëm në inferioritet. Arritëm të shënonim. Mendoj se nëse fitojmë me 10 vetë duhet ta dimë çfarë force kemi brenda grupit dhe ta shfaqim brenda 90-minutëshit, pavarësisht se në derbi, duke filluar filluar nga ana personale kisha më shumë vuajtje në aspektin difensiv. Më duhej të vrapoja shumë me një lojtar mangët dhe nuk arrita të shpalosja atë që doja ta tregoja në fushën e lojës.

Titulli është synimi i Tiranës. A mund ta mbrojë Tirana titullin kampion me këtë grup?

Për titullin është shumë, shumë herët për të folur. I kemi kapacitetet dhe kur klubi i vë një objektiv për titullin kampion, ata i dinë aftësitë tona dhe atë që bëjmë ne në fushën e lojës. Shpresojmë që ne të ruajmë këtë ekuilibër dhe të marrim trepikësha në vazhdim. Do të ishte diçka fantastike.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"